Religjioni

Arti i të qenit i lumtur

Lumturia e zemrës është një nga begatitë më të mëdha. Ajo nënkupton qetësi dhe maturi në jetë, e ato burojnë pikërisht nga zemra. Lumturia e zemrës bën që intelekti ynë të jetë stabil kurse zemra e ndritur dhe e mbarsur me mirësi. Është thënë se lumturia është art i cili mund të mësohet. Ai që arrin ta zotërojë këtë art dhe të niset shtigjeve të saj, në jetën e vet do të gërshetojë shumë gëzime, kënaqësi dhe të mira të panumërta.

Vetë esenca dhe principi i fillestar në kërkimin e lumturisë është aftësia e durimit dhe e përmbajtjes. Kjo do të thotë që njeriu nuk duhet të lakohet nën erërat dhe vështirësitë e para, që nuk duhet të ketë frikë për shkak të ndodhive të shumta përreth, por më primare është që të mos brengoset dhe të mos shqetësohet për shkak të gjërave të parëndësishme. Forca dhe vetitë e zemrës përcaktojnë sa do të jetë i gëzuar dhe i qetë shpirti.

Njeriu që është jostabil, frikacak për nga natyra, i paqëndrueshëm në kërkesat e tija dhe që e ka shpirtin plot shqetësime gjithnjë futet në telashe, në vuajtje dhe në vështirësi. Të gjitha të këqijat shkrihen dhe krizat zhduken para atij që shpirtin e mëson dhe e stërvit me durim dhe me guxim.

Kur i riu mësohet të luftojë me fatin,

çdo vështirësi në jetë i duket e lehtë.

Shpirtngushtësia, dëshpërimi, brengosja vetëm për vete dhe harrimi i botës që na rrethon, të gjitha këto janë armiq dhe kundërshtarë të lumturisë dhe të gëzimit. Allahu i Madhërishëm armiqtë e vet i përshkruan me fjalët:

“Ata janë të interesuar vetëm për vete.”[1]

Njerëzit të cilët i posedojnë këto veçori janë tejet të kufizuar dhe konsiderojnë se i gjithë kozmosi është në shpirtin e tyre. Ata nuk mendojnë për të tjerët, jetojnë vetëm për vete dhe nuk interesohen për asgjë tjetër. Gjithsesi, ne nganjëherë duhet të kujdesemi për vete dhe t`i përkushtohemi shpirti tonë, por nganjëherë, duhet gjithashtu, t`i harrojmë brengat, problemet dhe vështirësitë tona. Në këtë mënyrë do të arrijmë dy gjëra: do t`i sjellim gëzim e hare vetes dhe të tjerëve.

Njëri prej themeleve në të cilat bazohet arti i lumturisë është arsyetimi i qetë dhe logjik. Andaj, njeriu nuk duhet të lejojë që mendimet t’i fluturojnë pa qëllim, të jetë mendjelehtë, sipërfaqësor dhe i paarsyeshëm. Nëse i lë mendimet tua të sorollaten dhe të bredhin pa qëllim, kjo me siguri, do të kthejë në gjirin e pikëllimit. Në këtë situatë gjithnjë do të rrinë para sysh tablo ngjarjesh tragjike dhe fatkeqe nga e kaluara, kurse prapa tyre do të nxjerrë kokën hija e të ardhmes tmerruese dhe të pashpresë. Por, ti drejtohu, vëre në lëvizje trupin dhe shpirtin tënd, lëri ndjenjat të digjen në ty, lidh me litarin e seriozitetit të këqijat, përkushtimin dhe zellin dhe përqendrohu në ndonjë punë e cila do të ketë si rezultat shumë të mira dhe përfitime.

“Dhe mbështetu te Ai, i Cili është përherë i Gjallë dhe i Cili nuk vdes kurrë.”[2]

Principi i dytë i cili ka rëndësi të madhe për artin e lumturisë është që ta vlerësosh jetën në mënyrë objektive, ta pranosh ashtu siç është. Kjo jetë është argëtim, prandaj është më mirë që të heqësh dorë nga argëtimi i pakuptimtë dhe ta ndalosh atë. Kjo jetë është burim i vuajtjeve, nëna e të këqijave dhe djep i vuajtjeve. Nëse i kupton këto cilësi të dynjasë, ajo nuk do të brengosë aq shumë dhe nuk do të pikëllohesh tepër nëse të ka anashkaluar diç prej saj. Kjo botë është kalimtare, pastërtia e saj është e turbullt, rê që nuk sjell shi, shkëlqimi i saj është i rremë, bukuria në të është mirazh, fëmijët e saj janë të humbur. Njerëzit e mirë në të janë të kërcënuar, bujarëve merru lakmi, kurse ai që është dashuruar me këtë botë kalimtare në fund do të vritet me shpatën nga prita që ia ka përgatitur pikërisht ajo.

O prindërit e mi, ndërtojmë shtëpi e pallate,

por kurrë ato nuk arrijmë t`i përfundojmë.

Për këtë botë derdh lot me rresht,

ani kush ka mbetur me të bashkë?

Ku janë mbretërit krenarë e fuqiplotë persianë,

ata me thesaret e tyre u zhdukën dhe më s’janë?

