MagazinaTech / Shkencë

Gara për “floririn” dixhital

Sa herë që klikojmë “Like” në Facebook, bëjmë një kërkim në Google, blejmë një biletë në internet, kontribuojmë pë të ushqyer oqeanin shumë të madh të Big Data, ose më saktë ata informacione që ruhen dhe përpunohen në qendrat e të dhënave të kompanive të mëdha apo të qeverive. Fenomeni shkon tashmë shumë më tej se sa sjelljet tona online: oqeani fryhet sa herë që një korrier ekspres del nga një magazinë, arka e një supermarketi bën “beep”, një pasaportë merret dhe këqyret në një aeroport, një satelit GPS zbulon një automobil
Sipas Forumit Ekonomik Botëror janë “nafta” e të ardhmes, ose më saktë lënda që do të ushqejë revolucionin e mijëvjecarit dixhital. Por, në dallim nga “floriri i zi”, “Big Data” nuk janë një mall i rrallë, por përkundrazi një burim i bollshëm: tashmë gjenden kudo dhe, mbi të gjitha, janë duke u rritur me një ritëm mbresëlënës. Sipas një studimi të IBM, 90 përqind e të dhënave që disponojmë janë prodhuar gjatë dy viteve të fundit. “Tashmë ka po aq bit-e informacioni, sa ka edhe yje në univers”, thonë ekspertët e institutit të kërkimeve të IDC, duke bërë sa më mirë të qartë idenë e botës së re tek e cila jemi duke hyrë.

Oqean
Sa herë që klikojmë “Like” në Facebook, bëjmë një kërkim në Google, blejmë një biletë në internet, kontribuojmë pë të ushqyer oqeanin shumë të madh të Big Data, ose më saktë ata informacione që ruhen dhe përpunohen në qendrat e të dhënave të kompanive të mëdha apo të qeverive. Fenomeni shkon tashmë shumë më tej se sa sjelljet tona online: oqeani fryhet sa herë që një korrier ekspres del nga një magazinë, arka e një supermarketi bën “beep”, një pasaportë merret dhe këqyret në një aeroport, një satelit GPS zbulon një automobil. Eshtë “interneti i gjërave” ku gjithmonë e më shumë objekte kanë një zemër teknologjike që dialogon me sensorë të tjerë, duke prodhuar kështu një mori të dhënash në autonomi të plotë.

Studiuesja e historisë së internetit, Mercedez Bunz e përshkruan këtë hiperprodhim të dhënash si një “revolucion të heshtur” për të cilin flitet shumë pak. E megjithatë, impakti i tij është i ngjashëm me atë të revolucionit industrial të viteve ‘800, kur falë risive teknologjike u rritën shpejtësia, shumëllojshmëria dhe vëllimi i mallrave të prodhuar: “Ndryshimi i parë që kemi parë ka qenë ai i kërkimeve online”, shpjegon Mercedez Bunz. “I dyti po vjen tani dhe është ruajtja e gjurmëve të gjithckaje”. Të gjithë objektet shndërrohen në kompjuterë të vegjël: nga smartphone tek këpucët, duke kaluar tek makinat, syzet, por edhe kartat e kreditit dhe pasaportat. Në të ardhmen, bijtë tanë do u thonë miqve të tyre: “Kur lindi gjyshja ime, objektet nuk komunikonin mes tyre, a e imagjinon dot?”

Dhe kështu, nga pafundësisht e madhja (brenda pak javësh projekti Sloan Digital Sky Survey ka kapur më shumë të dhëna astronomike nga sa ka grumbulluar njerëzimi gjatë të gjithë historisë së tij) deri tek pafundësisht e vogla (sot mjaftojnë 300 dollarë për të patur një hartëzim të personalizuar të gjenomit tonë), duke kaluar nga sigria apo tek fatkeqësitë natyrore, nuk ka fushë ku Big Data nuk mbërrijnë me një ngarkesë të mbushur me shpresa. Sic ka nënvizuar analisti Dan Gardner në librin The Human Face of Big Data “nuk do të kalojë shumë kohë përpara se Amazon të na befasojë duke na sugjeruar librin që ishim duke kërkuar. E njëjta befasi që provuan paraardhësit tanë kur panë për herë të parë karrocat me motorr”.

