Magazina
Mesazhet pozitive të artistit të rrugës
E vë në krah çantën me pajisje dhe del në kërkim të një vendi adekuat për të shkruar mesazhin e tij. Me të arritur në vend, në fytyrë vë maskën dhe fillon të “shkarravisë” në mur.
Momentet e para të punës duken të tilla, por jo edhe përfundimi. Format dhe ngjyrat janë të ndryshme dhe paraqesin stilin unik të artistit.
Shkamb Hadri tashmë ka krijuar stilin e tij si grafist dhe mbishkrimin e tij e ka vërë në shumë rrugë të Gjakovës. Të bësh grafite në mure pa marrë leje është ilegale, e për këtë ai do të haste në probleme të cilat sot i duken shaka.
Takimin e parë me këtë lloj arti thotë se e ka pasur para nja 10 vjetësh, por tash thotë se nuk e shkel më ligjin. Mesazhet që ai përçon përmes vizatimeve të tij janë pozitive. “Kesh!”, “Respect” dhe “Stay true” janë vetëm disa nga punimet e tij. Krejt kjo është një faqe e re edhe në jetën e këtij rioshi.
Para dy vjetësh ai thotë se do të kalonte një fazë të errët e shpëtimin e gjeti tek arti e muzika. Hadri tashmë ka realizuar katër këngë dhe shumë shpejt shpreson ta nxjerrë në shtije albumin e tij të parë. Në njërën prej këngëve zë vend edhe historia e tij si artist i rrugës…