Magazina

Gëzim i madh në familjen Musliu, QSA merr përsipër ndërtimin e shtëpisë së re

Më pak se një javë kaluan nga fatkeqësia e familjes Musliu për tu gjetur organizata e cila do të marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë së re në vendin ku po qëndron shtëpia e shkrumbuar.
Me falënderime dhe lot gëzimi kryefamiljari Jakup Musliu sot pranoi lajmin se do të bëhet me shtëpi të re. Shtëpia e djegur do të rrënohet e tëra dhe në vend të saj do të ndërtohet një tjetër shtëpi.
“E kam prit organizatën e Preshevës të cilët kanë qenë të interesuar, shumë faleminderit të gjithë kanë ardhë dhe ka ymyz që po ma ndreqin shpijën. Janë të interesum të gjithë me më ndihmu ngapak, por barrën ma të madhe pe merë kjo organizatë edhe një doktorë i Preshevës. Ma të mirë në dunja çka ke me pas se kjo punë. Allahu ju ndihmoftë deri në pikën e fundit”, u shpreh Jakup Musliu.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit panë nga afër gjendjen e kësaj familje.
“Fatkeqësia që i ndodhi familjes Musliu na ka prekë të gjithëve, falë Zotit nuk ka pas humbje jetësh, mirëpo sa i përket situatës këtu ne erdhëm me ekipin tonë pas publikimeve të bëra edhe në media. Prandaj ne në kuadër të misionit që zhvillojmë në Luginë të Preshevës dhe me bashkëpunëtorët dhe anëtarët tanë, ramë në ujdi që t’i vijmë në ndihmë kësaj familje dhe të marrim përsipër implementimi e këtij projekt, pra ndërtimin e shtëpisë”, u shpreh Lejlan Sadiku, kryetar i Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit, raporton Titulli.
Gjatë prezantimit të QSA-së, në pronën e familjes Musliu qwndruan edhe anëtarët e Iniciativës për të ndihmuar këtë familje, Adnan Salihu dhe Avni Musliu, me çrast me QSA-nw u dakorduan për koordinim në këtë aksion.
Sipas Lejlan Sadikut shtëpia e re do të ketë 80 metra katrorë, ku përfshihen tri dhoma, kuzhina me korridor, banjo, ndërsa njëherit do të jenë të mobiluara të gjitha hapësirat e ndërtuara.
Punimet do të fillojnë menjëherë, përderisa shtëpia e re për të pranuar familjen Musliu pritet të jetë e gatshme pas dy rreth muajsh.
Familja Musliu humbi shtëpinë më 17 korrik nga zjarri që përfshiu ate. Nga ajo ditë ata janë strehuar tek familjarët e tyre.
Kjo familje përveç tragjedisë që e ka prekur, në mesin e saj ka edhe dy anëtarë të sëmurë, bashkëshortja e Jakup Musliut vuan nga kanceri, ndërsa një fëmijë për shkak të problemeve në zemër i është nënshtruar tre herë operacioneve, me ç’rast në gjoksin e tij të vogël bartë edhe një aparat për të ndihmuar rrahjen e zemrës së tij./Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button