Magazina

Vetëvendosje ka ndryshuar – rrëfim për “parimet” e Vetëvendosjes

Albin Kurti u shtri shpesh përtokë. Njëjtë edhe anëtarët tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, Glauk Konjufca, Dardan Molliqaj e Shpend Ahmeti.
Shumë xhama institucionesh u thyen dhe u përlyen. Shumë gurë, ngjyrë, qumësht e vezë u gjuajtën mbi policinë e Kosovës. Shumë gazi lotsjellës u përdorë nga policia.
Kurti e shumë të tjerë u arrestuan disa herë. Aktivistë të VV-së u lënduan. U lënduan edhe shumë policë. Kuvendi u bllokua disa herë. Jakup Krasniqi si kryetar i tij nuk u la të flasë. U bllokua edhe foltorja. Ministra, deputetë e ambasadorë u bllokuan në hyrje të Kuvendit. E ambasadorja e SHBA-ve, Jacobson madje u lëndua në duar nga aktivistë të VV-së.
Ky në pika të shkurta është rrëfimi për një Vetëvendosje tjetër. Sot ajo ka ndryshuar. Krejt këto zhvillime që i ka bërë ajo, i ka bërë kundër një procesi që tash po e përkrahë dhe madje synon të hyjë vet në të: Dialogu me Serbinë. Më dhjetëra protesta, të dhunshme e pa-dhunshme u organizuan nga VV për të kundërshtuar këtë dialog.
Kur i bënin këto thoshin se është në filozofinë e tyre, në parimet e tyre udhëheqëse dhe se ata kurrë nuk pranojnë të hyjnë në dialog me Serbinë. Albin Kurti, nga një njeri që iu printe protestave për këtë gjë, tash po del në media dhe po flet për hyrjen në dialog. Në fakt qëndrimi kundër dialogut, ishte elementi kryesor që identifikonte këtë lëvizje dhe përkrahja i vinte nga kjo gjë.
Çka po ndodhë tash me këto parime? A ishin ato protesta e bllokime, thjeshtë një lëvizje e mirë taktike e VV-së për të ardhë në pushtet dhe më pas t’i braktisë ato me një retorikë që nuk thotë as po as jo?!
A do të duhej që të ndodhnin lëndimet e aktivistëve, arrestimet, lëndimet e policëve dhe veprimet që ndoshta kanë rrezikuar sigurinë të bëheshin për diçka që nuk e ka pasur seriozisht Vetëvendosje?!
A i bie që tash VV ka kuptuar se e kishte gabim atëherë apo atëherë e kishte lojë politike, në të cilën nuk kursejë gati asgjë nga mjetet për të arritur qëllimet?!
Se Vetëvendosje ka treguar se dinë t’i ndryshojë shumë parimet është edhe rasti me EULEX-in. Dikur ky subjekt i rrëzonte dhe demolonte veturat e misionit të BE-së, duke e kundërshtuar si mision. Ndërsa, tash a keni dëgjuar këtë subjekt duke përmendur EULEX-in?!

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button