Magazina
Pse në kthim rruga është gjithmonë më e shkurtër
U ndodh nga pak të gjithë, qoftë gjatë nisjes për pushime apo edhe gjatë udhëtimeve të shkurtra të fundjavave: rruga e kthimit duket gjithnjë më e shkurtër se ajo e vajtjes.
Ndodh sepse tashmë e kemi mësuar më mirë rrugën? Fare! Për shkencëtarët bëhet fjalë për një ‘shaka’ të trurit, siç tregojnë tre eksperimente të ndryshme të nj¡ studimi të kryer mes Holandës dhe SHBA.
“Return trip effect” (efekti i kthimit nga udhëtimi) është një ndjesi gjerësisht e përhapur që konsiston në perceptimin e rrugës në kthim 17-22 për qind më të shkurtër se sa vajtja, edhe pse koha e kaluar në udhëtim dhe kilometrat e përshkuar janë identikë.
Ky fenomen ndodh edhe në rastin kur kthimi përshkohet nga një tjetër rrugë; prova se fenomeni nuk varet nga trajektorja e përshkuar, por nga pritshmëritë tona.
Në vajtje dëshira për të mbërritur na bën që ta nënvlerësojmë distancën që duhet përshkuar dhe koha duket sikur zgjerohet; në kthim i rregullojmë pritshmëritë duke u bazuar në rrugën reale që është për t’u përshkuar, duke bërë që parashikimet tona të jenë në këtë mënyrë më realiste.
Tre eksperimente të ndryshme kanë konfirmuar se efekti është i njëjtë, qoftë kur udhëtohet me autobus, makinë apo biçikletë si dhe në rastin kur shohim videon e dikujt që udhëton.
Zbulimi mund të ndihmojë në studimin e faktit se si pritshmëritë tona mund të modelojnë perceptimin e kohës, dhe jo vetëm në rastin e udhëtimeve. Një efekt i ngjashëm është vënë re edhe në rastin e filmave të riparë apo përrallave të rilexuara fëmijëve; versioni i dytë perceptohet gjithnjë më i shpejtë se i pari.