Big Data apo Big Brother?
Ashtu si çdo revolucion, edhe ai i Big Data hap një derë e cila të çon në dy drejtime.
Ai më i njohuri ka të bëjë me premtimet e mrekullueshëm të një bote më efiçiente dhe që u shkon për shtat dëshirave tona. Ai më pak i njohuri, na nxjerr përballë problemeve, pasojat e të cilëve arrijmë vetëm t’i nuhasim. Për shembull: sa ndërmjetës ka prapa veprimeve më të thjeshtë që ne kryejmë në internet? Siç ka shpjeguar analisti Kord Davis “edhe një transaksion i thjeshtë online si për shembull blerja e një palë këpucëve, përfshin bankën, furnizuesin e kartës së kreditit, prodhuesin e këpucëve, shoqërinë e transportit që do të na dorëzojë pakon, furnizuesin e lidhjes në internet, kompaninë që menaxhon programin kompjuterik të e-commerce. Secili prej këtyre informacioneve ruhet dhe ekziston mundësia që ai të përdoret në mënyrë të keqe”.
Dyshimet rriten nëse nga një blerje e thjeshtë online, zhvendosemi për të konsideruar veprime dhe informacione me ndjeshmëri më të lartë, si ata që kanë të bëjnë me shëndetin, me politikën, me punën. Në Shtetet e Bashkuara një diskutim i madh është hapur prej rastit të një zzinxhiri të njohur supermarketesh që – sic ka titulluar edhe vetë revista Forbes – ka algoritme në gjendje të “zbulojnë” nëse një kliente e vetja është shtatzënë, ende pa e marrë vesh babai i saj”. Pra, duke kryqëzuar të dhënat e blerjeve të klientëve, programi kompjuterik arrin që të thotë se sa mundësi ka që një vajzë e re të jetë në pritje të një fëmije. Për shembull, i ka shpjeguar gazetës amerikane Nju Jork Tajms një prej analistëve të kompanisë, “nëse një grua e moshës 23 vjeç, në muajin mars blen një kuti gjalpë të kokosit, një çantë të madhe, integratorë zinku dhe magnezi si dhe një tapet të vogël blu, atëherë ka 87 përqind shanse që ajo të jetë shtatzënë dhe që do të lindë deri në muajin gusht”.

Nga Obama, tek shtypësit

Marketingu është padyshim sektori ku data-mining (aktiviteti i nxjerrjes dhe analizimit të informacioneve të mbledhur në baza të mëdha të dhënash) është sot më agresiv dhe preciz. Por edhe në nivel politik ka nisur që të përdoret në mënyrë intensive. Mjafton të mendosh për fushatën e fundit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara: sipas shumë vëzhguesve ka qenë një fushatë ku Big Data ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për fitoren e Barack Obamës (ashtu sikurse në vitin 2008 ka qenë themelor kontributi i mediave sociale). Në fillim të fushatës demokratët pajtuan një ekip prej njëqind statisticienësh, informaticienësh dhe inxhinierësh të marrë nga kompani të ndryshme të teknologjisë së lartë (mes të cilave Google, Facebook, e Twitter) për të krijuar një program kompjuterik të fuqishëm, me emrin “Narwahl”, në gjendje të mbledhë të dhëna me prejardhje nga burime të ndryshëm: jo vetëm baza e të dhënave e partisë, por edhe rrjetet socialë, sondazhet, sondazhet dhe klasikja derë më derë. Në këtë mënyrë u bë e mundur të profilizoheshin vetëm në Ohio (një prej shteteve kyçe) 29 mijë zgjedhës, sipas tipologjive të ndryshme: i pavendosur, militant aktiv, nuk jep donacione, por firmos dhe shpërndan peticionet etj.
Gjithë kjo mund të shkojë mirë në vendet demokratikë. Por siç nënvizon studiuesi Evgeny Morozov, po të njëjtët instrumenta mund të shfrytëzohen edhe nga regjimet shtypës për të kufizuar lirinë e shprehjes. “STASI i ka shfrytëzuar Big Data që përpara se të bëheshin një tendencë”, shpjegon Morozov. “Cdo instrument në gjendje që të krijojë lidhje mes copëzave të informacionit që më parë ishin të vështirë për t’u bërë bashkë do të ketë një impakt negativ mbi privatësinë. Dhe kjo vlen si për vendet autoritarë, ashtu edhe ata demokratikë”.

