Si sillej Muhamedi (a.s) me ata që e kundërshtonin
I Dërguari a.s. ishte gjithmonë i drejtë me jobesimtarët dhe madje ishte i gatshëm që ta sakrifikonte jetën me qëllim të thirrjes së tyre në Islam dhe përmirësimit të çështjeve të tyre. Ai i duronte të këqijat e tyre dhe nuk preokupohej me lëndimet që i shkaktoheshin. Pse të mos e bënte këtë kur Allahu ka thënë: “E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë…” Për kë? Vetëm për besimtarët? Jo, por “…për të gjitha krijesat.” El-Enbija, 107 Mendo për çifutët, të cilët e ofendonin dhe i shkaktonin telashe, kurse ai vazhdonte të ishte i butë me ta. Aishja r.a. ka thënë: “Disa çifutë njëherë kaluan pranë shtëpisë së të Dërguarit a.s. dhe thanë: “Es-saam alejkum (vdekja qoftë mbi ty) dhe i Dërguari a.s. u përgjigj: “Qoftë mbi ju gjithashtu (Ve alejkum)!” Aishja r.a. nuk mund ta duronte këtë, kështu kur e dëgjoi ajo u përgjigj: “Vdekja qoftë mbi ju, gjithashtu, bashkë me mallkimin dhe zemërimin e Allahut!” I Dërguari a.s. i tha: “Qetësohu oj Aishe! Ti duhet të jesh e butë. Nuk duhet të mallkosh ose të jesh e ashpër.” Ajo tha: “A nuk e dëgjove se çfarë thanë?” Ai tha: “A nuk e dëgjove se çfarë thash unë? Unë u luta kundër tyre ndërsa lutja ime do të pranohet, ndërkaq lutja e tyre kundër meje nuk do të pranohet. . Po pra, nuk ka nevojë t’i përgjigjemi ofendimit me një fyerje tjetër. Allahu ka thënë:: “… njerëzve u thuani fjalë të mira…” El-Bekare, 83 Një ditë i Dërguari a.s. doli me shokët në një ekspeditë. Kur po ktheheshin ata u ndalën në një luginë përplot me pemë. Sahabët u shpërndanë nën hijen e pemëve të ndryshme dhe i zuri gjumi. I Dërguari a.s. e vari shpatën në një degë, e shtriu pallton dhe ra në gjumë. Ndërkohë, një pagan i cili po i përcillte muslimanët e vërejti se i Dërguari a.s. nuk e kishte shpatën, kështu ai iu afrua vjedhurazi, e mori shpatën nga dega dhe pastaj bërtiti: “O Muhammed! Kush do t’ju mbroj nga unë tani?” I Dërguari i Allahut u zgjua dhe para vetes e gjeti një njeri me shpatë në dorë, i gatshëm për ta mbytur. I Dërguari a.s. ishte vetëm dhe në trup kishte të veshur vetëm rrobën e poshtme. Shokët e tij ishin shpërndarë dhe kishin fjetur. Burrit iu rrit mendja duke e treguar forcën dhe fuqinë e tij dhe e përsëriste pyetjen: “Kush do t’ju mbroj nga unë tani? Kush do t’ju mbroj nga unë tani?!” I Dërguari a.s. u përgjigj me bindje të plotë: “Allahu”. Burrin e kaploi frika dhe shpata i ra prej dorës. I Dërguari a.s. e mori shpatën dhe i tha: “Kush do t’ju shpëtoj nga unë tani?” Pamja e fytyrës së këtij burri iu ndryshua. Ai u frikësua dhe filloi të kërkonte mëshirë. Ai tha: “Askush nuk do të më mbroj nga ti tani! Të lutem më trajto mirë!” I Dërguari a.s. tha: “A e pranon Islamin?” Ai tha: “Jo, por unë kurrë nuk do të bëhem aleat me askënd kundër teje!” I Dërguari a.s. e fali dhe e trajtoi mirë. Burri ishte lider te populli i vet, kështu ai u kthye