Magazina
Real Madrid blen portierin Keylor Navas
Reali i Madridit bën goditjen e radhës në merkato pasi bleu një nga portierët më të mirë të Kupës së Botës. Bëhet fjalë për heroin e Kosta Rikës, Keylor Navas, i cili transferohet nga Levante drejt kryeqytetit spanjoll për t’u vendosur nën urdhrat e trajnerit Carlo Ancelotti. Për ta shkëputur Navas nga ekipi valencian, Reali nuk është lodhur shumë pasi vendosi të paguante klauzolën e largimit të gardianit me vlerë 10 milionë Euro, duke e mbyllur çështjen brenda pak orësh.
Lajmin e bën të ditur gazeta “Marca”, sipas së cilës, viktima më e madhe e këtij operacioni është portieri Diego Lopez, i cili duhet të gjejë një tjetër skuadër për të vazhduar karrierën e tij. Në këtë drejtim, Reali ka nisur menjëherë punën, pasi Napoli dhe Monaco kanë shfaqur interes për të siguruar shërbimet e portierit që u transferua në Madrid nga Jose Mourinho. Diego Lopez u aktivizua titullar në kampionat gjatë sezonit të fundit, duke eklipsuar kapitenin Iker Casillas, i cili arriti të gjente hapësira në Europë dhe në Kupën e Mbretit.