Prishtina lejon shaminë në shkolla (Foto)
Në shkollat e Prishtinës, në të mesmen e ulët edhe në atë të lartë, ka vajza të mbuluara të cilat ndjekin mësime. Komuna e Prishtinës është në dijeni, por çështjen e ka kaluar te Ministria e Arsimit, e kjo e fundit nuk flet për këtë temë.
Janë disa vajza që ndjekin mësimin në shkollat publike në Prishtinë, kurse fati i tyre për shkollim varet nga ‘disponimi’ i zyrtarëve në Kosovë.
Përderisa Ligji për arsim detyron secilin të shkollohet, Kushtetua e Kosovës fillimisht e cek se Kosova është shtet laik dhe në të thuhet se secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm, sipas Kushtetutës, rregullohet me Ligj dhe financohet nga fondet publike.
Por, ekziston një udhëzim administrativ, me të cilin nxënësve të shkollave të mesme dhe të larta u ndalohet bartja e uniformës fetare në objektet e institucioneve arsimore.
Lajmi. net mëson se në të shkollat e mesme të larta në Prishtinë janë së paku katër vajza të mbuluar ndërsa edhe në të mesmen e ulët po aq.
Një nga to edhe ua sjellim me fotografi. Ajo që nga klasa e gjashtë është nxënëse në shkollën e mesme të ulët “Elena Gjika”, e tani është në klasën e nëntë.
Drejtori i kësaj shkolle Osman Vitija thotë se për këtë kanë njoftuar Drejtorin e Arsimit në Komunën e Prishtinës.
“Po vajza është në këtë shkollë, nuk dimë si të veprojmë sepse Ligji dhe disa udhëzime janë në konflikt mes vete”, ka thënë ai për lajmi.net.
E në Drejtorin e Arsimit në Komunën e Prishtinës, pranojnë se janë të njoftuar për disa raste të vajzave të mbuluara. Edhe vet Komuna po kërkon ‘qare’.
Drejtoresha Arbërie Nagavci tha për lajmi.net se ka një vit që i kanë shkruar Ministrisë së Arsimit që të qartësohet kjo çështje.
“Që një vit u kemi kërkuar që të na e qartësojnë këtë temë që është shumë e ndjeshme. Nuk kemi marr ende përgjigje, jemi në dije që janë disa vajza por nuk bënë të marrim vendim të ngutshëm”, tha ajo.
E Ministria e Arsimit nuk jep përgjigje as për lajmi.net. Ka rreth një javë që ata kanë thënë se do merren me këtë çështje por nuk flasin asgjë.
Ndryshe sipas ligjit, arsimi fillor dhe i mesëm në Kosovë është falas dhe financohet nga buxheti i Kosovës. Arsimi është i detyrueshëm për të gjitha moshat nga 6 deri në 15 vjeç. Ligji për arsimin u garanton arsimim të barabartë të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Sipas Ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, Edukimi Fillor (1-5) dhe i mesëm i ulët është i obliguar për të gjithë. Shkollimi i detyruar fillon kur fëmija ka mbushur moshën 6 vjeç (mosha minimale e arsimit të obliguar). Sipas këtij ligji, shkollimi në institucionet arsimore me fonde publike është falas. Arsimi i mesëm i ulët është faza e dytë e arsimit bazë të detyruar dhe përfshin klasat 6-9, gjerësisht moshat 12 deri në 15 vjeç. Mësimi në shkollat fillore në Kosovë mbahet në pesë gjuhë: në gjuhën shqipe, serbe, boshnjake, turke dhe kroate.
Arsimi i mesëm i lartë është organizuar në arsimin e përgjithshëm dhe në arsimin profesional. Arsimi i mesëm i lartë zgjat 3 ose 4 vjet varësisht nga programet arsimore të përcaktuara nga MASHT.
Të gjithë nxënësit kanë të drejtë të ndjekin këtë nivel mbi baza vullnetare. Arsimi i mesëm i lartë ndahet në dy kategori atë të përgjithshëm dhe atë profesional. Arsimi i mesëm profesional, që nënkupton shkollat profesionale, si qëllim parësor përgatitjen e kuadrove për treg të punës, por ofron edhe mundësi të aplikimit në studime më të larta post sekondare dhe universitare. Ky lloj arsimi është organizuar në tetë tipe të shkollave, ku mësimi zhvillohet në disa profile.
Në bazë të ligjit për arsimin, në Kosovë të drejtën për arsim special e kanë ata fëmijë që nuk përfitojnë ose nuk kanë mundësi të përfitojnë mësimdhënie të zakonshme. Gjithsej në Kosovë janë 7 shkolla të arsimit special dhe 64 paralele me klasë të bashkangjitura të cilat mësimin e zhvillojnë në shkolla të rregullta. /lajmi.net/