Magazina
Vetëm 8 aplikues nga Lugina, në universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan
Që nga hapja e konkursit më 11 korrik për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore – Bachelor në vitin akademik 2014/2015 në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan, interesimi është mjaft i madh, por se kur janë në pyetje aplikuesit nga Lugina , për momentin numri i tyre është simbolik.
Vaxhid Sadriu, sekretar i përgjithshëm i Universitetit Publik të Gjilanit (UPGJ) “Kadri Zeka”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE se nëpër sportelet e Fakulteteve përkatëse vërehet numër i konsiderueshëm i aplikantëve.
Kurse sa i përket numrit të vogël të aplikantëve nga Lugina e Preshevës, Sadriu thotë se për këtë fillim është i kuptueshëm sepse ata së pari duhet të paraqiten ne MASHT për njohjen e dokumenteve për shkollimin e mesëm të kryer dhe më pastaj paraqiten ne sportelet e UPGJ-së për aplikim.
Përndryshe, sipas tij, deri më 14 korrik, numri i aplikantëve ka qenë 1.081, ku në Fakultet të Edukimit aplikuan 452, Juridik, 226, Ekonomik, 352 dhe Shkenca Kompjuterike 51.
Ndërsa, deri në këtë datë, për t’u bërë studentë në UPGJ, nga Lugina kanë aplikuar vetëm 8 aplikues , 4 për Fakultet të Edukimit, dhe nga 2 për atë Juridik dhe Ekonomi, ndërkohë që ka pas edhe një aplikues nga Komuniteti RAE.
Sipas Vaxhid Sadriut, sekretar i përgjithshëm i Universitetit Publik të Gjilanit , ky Universitet, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2014-2015, do të regjistrojë 2184 studentë, prej të cilëve 1824 studentë të rregullt dhe 360 studentë me korrespondencë. Nga numri i përgjithshëm si më sipër, Universiteti do të regjistrojë 14 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi si dhe 485 studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 35 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë.
Sadriu tha se për ta lehtësuar aplikimin Administrata e Universitetit “Kadri Zeka” do të punojë edhe të shtunave. Për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve afatet e konkursit janë si vijon:
Paraqitja e dokumenteve zgjat prej datës 11.07.2014 deri më 21.07.2014 (Dokumentacioni mund të dorëzohet edhe të shtunave)
Provimi pranues do të mbahet më 25 .07.2014 (Ora e mbajtjes së provimit pranues dhe salla do të shpallet në ueb faqen e Universitetit më date 23.07.2014 )
Ndryshe, Sadriu tha se të gjithë kandidatët të cilët i nënshtrohen provimit pranues duhet ta kenë me vete dokumentin e identifikimit dhe fletë konfirmimin e lëshuar me rastin e aplikimit. /Titulli.com/