Magazina

Me “Parkun e Paqes”, është shkelur marrëveshja e Brukselit

Zv/kryeministrja e Kosovës dhe kryenegociatorja në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Edita Tahiri, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, tha se me rivendosjen e të ashtuquajturit “Parku i Paqes” me dimensione të barrikadës, nga serbët e veriut të dirigjuar nga Beogradi, është shkelur marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.
Tahiri tha se janë në kontakt me Bashkimin Evropian, dhe se kanë kërkuar që nëpërmjet Brukselit t`i bëhet presion Beogradit që ta largojë këtë barrikadë dhe mos ta provokojë situatën e sigurisë.
Ndërsa analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, përshkallëzimin e situatës së sigurisë dhe eskalimin e protestës e lidh me dështimin e plotë, siç thotë ai, të organeve të rendit në Kosovë.
Ndryshe nga dita e djeshme, sot në Mitrovicë ka mbretëruar situatë e qetë, por forcat e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, vazhdimisht janë duke e monitoruar situatën. Edhe në pjesën veriore të Mitrovicës situata ka qenë e qetë, por është raportuar se dje në veri kanë hyrë disa pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, të cilët janë vendosur në veri, përkatësisht në lokalin e quajtur “Dolcevita”, me qëllim që siç është raportuar, të ndihmohen strukturat paralele serbe.
Megjithatë, zyrtarisht ky lajm nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit.
Ndërsa dje në protestën e nisur qetë kundër barrikadës së re të vendosur mbi urën e lumit Ibër në jug të Mitrovicës nga disa të rinj dhe e përfunduar si e tillë, u pasua nga një protestë tjetër që për dallim nga e para ishte e tëra e dhunshme.
Vazhdon ende të mbetet enigmë se kush ishin dhe nga vinin personat që i vunë flakën dje qytetit të Mitrovicës. Shumë qytetarë të kësaj ane kanë deklaruar se protestuesit e dhunshëm nuk ishin nga Mitrovica, apo të paktën, ishin persona të panjohur më parë për ta. 

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button