Magazina

Inteligjenca e kryeministrit Vuçiç

Vuçiç vuri në punë inteligjencën duke nënshtruar emocionet. Dhe me sukses. Me vullnetin e plotë për të fituar në Tiranë atë që humbi në fushën e vet në Beograd ca pak kohë më parë. Dhe pa dyshim ia arriti qëllimit. Sepse edhe “beteja” në Tiranë ishte shumë e lehtë, në të vërtetë
Duket se kryeministri i gjatë serb, nga takimi më i fundit me kryeministrin e gjatë shqiptar në Beograd, ku i gjati i Serbisë pati edhe disa djersitje dhe shqetësime gati fëminore tek dëgjonte deklaratën e Ramës për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, kësaj radhe ishte krejt ndryshe.
Sigurisht, jo thjesht në çështje gjatësie. Duket pra se kishte ardhur në Tiranë për të joshur me konstruktivitet, nur dhe buzëqeshje Bashkimin Europian dhe SHBA. Me një “sportivitet” të dukshëm dhe me sa duket i trajnuar mirë paraprakisht, ai, Vuçiç, ishte befasues.
I buzëqeshur dhe i fortifikuar me një pozitivitet formal të pacenueshëm, ai kaloi me shpejtësi dhe sukses disa sprova, të cilat analistët serbë ua gabuan parashikimin. Me sa duket, mjaft mosbesues ndaj Kryeministrit të tyre.
Së pari, konferencën për shtyp me homologun shqiptar. E cila kaloi e qetë, pavarësisht se palët ripohuan kufijtë e tyre ndarës në mënyrë të qartë. Që fillonte e mbaronte kryesisht te Kosova. Pavarësia e saj.
E njohur dhe e nënvizuar nga njëra palë, e mohuar dhe e panjohur nga pala tjetër. Porse gjithsesi, ndjehej që palët e kishin përllogaritur tanimë këtë ndarje gjithmonë e më shumë e trajtuar si “historike” dhe folklorike. Si një ndarje e kapërcyeshme kësaj radhe e që nuk cenonte më aspak vullnetin e shprehur për një bashkëpunim të tipit europian. Dukej qartë që Vuçiç nuk kishte ndërmend të “ngelte” përsëri në klasë, si i provokueshëm në këtë pikë. Përparësia e tij u duk qartë. Ndjekja e ditarit të tij të punës me BE.
Sprova e dytë ishte pikëpyetja se si do sillej me kryeministrin shqiptar të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Mendohej gabimisht më parë dhe ky gabim vinte sërish nga kolegët e Beogradit, se kjo sprovë do të ishte e pakalueshme. Mendohej pra, se Vuçiç, ai Vuçiçi i “fotografuar” në Beograd ca muaj më parë si i brishtë, Vuçiçi që akuzonte për dronin me hartë shqiptaromadhe, vëllain e Edi Ramës, do të prishej në fytyrë kur të kishte në krah apo përpara vetes Isa Mustafën. Kryeministrin e Republikës së Kosovës, që në letrat serbe nuk ekziston as sot dhe as nesër.
Porse inteligjenca bizantine, karakteristikë e liderëve ballkanikë pa përjashtim, kish zënë rrënjë mirë e bukur edhe te Vuçiç, që mundohej të konkurronte kësaj radhe me Edin, jo më për gjatësinë fizike apo konfidencialitetin hokatar, por edhe për nivelin e rehatisë dhe të çlirimit nga tensionimet në komunikimin me shqipot në Tiranë.
Sprova e tretë e priti ndoshta në zyrën e Ilir Metës, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Një pikturë e stërmadhe, e bukur dhe epike me Isa Boletinin në qendër, mund edhe ta kish mrrolur e ngrysur kryeministrin e gjatë serb. Meta kish zgjedhur pikërisht aty të fotografohej me mysafirin nga Beogradi. Ndoshta pafajësisht, por ndoshta edhe jo. Po as në këtë rast nuk plasi ndonjë “bombë”. Sepse me sa duket, në mendjen e kryeministrit Vuçiç nuk kishte më kapsolla ndezëse, por vetëm qëllime dhe përllogaritje gjeopolitike dhe mbi të gjitha ekonomike.
Vuçiç e dinte që ky takim e kishte vënë në qendër të një vëmendjeje të jashtëzakonshme. Dhe kryesorja në këtë vëmendje ishte padyshim perceptimi që ai duhet të krijonte. Për vetëkontrollin dhe sidomos mbi qëndrueshmërinë e parimeve të tija europianiste perëndimore.
Perëndimorët duan të shohin hapur një paqe reale dhe sa më afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Me shpresën që “korja” e vjetër që bart nacionalizmin primitiv, të mbetet në një pakicë sa më të thellë.
Nuk ishte një provim i lehtë edhe për një riosh si Vuçiç. Që ngeli në klasë pak muaj më parë në Beograd, kur shprehu paaftësinë e moskontrollit të emocioneve të tija. Që buronin nga një brumosje kulturore dhe politike të origjinës së shkollës millosheviçiane, të cilën me fjalë ai e kish shpallur të tejkaluar. Porse emocionet e tradhtuan në ballafaqimin me Ramën në kryeqytetin e tij. Në Tiranë, ai ishte pra teknikisht perfekt.
Nga ana tjetër, përllogaritje ekonomike të përfitimeve të mundshme perëndimore, të cilat për ironi dhe aspak për rastësi, kishin si parakusht Shqipërinë dhe shqiptarët, e pra, qasjen e re ndaj tyre e kishin vënë përpara këtij testi. Sepse pa ato para dhe pa atë ndihmë publike të Brukselit, jetëgjatësia e tij kryeministrore, nga kriza aktuale, mund të shndërrohet në katastrofë politike.
Dhe Vuçiç vuri në punë inteligjencën duke nënshtruar emocionet. Dhe me sukses. Me vullnetin e plotë për të fituar në Tiranë atë që humbi në fushën e vet në Beograd ca pak kohë më parë. Dhe pa dyshim ia arriti qëllimit. Sepse edhe “beteja” në Tiranë ishte shumë e lehtë, në të vërtetë.
Edhe Rama, tashmë i përkëdhelur nga roli i papritur dhe i rëndësishëm njëherësh i një kryenegociatori në Ballkanin Perëndimor, ishte i vetëdijshëm që “fitorja” e të gjatit Vuçiç do të ish njëherësh edhe fitorja e tij.
Në këtë sfidë gjeopolitike, të vetmit ballkanas të europianizuar që u bënë nervozë, sepse u ndjenë edhe krejt pa asnjë rol, ishin grekët. Por pavarësisht deklaratës së tyre të fortë, asgjë nuk e prishte dot më këtë “festë-spektakël” të mirëkuptimit dhe dialogimit të “ish armiqve”, që Forumi i Vjenës kish përgatitur simbas regjisë gjeopolitike të Brukselit dhe të kancelares Merkel.
Mirëpo çështja është se përpos rrahjes entuziaste të shpatullave që Edi Rama do të marrë sërish në Bruksel dhe jo vetëm, “Çekun e madh” të Strategjisë së zhvillimit kush do ta marrë? Financimet pra, ato që quhen injektime shpëtimtare për ekonominë tonë të sëmurë.
Kush?
Beogradi apo Tirana?
Sepse nesër të gjitha do të shndërrohen në një film nostalgji. Dhe vetëm kaq. Por kaq nuk mjafton kurrsesi. Sepse Ballkani ka nevojë për një Çek të Madh, që të vazhdojë të ëndërrojë për Bashkimin Europian edhe për së paku 10 vitet e ardhshme.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button