Magazina

Dashuria e vërtetë

Meqë ishte e diel, pra ditë pushimi, burrë e grua vendosën të shkojnë në kopshtin zoologjik.
Prenë biletat dhe hynë brenda. Teksa sodisnin kafshët e mbyllura në stalla dhe kafaze hekuri, u ndalën tek një kafaz me një çift majmunësh, të cilët luanin të gëzuar.
“Ah çfarë historie dashurie që po përjetokan! Ah sa romantik qenka mashkulli!” tha ajo.
Vazhduan të kalojnë nga njëri kafaz tek tjetri, derisa arritën tek një çift luanësh. Mashkulli ishte ulur i heshtur, ndërkohë që femra qëndronte pak më tej duke vështruar vizitorët.
“Uf çfarë trishtimi dhe ftohtësie!” tha e shoqja.
I shoqi, duke nxjerrë një shishe bosh, ia drejtoi të shoqes dhe i tha:”Që ta kuptosh sa vlerë ka femra për luanin, hidhe këtë shishe në drejtim të femrës dhe prit reagimin e mashkullit!”
E shoqja e mori shishen dhe e hodhi në drejtim të femrës. Luani mashkull, kur pa shishen që iu hodh femrës së tij dhe zhurmën që bëri shishja, brofi në këmbë drejt hekurave dhe ulëriti duke tundur vendin.
Mandej, vajtën tek kafazi i dy majmunëve romantikë dhe i hodhën një shishe femrës së majmunit. Majmuni mashkull, kur pa shishen që u hodh dhe zhurmën e saj, ia mbathi me të katra në majë të pemës, duke e lënë femrën e tij të vetme.
I shoqi, i tha:”E dashur! Mos u mashtro me aparencën dhe me ndjenjat fallco. Shumë njerëz e kanë të vështirë ti shprehin ndjenjat e tyre për shumë arsye, ama në momente nevoje nxjerrin xhevahire me vepra, jo me fjalë./ Elmaz Fida /

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button