Magazina
Kosovë: Dasmorët e rrezikshëm
Dasmat zakonisht në Kosovë mbahen gjatë sezonit të verës. Këto dasma mbledhin rreth vetes dasmorë të shumtë të cilët festojnë për martesën e dhëndrit me nusen. Në shumicën e tyre gëzimi shprehet me të shtëna me armë. E në disa raste plumbat qorr kanë marrë edhe jetë njerëzish.
Si çdo vit Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ për parandalimin e të shtënave në gazmende dhe ahengje familjare. Ky plan i organizuar ka marrë shtrirje në të gjitha komunat e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të policisë, Baki Kelani, në të gjithë Kosovën janë duke u kryer aktivitete të shumta për parandalimin dhe kapjen e personave që gjuajë me armë zjarri nëpër ahengje familjare.
Deri në gusht të këtij viti nga Policia e Kosovës janë konfiskuar rreth 462 municione dhe janë arrestuar rreth 54 persona. Nga këto armë sipas policisë, kanë pësuar lëndime trupore gjashtë persona.
“Policia e Kosovës bazuar në angazhimet dhe planin operativ të sezonit veror, ka realizuar disa operacione të suksesshme në parandalimin dhe konfiskimin e armeve të përdoruara kryesisht nëpër ahengje-dasma familjare”, ka thënë Kelani.