Magazina

Lundro në adrenalinë te “Koloradot e Evropës” shqiptare

Kënaqësitë dhe relaksimin nuk mund ta arrish vetëm përmes asaj që të ofron uji i detit, plazhi dhe pjesët tjera të natyrës. Një perlë tjetër të natyrës, Zoti i ka dhënë Shqipërisë, ato, që quhen Kanione. Edhe pse deri më tani, jo shumë të shfrytëzuara nga pikëpamja turistike, kanionet, të cilat po konsiderohen si “Koloradot e Evropës” kanë nisur të zbulohen edhe për këtë aspekt.

Është kanioni i Osumit, të cilin e vizituan dhjetëra turistë nga Kosova, kryesisht nga fusha e medias që e kishin të parin në agjendën e tyre për tri ditë qëndrimi në këtë vend. 
26 km gjatësi, 450 m mbi nivelin e detit, formuar rreth 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që deporton thellë në tokë, 6 ngushtica, 8 ujëvara, 1 katedrale, 1.5 m ngushtësi në shtratin e lumit, janë numra që përshkruajnë një mrekulli e cila të lë pa fjalë. 
Por, kjo nuk mund të përjetohet përmes fotografive, videove e përshkrimeve me fjalë, pa provuar kontaktin fizik me këtë reliev mahnitës. 
Ju lehtë mund ta gjeni këtë vend, duke udhëtuar për 126 kilometra nga Tirana për në Berat. Mund edhe mos të ndaloni në këtë qytet të vjetër, por do t’i bini pishman, jo vetëm për shkakun që njihet si qytet muze, por edhe për ushqimin e mrekullueshëm që vetëm beratasit mund ta shërbejnë. 
Pas këtij qyteti, juve ju duhet të bëni edhe rreth 60 kilometra të tjerë, për të arritur në Skraparë, në vendin që njihet edhe si Qyteti i Trëndafilave. Skraparlinjtë, të presin me valle e këngë, e po ashtu edhe me një raki shtëpie, tashmë e njohur për këtë. 
Këta banorë, nuk kanë se si mos të ju ftojnë për të provuar edhe ecjen në lumin Osum që kalon në gjirin e kanioneve. 
Kanionet e Osumit, të cilat shtrihen për rreth 13 kilometra dhe që ndodhen në rrethin e Skraparit, janë një bukuri që nuk duhet lënë pa vizituar nga asnjë asnjëherë. 
E këtu ushtrohet River Hiking dhe një sport i certifikuar dhe i sigurt, Rafting. 
Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Rafting organizoi një tur për mediat nga Kosova dhe Shqipëria, për të promovuar këto vlera të rralla dhe njohur sa më shumë Shqipërinë. 
Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Rafting, Blerina Ago, e cila është edhe njëra prej promovueset e turizmit në Shqipëri tregon për kohën kur në këtë kanion mund të zhvillosh ecjen në lumë e po ashtu edhe rafting. 
Sipas saj, në periudhën Shkurt – Qershor, kanioni mund të shfrytëzohet për rafting, ndërsa në periudhën Korrik – Shtator, mund të shfrytëzohet për River Hiking (ecje në ujë). 
Ago, thotë se përpos kësaj, ky vend ofron edhe gjëra të tjera të mira. 
“Kështu që, nëse doni të shikoni dhe të vizitoni vende që edhe në ëndrrat e juaja nuk i keni menduar aq të bukura, ejani në Shqipëri, në Berat, Skrapar, Përmet dhe do shikoni një Shqipëri më ndryshe. Një Shqipëri, që duan ta gjejnë të gjithë dhe ta ndjejnë. Kjo është Shqipëria jonë autentike dhe Shqipëria jonë fantastike”, thotë ajo. 
Sporti i raftin, ka tërhequr shumë turistë në thellësi të kësaj zone, duke e kthyer këtë qytet, që konsiderohet si xhep i Shqipërisë, në një zonë tërheqëse turistike. 
Nga viti në vit, Blerina Ago thotë se, ky vend ka rritje të vizitorëve nga promovimi që i bëjnë në media por gjithashtu edhe nga personalitetet e ndryshme që kanë vizituar kohëve të fundit këtë vend. 
E për këtë vend nuk ka çmim. Ago, thotë se është eksperiencë e papagueshme. 
 “Të gjithë turistët që vijnë këtu dhe e vizitojnë është eksperiencë që nuk ka vlerë, e papagueshme, pa vlera monetare. Por mund të them se kushton sa çdo fundjave tjetër e kaluar në çdo vend tjetër të Shqipërisë dhe Kosovës, por këtu keni edhe aktivitetet shtesë, të rafting, riverhiking dhe një skuadër e tërë e cila është këtu për tu kujdesur për ju, dhe është në dispozicionin tuaj për çdo informacion, për të ju informuar dhe për të ju përcjellë gjithçka nga shpirti shqiptarë”, shprehet Ago. 
Albania Rafting Group, punon në treg që dhjet vite e më shumë, është themeluese e Federatës Shqiptare të Rafting, anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare, Rafting. 
Si fillim, gjithçka ka lindur si pasion me një kamerdare gomash të traktorëve duke eksploruar kanionet e Skraparit dhe luginave të tjera të Shqipërisë, mirëpo tash për Blerina Agon, është një mision, një mision për të promovuar Shqipërinë si një vend i qëndrueshëm në mes të Evropës. Gjithçka është me standarde ndërkombëtare, guidat janë të certifikuara dhe të licencuara dhe po ashtu siç edhe mund të shihet të gjitha pajisjet janë në bazë të normave të BE-së për këtë aktivitet. (Kosovapress)

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button