Magazina
Edhe 137 kuti të panumëruara, PDK prin, AKR del nga Parlamenti
Kur janë numëruara 94,23 për qind e të gjitha kutive, ose 710.063 fletëvotime në to, sipas raportit të KQZ rezulton se PDK prin, duke marrë 31,21 për qind të besimit të zgjedhësve. Ajo ndiqet nga LDK me 26,13 për qind të votave, Vetëvendosja me 13, 73 për qind, AAK-ja me 9,55 dhe Nisma për Kosovën me 5,36 për qind të numrit të përgjithshëm të votave.
Tashmë kanë mbetur edhe 137 kuti me vota, ose pak mbi 5 për qind e fletëvotimeve, që vështirë mund t’ia përmirësojnë rezultatin e AKR-së së Behgjet Pacollit, që ka mbetur në përqindjen prej 4,72 të votave, duke mos e arritur pragun ligjor që do ta rikthente në Parlamentin e Kosovës.
Srpska Lista ka marrë 2.91 për qind të numrit të përgjithshëm të votave të numëruara deri më tash.
Të rikujtojmë se deri më tash nga fletëvotimet e numëruara 672.382 janë të vlefshme, ndërsa 37.681 të pavlefshme.
Në zgjedhje kanë marrë pjesë 42.17 për qind nga 1.782.454 me të drejtë vote.
Raportet e deritashme të vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve i kanë vlerësuar ato të rregullta dhe pa probleme që do ta dëmtonin kredibilitetin e tyre.