Ndalohen për 48 orë dy kaçanikasit që përdhosën bustin e Skënderbeut

Policia e Kosovës në rajonin e Kaçanikut, të martën në orët e paradites ka arrestuar J. V. 40 vjeç dhe A. B. 37 vjeç, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale nga neni 147 i Kodit Penal të Kosovës “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor apo fetar”.
Hetimet e para, sipas PK-së, kanë konstatuar se të dyshuarit kanë postuar nëpër rrjete të ndryshme sociale një video-incizim, përmes të cilit shihet qartazi se të njëjtit e kanë përdhosur bustin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, bust ky i vendosur në oborrin e Gjimnazit të Kaçanikut.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, me urdhër të prokurorit të Shtetit, kanë bastisur banesat e të dyshuarve dhe kanë konfiskuar një kompjuter dhe një telefon celular”, bën me dije Policia e Kosovës.
Ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, shkruan koha.net.