Magazina
“Dëshmitari A”: 2500 marka “kushtonte” hyrja në UÇK
Të enjten, në gjykimin kundër “Grupit të Drenicës”, “Dëshmitari A” iu përgjigj avokatit mbrojtës të Jahir Demakut. Tha se për të qenë ushtar i UÇK-së duhej të blinte pushkë nga ushtarët që kishte nën komandë tash i akuzuari.
“Nuk kam qenë, sepse për të qenë ushtar është dashur t’i kem nga 2500-3000 marka gjermane për të blerë pushkën nga ushtarët e Jahir Demakut”, tha “Dëshmitari A”, i cili përmendi edhe persona të caktuar që të kenë blerë armë nga, siç tha ai, “Tigrat” e Jahir Demakut.
Ai tregoi se ishte mbyllur në shtëpi, ngase Demaku e kishte kërcënuar me vdekje.
Mexhid Syla deshi të dijë nëse dëshmitari është duke përfituar diçka nga kjo dëshmi, por prokurori dhe trupi gjykues nuk e lejuan dëshmitarin t’i përgjigjej kësaj pyetjeje me arsyetimin se pyetje të tilla mund të zbulojnë vendqëndrimin, ose kushtet e mbrojtjes së dëshmitarëve.
Marrja në pyetje e “Dëshmitarit A” nga avokati Mexhit Syla ka përfunduar, dhe në seancën e radhës e cila është e paraparë të mbahet nesër “Dëshmitarin A”, do ta marrë në pyetje Gregory Guy Smith, avokat i të pandehurit Sylejman Selimi.