Magazina
Mijëra euro harxhohen për dasma
Mijëra euro edhe këtë vit harxhohen për dasma dhe ahengje familjare, sidomos nga mërgimtarët që vijnë për pushime në vendlindje.
Edhe përkundër krizës ekonomike, prapë se prapë dasmat janë ceremonitë tradicionale për shqiptarët në Luginë, për të cilat nuk kursehet asgjë dhe se gati të gjitha familjet futen edhe në borxhe të mëdha, vetëm e vetëm për të organizuar një dasmë tradicionale, por me rite të ndryshme, që kanë një kosto të lartë.
Një dasmë ka një kosto prej 10 mijë euro, kur bëhet fjalë për një dasmë të zakonshme. Këtë e thekson një beqar nga Presheva, i cili në muajin gusht do të martohet. “Rreth 10 mijë euro planifikohet t`i harxhojmë dhe tani për tani kemi mbërritur këtë shifër. Paratë që kemi harxhuar janë salltanetet e ndryshme tradicionale dhe kjo po na mbyt, sepse duhet ndryshuar, nuk shkon më kështu të derdhen shuma të mëdha parash për një mbrëmje, ku paguhen mijëra euro për lokalin, muzikën dhe ceremoni tjera. Këtë e them sepse standardi ynë jetësor nuk na lejon këtë luks ta bëjmë”.
Por një dasmë që organizohet nga një familje mërgimtarësh shkon deri në 30 mijë euro. Këtë e pohojnë të afërm të një familje që bën një dasmë në fund të korrikut, ku ajo deri tani ka harxhuar rreth 20 mijë euro. “Po shkojnë këto para, sepse ata vetëm stoli ari kanë blerë mbi 10 mijë euro dhe kjo më duket se nuk është në terezi. Pastaj muzika i shkon në 5 mijë euro, sepse janë thirrur këngëtar të njohur të estradës dhe plus harxhimet e tjera përfshirë lokalin, rrobet, dhuratat dhe harxhimet e tjera të nevojshme”, pohojnë familjarët.