Magazina
“Shqipëria, sekreti i fundit i Evropës”
Edhe protalet britanike kanë propozuar Shqipërinë, si një nga destinacionet më tërheqëse turistike për 2015-ën, duke ua rekomanduar pushuesve si një prej vendeve që duhet të zgjedhin.
Portali britanik i udhëtimeve dhe modës, “Stylist.co.uk” e ka renditur vendin tonë të tretin, në 5 destinacionet më të mira, si mundësi për të kaluar pushimet verore. Shqipëria renditet e treta pas Marsejës së Francës dhe Portos të Portugalisë.
Shqipëria cilësohet si vendi më i mirë për plazhet me bollëk, që ka të gjitha bukuritë e bregdetit të Mesdheut, por me çmime më të arsyeshme. Sipas artikullit, vendi ynë është shpallur si “sekreti i fundit i Evropës”, ku turistë nga Italia dhe Ballkani vizitojnë shtrirjen e lavdishme prej 120 km të bregdetit në jugperëndim të vendit, prej vitesh.
Theksi vihet tek riviera midis Vlorës dhe Sarandës, “mbuluar me një peizazh të gjerë e të thyer, i pasur me agrume dhe plantacione ulliri, laguna të fshehura dhe plazhet të izoluara”.
“Ushqimi është një përvojë e lirë dhe e kënaqshme, një vakt i përzemërt në restorant do t’ju kushtojë me ekuivalentin e rreth 9 stërlinave”, thuhet në artikull.
Turistët këshillohen të shijojnë veçanërisht plazhin e Ksamilit dhe atë të Dhërmiut.
Po ashtu vizita emocionuese, sipas artikullit, janë ato në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe në qytetin antik të Butrintit.
Në artikull thuhet se pas një dite plazhi, asgjë nuk mund t’ju shijojë më shumë se një gotë e ftohtë birre vendi.
Shqipëria, në këtë klasifikim ndiqet nga Mala e Spanjës dhe Cagliari i Italisë.