Magazina
Zvicër: Shtrenjtohen biletat e trenit
Shpenzimet në rritje për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e rrjetit hekurudhor kanë bërë të domosdoshme ngritjen e çmimeve të biletave të trenit. Megjithëse kishte paralajmërime për ngritje të madhe të këtyre çmimeve njoftimi i publikuar nga SBB/CFF (Ndërmarrja shtetërore e hekurudhave) qetëson deri diku pasagjerët, shfrytëzues të trenave. Ky frenim vjen si rezultat i presionit të bërë nga shoqata për mbrojtjen e konsumatorit
2.9 për qind është mesatarja e rritjes së çmimeve, që do të hyjë në fuqi nga dhjetori i këtij viti.
Kështu, biletat për një udhëtim do të shtrenjtohen 2.9 për qind. Po ashtu 2.9% më shtrenjtë ose me një ndryshim prej 170 frangash do të jetë edhe bileta vjetore e klasit të parë (GA) ndërsa ajo e klasit të dytë, 3 për qind ose për 105 franga më shtrenjtë për një vit.
GA për juniorë dhe për studentë do të shtrenjtohet për 2.8%, e ajo për seniorë 3.0%. Po ashtu GA për persona me nevoja të veçanta do të shtrenjtohet, për klasin e parë 2.9 dhe për të dytin 3.0%.
Një projekt pilot parasheh që gjatë tre muajve të testohet një biletë e re GA vetëm për mbrëmje. Ajo do të shfrytëzohej vetëm në mbrëmje nga ora 19 deri në trenat e fundit të natës dhe do të blihej për gjashtë muaj. Ende nuk është vendosur çmimi i kësaj bilete.
Me këtë ofertë të re, SBB synon të shkarkojë trenat nga koha e pikut dhe të bëjë një shpërndarje më të barabartë të fluksit të udhëtarëve.