Tatuazhe elektronikë
Pikërisht në temën e informacioneve të ndjeshëm, ekspertja e privatësisë në internet Danah Boyd ka nënvizuar disa prej dilemave para të cilave na cojnë Big Data-t: “Nëse ia jap të dhënat e mia 23andMe (kompani kaliforniane që kryen hartëzimin e ADN-së), atëherë jam duke dhënë edhe të dhënat e vëllait tim, të nënës time, të djalit tim të ardhshëm”. Më tej, duke folur për marrëdhëniet tona online, Boyd pyet: “Cili është pronari i një shkëmbimi email-esh mes meje dhe një mikut tim?”
Në këtë front ka ende një kaos të madh informativ: Facebook nuk lejon të shkarkohen informacionet dhe fotot e ndara të përdruesve në profilin e tyre; vetëm pas shumë protestash Google ka krijuar një vitrinë (google.com/dashboard) ku mund të duken disa informacione për llogarinë tonë, të cilën e zotëron kompania. Por gjithë kjo ende nuk mjafton: nuk dimë, për shembull, me kë i ndajnë këto të dhëna kolosët e internetit, për sa kohë i zotërojnë dhe, mbi të gjitha, cili autoritet bën verifikimet.

Irlanda
Facebook, Google dhe Amazon për shembull kanë zyrat qendrore europiane në Irlandë. Dhe, për çështje të privatësisë u përgjigjen rregullave të vendosura nga Dublini, që janë më të lehtë krahasuar me ata italianë apo gjermanë. Pikërisht për këtë arsye Bashkimi Europian nxorri një direktivë për të fiksuar rregullat mbi ruajtjen e të dhënave në të gjithë vendet europianë, duke sqaruar të drejtat e përdoruesve dhe detyrimet e kompanive të teknologjisë së lartë.
Ndërkohë, nënvizon Juan Enriquez, drejtor i Life Sciences Project në Harvard Business School, duhet të jemi të vetëdijshëm: sa herë që shkruajmë një tëeet, bëjmë një kërkim në Google, vizitojmë Amazon, ne krijojmë një lloj tatuazhi elektronik që vështirë se mund ta heqim: kur futen në oqeanin e madh të Big Data, ne nuk dimë më se ku do i transportojnë rrymat informacionet tanë.

E megjithatë, sipas Bunz, do të mjaftonte zbatimi i një rregulli të thjeshtë: “Të gjithë të dhënat e mbledhura duhet të jenë gjithmonë në dispozicion të pronarëve”. Dhe pikërisht në këtë drejtim shkon direktiva aktuale e BE për ruajtjen e të dhënave. Sipas Brukselit, cdo qytetar ka të drejtën që “të harrohet” në epokën dixhitale. Për këtë arsye, kur direktiva të miratohet nga vendet anëtarë, secili prej nesh mund t’u kërkojë rrjeteve socialë, bankës online apo aplikacionit të udhëtimeve që të fshijë të dhënat e llogarisë sonë, edhe sikur serverat të ndodhen jashtë vendit tonë. Dhe mbi të gjitha mund të vazhdohet me mbledhjen etë dhënave vetëm pas miratimit të të interesuarit. Kompanitë që nuk do të respektojnë këto rregulla duhet të paguajnë gjoba shumë të larta: nga 250 mijë euro e lart. Qeveria e SHBA i është kundërvënë këtyre masave. Një shenjë që beteja për kontrollin e Big Data është bërë gjeopolitike.
Disa vende – mes tyre Kina – propozojnë miratimin e standarteve që lehtësojnë kontrollin e trafikut në internet. Të tjerë, si Rusia, propozuan transferimin e internetit tek OKB për t’i politizuar natyrën. Propozimet u refuzuan, por beteja për naftën e re është vetëm në fillimet e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button