Magazina

Patriotë në Beograd

Tendenca që një ngjarje artistike kosovare në Beograd të “shitet” si diçka patriotike dhe fort e rëndësishme as nuk është e drejtë, as e ndershme. Ndryshe do të ishte para disa vjetësh, atëherë kur patriotizëm konsiderohej të ndalosh artin kosovar të prezantohej atje. Sikurse rasti i shfaqjes “Çifti Martin”.
Kur para më shumë se katër vjetësh drejtoresha e atëhershme e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, nuk kishte lejuar që shfaqja “Çifti Martin” e regjisorit Bekim Lumi të jepet në Beograd, vendimin e saj e kishte arsyetuar duke thënë se Serbia ende nuk i njeh pasaportat, targat dhe shtetin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, udhëtimi dhe qëndrimi i trupës teatrore kosovare në Serbi nuk ishte i sigurt. Berisha kishte thënë, po ashtu, se festivali “Mucijevi dani” qenka jugonostalgjik dhe Kosova nuk e paska vendin në të, deri sa Serbia ta pranojë si shtet.
Regjisori Lumi vendimin e Berishës e pati quajtur pjesë të mendësisë primitive, provinciale, folklorike dhe pseudopatriotike, ndërkaq pretekstin e rrezikut dhe pasigurisë – paranojë dhe fobi të pajustifikueshme.
Në një kolumne timen për Express, vendimin e Berishës e pata quajtur joserioz, duke vlerësuar se do të ishte nder për Kosovën dhe teatrin e saj që në Beograd t’i përfaqësojë një shfaqje si “Çifti Martin”, me lojën maestrale të Gresa Pallaskës e Astrit Kabashit. “Është koha e fundit që njerëzit e teatrit dhe të institucioneve të fillojnë të mendojnë jashtë kafazit ‘patriotik’, jashtë moçalit kulturor në të cilin janë zhytur ata, e bashkë me ta edhe ne si shoqëri… Vendimi për të mos lejuar ‘Çiftin Martin’ të shfaqet në Beograd është përpjekje për t’i vrarë Martinët e Bekim Lumit. Por, kjo është vetëvrasje kulturore. Absurd që do t’ia kishte zili vetë Eugene Ionesco… Pse ka nevojë për kiç leksione morali e pseduopatriotizimi?”, pata shkruar atëherë.
“Çifti Martin” nuk udhëtoi drejt Beogradit, regjisori e aktorët vazhduan punën në Prishtinë, ashtu si dhe Berisha në krye të teatrit.
Por, që nga ajo kohë nuk kanë ndërruar shumë gjëra as në Prishtinë, as në Beograd, përveç asaj se Berisha nuk është më drejtoreshë teatri. Beogradi ende nuk i ka njohur as pasaportat, as targat, as pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, përkundër të gjithave, regjisorja Berisha duket se tash ka ndërruar mendje për prezantimin në kryeqytetin serb. Ajo ka udhëtuar vetë në Beograd për të marrë pjesë në festivalin”Mirëdita, dobar dan”, me ç’rast është prezantuar në kuadër të një ekspozite me një grup artistesh tjera, duke dashur që për publikun të sjellin gruan si intelektuale, të fuqishme dhe të gatshme për raporte të mira.
Një deklarate të saj atje Berisha nuk e ka lënë pa i dhënë petk patriotik pranisë së saj, teksa ka thënë se është kënaqësi që të prezantohet arti kosovar nën stemën e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye edhe kishte shkuar atje.
* * *
Përtej tendencës për të tingëlluar sa më patriotikë e nacionalistë, prezantimi i një pjesë të kulturës kosovare në kryeqytetin serb tashmë është kthyer në diçka normale. Përveç festivalit, një numër aktivitetesh tjera po vazhdojnë të organizohen atje gjatë qershorit. Më ka rënë t’i përcjell disa nga aktivitetet dhe e kam një ide të qartë se çfarë ndodhë realisht. Kështu, tendenca që një prezantim normal artistik në Beograd të “shitet” si diçka patriotike dhe fort e rëndësishme as nuk është e drejtë, as e ndershme.
Asnjëherë nuk ka pasur më shumë se tash prezantim të kulturës kosovare në Beograd, për një kohë të shkurtër, sikur javët e muajt e fundit. Asnjëherë nuk ka pasur më shumë artistë, krijues që me veprat e tyre shfaqen para publikut atje. Ekziston një klimë relaksuese dhe një qasje shpesh dashamirëse e një numri njerëzish të sektorit civil karshi artistëve kosovarë. Por, nuk është se institucionet, shteti kanë ndryshuar qasje. Natyrisht, në tërë këtë ka ndikuar edhe dialogu ndërmjet dy vendeve.
Sot në Beograd shkon kush të dëshirojë. Është e lehtë, krahasuar me katër vjet më parë. Atëherë kur shfaqja “Çifti Martin” do të kishte krejt tjetër impakt po që se do të ishte dhënë para publikut beogradas. Atëherë kur do të duhej lënë anash mendësinë proviniciale e pseudopatriotike.
* * *
Kosova ka çfarë të prezantojë jo vetëm në Beograd, por edhe në të tjera vende, qoftë nga letërsia, muzika, nga teatri apo kinematografia. Sot më shumë se kurrë nevojitet që këto vlera të shfaqen sa më mirë dhe pa ngarkesa të çfarëdo lloji. Sikurse duhet mirëpritur artistët nga Serbia për t’i shfaqur në Prishtinë vlerat e veta. Si të barabartë me ne, pa kurrfarë superioriteti.
Patriotë duhet treguar në punë për realizimin e veprave sa më të mira, e jo në qasjen ndaj Beogradit. As ndaj simbolikave që nuk thonë gjë, veçse na bllokojnë pa nevojë.
Patriotizëm është prezantimi me vlera gjithandej, e jo tendenca për t’i kthyer në vlera pseudopatriotizmin e folklorizmin.
Mendësia primitive e provinciale, po ashtu, s’ka të bëjë me patriotizëm. Sot më shumë se kurrë na duhet hapje artistike, e jo izolim. Kurrsesi izolim në emër të patriotizmit.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button