Të gjithë ata që në këtë botë janë kreshpëruar,

në varr të ngushtë në fund kanë mbaruar.

Tani janë të shurdhër sado që i ftojmë,

sikur nuk dinë përgjigje të na ofrojnë.

Në një hadith thuhet: “Dituria fitohet duke mësuar, kurse karakteri i mirë me sjellje të kujdesshme.”

Pra, kur bëjmë fjalë për lumturinë, duhet të dimë sesi fitohet me praktikë dhe me ndjekjen e rrugëve të cilët shpijnë tek ajo, përderisa të mos bëhet pjesë e personalitetit dhe e karakterit tonë.

Me të vërtetë për jetën e kësaj botë nuk ia vlen që të brengosemi, të ngrysemi dhe të dëshpërohemi së tepërmi për të.

Vdekja sundon midis njerëzve,

kjo botë s’është shtëpi e sigurt.

Sot njeriu flet për vdekjen,

kurse nesër lajmërohet për vdekjen e tij.

Kjo botë është e fëlliqur e plot vuajtje,

nëse dëshiron ta pastrosh prej saj,

Dije se lufton kundër trilleve të saj

dhe kërkon gacë prushi në zjarr.

Nëse e kërkon të pamundurën,

buzë greminës shpresat i ndërton.

Kjo jetë është ëndërr, kurse vdekja esëll,

kurse njeriu midis tyre fle i qetë.

Nxitoni t’i realizoni qëllimet tuaja,

ngase vitet tuaja nuk janë mbarësuar me mirësi.

Kjo jetë nuk është paqësore, sado përpiqeni,

armiqësia ndaj të lirës është në natyrën e saj.

Por, ekziston një e vërtetë për të cilën nuk ka farë dyshimi, e ajo është që kurrë nuk do t’ia dalim të eliminojmë nga kjo botë çdo të keqe dhe pikëllim, ngase ajo është krijuar e tillë.

“Ne njeriun e krijojmë të përpiqet.”[3]

“Ne njeriun nga ngjizja e farës e krijojmë, për ta vënë në sprovë dhe e bëjmë të dëgjojë dhe të shikojë.”[4]

“Ai që ka dhënë vdekje dhe jetë për të sprovuar se cili prej jush do të veprojë më mirë – Ai është Fuqiploti, Ai i Cili falë.”[5]

Poenta dhe qëllimi qëndron në faktin që njeriu t’i zbusë dhe pakësojë brengat, pikëllimin dhe dëshpërimin, kurse zhdukja e gjithë këtyre do të ndodhë vetëm në Xhenet. Prandaj banorët e Xhenetit në të do ta flasin:

“Madhëruar qoftë Allahu, deklarojnë ata, i Cili ka larguar prej nesh pikëllimin – Zoti ynë, vërtet, falë shumë dhe është mëshirues.”[6]

Kjo është dëshmi që vuajtjet në këtë botë nuk do të na braktisin kurrë dhe se çdo e keqe dhe brengë do të tretet në kopshtet e Xhenetit.

“Ata që kanë pasur frikë nga Allahut dhe që janë ruajtur nga ajo që u është ndaluar, ata do të jenë në kopshtet e Xhenetit, pranë burimeve. Hyni në to të sigurt, të liruar nga frika! Dhe Ne do ta nxjerrim smirën nga zemrat e tyre, ata do të qëndrojnë njëri përballë tjetrin në divane si vëllezër.”[7]

Ai që e kupton jetën me të vërtetë, do ta kuptojë se në natyrën e kësaj bote kalimtare, dynjasë, qëndrojnë mashtrime, iluzione dhe devijime.

Koha jonë na është betuar që kurrë s’do të na tradhtojë,

sikur mendon se s’është kalimtare dhe se do të mbetet gjithmonë.

Tani, kur i kemi kuptuar trillet e vetitë e kësaj bote jostabile, duhet të themi zëshëm se nuk na ndihmon as brenga, e as pikëllimi, e as dëshpërimi, e as vajtimi. Ne duhet të luftojmë kundër sprovave me tërë forcën dhe fuqinë tonë.

“Dhe kundër tyre përgatitni sa të mundeni me forca dhe kuaj për luftë, që me këtë të frikoni armiqtë e Allahut dhe armiqtë tuaj, edhe të tjerët pos tyre – ju nuk i njihni, por Allahu i njeh. Gjithçka që shpenzoni në rrugën e Allahut do t’u kompensohet, nuk do t’u bëhet fare e padrejtë.”[8]

“E sa të Dërguar kanë qenë krahas të cilëve kanë luftuar shumë besimtarë të sinqertë dhe nuk janë ligështuar për shkak të vështirësive që i kanë goditur në rrugën e Allahut, si dhe nuk janë dorëzuar e as janë sprapsur – ndërsa Allahu i do të qëndrueshmit – dhe vetëm deklaronin: Zot ynë, na falë gabimet tona dhe pamaturitë tona në veprimet tona, dhe na forco hapat tanë dhe na ndihmo kundër popullit, i cili nuk beson! Dhe Allahu u dha shpërblim në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do t’u japë shpërblim më të madh se që e kanë merituar – e Allahu i do ata që kryejnë vepra të mira.”[9]

Related Articles

Back to top button