MagazinaTech / Shkencë
Minierat në hapësirë, biznesi i ri trilionësh ?
Kompani private kanë shprehur dëshirën për të gërmuar asteroidet për karburante, dhe të ndërtojnë stacione të furnizimit me lëndë djegëse në hapësirë.
Një projektligj që tani po shqyrtohet nga Kongresi i SHBA-së, do t’i lejonte ato kompani që të bëhen pronar i asaj cka zbulojnë, por nëse kalohet mund të përballet me kundërshtime të fuqishme ndërkombëtare. Chris Lewicki është duke tentuar të nxjerr ujë nga një gur. Një gur gjigant mijëra kilometra larg Tokës.
Presidenti i firmës që merret me minierat hapësinore “Planetary Resources” duket se ka shpresa të mëdha për asteroidet. Copat gjigante me materie që vërtiten në hapësirë janë të pasura me minerale të vlefshme, por sipas tij, të gjendet uji do të ishte sikur të gjendej ar i lëngët.
“Mund të kuptojmë përmes teleskopëve këtu në Tokë se disa tipa të asteroideve mund të jenë relativisht të mbushura me ujë dhe minerale që përmbajnë ujë” ka thënë Lewicki. Por përse uji, që e mbulon pjesën më të madhe të planetit tonë, është aq i vlefshëm në hapësirë ?
Sipas Lewicki-t, tani për tani nevojiten 2 miliard dollarë në vit për të dërguar ujë – gjashtë ton për person – për të vazhduar funksionin gjashtë astronautë në Stacionin Hapësinor Ndëkombëtar. Dhe, përveç ujit të pijshëm, H2O gjithashtu mund të shëndrrohet në ajër dhe karburant, pra hidrogjen i lëngshëm dhe oksigjen i lëngshëm, të cilat përbëjnë karburantin më efikas për raketa që njihet deri më tani.
Sot, një anije kozmike duhet të mbajë të gjithë karburantin që i nevojitet, gjë që i shton peshë të konsiderueshme. Dhe me të dalë në hapësirë, pajisje shumë të shtrenjta duhet të largohen pasi është shumë e shtrenjtë që ato të kthehen mbrapa në Tokë.
“Imagjinoni të jemi në gjendje të dalim në hapësirë, dhe të kemi mundësinë të ri-mbushim rezervat me karburant, atje lart” thotë Lewicki.
Asteroidet kanë gravitet të dobët, prandaj aterrimi në to dhe nisja nga to nuk kërkon shumë energji. Dhe afërsia e tyre me Tokën i bën që të jenë stacione potenciale për të ri-furnizuar anijet kozmike me misione të gjata në hapësirë.