Magazina
Hiqet barrikada mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë
Barrikada mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, e vendosur tre vite më parë nga strukturat paralele serbe të veriut, është hequr përfundimisht sot rreth orës 5:00 të mëngjesit.
Aksioni për heqjen e kësaj barrikade, që dikur ishte vendosur nga të ashtuquajturat “rojat e urës”, është hequr nga të njëjtit, dhe ka zgjatur rreth katër orë, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.
Gjatë këtij aksioni, mbi urë janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe karabinierëve italianë, të cilët nuk lejonin praninë e qytetarëve afër urës.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili gjatë natës ka vizituar urën, tha se një gjë e tillë ka qenë e pritshme dhe se meritor për këtë është personalisht ai.
“Kjo ka qenë e pritshme, unë kam ardhur të punoj jashtëzakonisht ngushtë me diplomatët e huaj, por edhe me njerëzit në pjesën e veriut, dhe unë premtimin e kam mbajtur, sepse po e shihni edhe ju se zalli po hiqet, dhe sigurisht se të tjerat do të bëhen të gjitha. Është premtim imi, absolutisht ka të bëjë me mua, unë jam shumë i kënaqur që kam arritur atë dhe prej ardhjes time ka qenë një bisedë e ngushtë me njerëzit e pjesës së veriut, dhe me diplomatët e huaj për t’u hequr kjo barrikadë, andaj është kënaqësi e madhe”, ka thënë mes tjerash Bahtiri.
Ndërkaq, Veton Rexha, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Mitrovicë, heqjen e barrikadës e ka cilësuar si një akt historik, duke thënë se është nata më e lumtur për mitrovicasit.
“Është një akt historik për qytetarët e Mitrovicës, kjo barrierë që ishte me vite mbi lumin Ibër. Besoj se me këtë natë do të fillojë një jetë e re me lëvizje të lirë për të dyja anët, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët dhe besoj se kjo natë do të jetë nata më e lumtur për qytetarët e Mitrovicës”, theksoi Rexha.
Ndryshe, heqja e barrikadës e cila prej shumë kohësh ka ndarë qytetin e Mitrovicës dhe ka penguar lirinë e lëvizjes u bë nga dy eskavatorë që kanë ardhur nga veriu.