Religjioni

Çelësat e zemrave

Çdo derë ka një çelës. Çelësi për t’i hapur zemrat e njerëzve është njohja e personaliteteve të tyre, zgjidhja e problemeve të tyre, pajtimi midis tyre, përfitimi prej të mirave të tyre dhe ruajtja nga të këqijat e tyre. Ti mund të bëhesh ekspert në të gjitha këto shkathtësi nëse i njeh personalitetet e tyre. Të supozojmë se ka ndodhur një fjalosje në mes të babait dhe birit për shkak të cilit babai e ka urdhëruar birin të dalë nga shtëpia. Biri pastaj u përpoq të kthehej por babai refuzonte me këmbëngulje. Ti pastaj u përfshive në këtë çështje me qëllim të pajtimit të tyre dhe për t’ia kujtuar babait tekstet fetare që kanë të bëjnë me këtë çështje dhe për ta paralajmëruar për rreziqet e prishjes së lidhjeve farefisnore. Megjithatë, ai nuk e pranon këshillën tënde, kështu ti vendos ta përdorësh një qasje tjetër. Ti e di se ai nga natyra është i ndjeshëm dhe për rrjedhim ti shkon dhe i thua: “A s’ke mëshirë për birin tënd? Ai fle në dysheme pa kulm mbi kokë. Ti ha dhe pi derisa ai rri i uritur dhe i etur. A nuk mendon për të sa herë që ta vendosësh kafshatën e bukës në gojë? A nuk mendon se atij i duhet të qëndrojë në nxehtësinë e diellit? A nuk të kujtohet kur ai ishte i vogël dhe ti e puthje dhe e përqafoje? A nuk mendon për një çast se ai ndoshta jeton me lëmoshë derisa babai i tij ende është gjallë?” Ti do ta vëresh se babai do të preket nga këto fjalë dhe do të jetë më afër pajtimit. Nëse ky prind është koprrac, ti mund t’i thuash: “Ke kujdes dhe mos u ngatërro në probleme tjera. Ktheje birin kështu që ta kesh nën mbikëqyrje. Kurrë si dihet, ai ndoshta vjedh ose e lëndon dikë, për shkak të cilës gjykata mund t’ju gjobisë. Tek e fundit ti je babai i tij, kështu ke kujdes!” Nëse flet me djalin dhe ai e do pasurinë, ti mund t’i thuash: “Ti ke nevojë për babanë tënd. Ti ke për t’u martuar. Kush do ta paguaj mehrin (dhuratën e nuses)? Nëse vetura të prishet, kush do të paguaj për rregullimin e saj? Nëse sëmuresh, kush do t’i paguaj faturat e kurimit? Vëllezërit tuaj padyshim se po e shfrytëzojnë situatën, meqë ata po i marrin parat dhe dhuratat derisa t’i mbete pa asgjë. Sigurisht se ti mund ta ndryshosh gjendjen duke e puthur ballin e babait tënd dhe duke i kërkuar falje.” Ngjashëm, nëse thirresh për ta pajtuar një çift bashkëshortor t’i mund të veprosh njësoj dhe t’i hapësh zemrat e tyre ndaj njëri-tjetrit duke përdorur shkathtësi të përshtatshme. Ngjashëm, nëse do të dëshironit ta merrnit një pushim në punë dhe e dini se bosi juaj nuk i jep shumë konsideratë faktorëve emocional ose shoqëror dhe brenga e vetme e tij është puna, ti mund t’i thuash atij: “Kam nevojë për një pushim treditor me qëllim që të përfitoj pak energji dhe vullnet. Ndiej se mbingarkesa në punë ka rezultuar në joefikasitetin tim të përkohshëm. Të lutem më lejo ta pushoj kokën për tri ditë kështu që të kthehem energjik në punë.” Nëse ai është një person që ka konsideratë për faktorët shoqëror dhe i kushton rëndësi çështjeve të familjes, ti mund t’i thuash: “Kam nevojë për një pushim që ta vizitoj babanë ose fëmijët. Jam mallëngjyer për ta meqë nuk i kam parë qe një kohë të gjatë.” Përsosi këto shkathtësi dhe shumë shpejt do t’i dëgjosh njerëzit duke thënë: “S’kemi parë njeri më të shkathët në mbushjen e mendjeve të njerëzve sesa ky.” Rezultati…. Çdo njeri ka një çelës për zemrën e tij dhe njohja e personalitetit të tij të ndihmon ta identifikosh çelësin e duhur për ta hapur zemrën e tij.

Related Articles

Back to top button