dhe i thirri ata në Islam dhe ata të gjithë e pranuan. Porosia e kësaj ngjarje është: “Bëhu i mirë me të tjerët, nëse do t’ua përfitosh zemrat.” Në fakt, edhe me armiqtë e tij të përbetuar ai kishte karakter fisnik, për shkak të cilit ai ua përfitonte zemrat dhe i pastronte nga mosbesimi. Kur i Dërguari a.s. filloi t’i ftonte njerëzit haptas, kurejshit vendosën të jenë më të ashpër kundër tij. Ata diskutonin dhe kërkonin ndonjë metodë për ta ndaluar thirrjen e të Dërguarit a.s., për shkak se njerëzit po e pranonin atë me shpejtësi. Ata thanë: “Gjeni personin më ekspert në magji, fall dhe poezi dhe le të merret me këtë njeri, pasi ai i ka ndarë radhët tona, na ka përçarë dhe na ka ofenduar fenë tonë. Le të bisedoj me të dhe le të shikoj se çfarë thotë.” Ata thanë: “Askush nuk është më i mirë për këtë punë se sa Utbe bin Rebi’a.” Ata i thanë Utbes: “Ti je personi i duhur, o Ebu Velid! Utbe ishte njeri shumë durimtar. Ai tha: “O Kurejsh, a dëshironi që unë të shkoj dhe të flas me të, dhe ndoshta ta bëj t’i pranojë disa oferta?” Ata thanë: “Po, o Ebu Velid.” Utbe u ngrit dhe shkoi tek i Dërguari i Allahut. Ai e gjeti atë të ulur në qetësi. Utbe iu afrua dhe i tha: “O Muhammed! Kush është më i mirë, ti apo Abdullahu?” I Dërguari a.s. nuk foli nga respekti për babanë. Ai tha: ”Kush është më i mirë, ti apo Abdul-Muttalibi?” Ai nuk foli nga respekti për gjyshin e vet. Utbe tha: “Nëse mendon se ata ishin më të mirë se ti, atëherë si i adhuruan ata zotat që ti po i ofendon? Dhe nëse ti mendon se je më i mirë se ta atëherë fol, kështu që ne të dëgjojmë çfarë ke për të thënë.” Para se i Dërguari a.s. të përgjigjej, Utbe vazhdoi i zemëruar: “Pasha Allahun, nuk kemi parë asnjë njeri që na ka sjellë një fatkeqësi më të madhe se sa ti. Ti na ke përçarë, na i ke ndarë radhët, na ke fyer fenë dhe na ke turpëruar, pasi çdokush tani po thotë se kurejshit kanë një magjistar! S’ka mbet asgjë vetëm çasti kur ne do t’i nxjerrim shpatat për ta mbytur njëri-tjetrin.” Utbe po e shfaqte zemërimin e tij derisa i Dërguari a.s. e dëgjonte në heshtje dhe qetësi. Utbe pastaj filloi përpjekjet për të gjetur kompromis me të Dërguarin a.s., kështu ai i tha: “Nëse po e bën këtë për pasuri, atëherë ne do të bëhemi bashkë dhe do të japim pasuri, që asnjë kurejsh nuk e posedon. Nëse të tërheqin ambiciet, ne do t’ju bëjmë kryetarin tonë. Nëse dëshiron mbretëri, ne do t’ua ofrojmë atë me gatishmëri. Nëse je i xhindosur nga shpirti i keq, i cili të ndjek dhe dominon mbi ty, e ti nuk ke mundësi ta largosh, atëherë ne do ta sjellim mjekun më të shkathët që t’ju shëroj. Utbe vazhdoi të fliste me të Dërguarin a.s., në këtë mënyrë të pahijshme, duke u përpjekur të bënte kompromis me të, ndërsa i Dërguari a.s. po e dëgjonte në heshtje. Pasi Utbe kishte bërë ofertat për lidership, pasuri, status dhe madje tretman nga çmenduria, ai ra në heshtje, dhe e priste përgjigjen. I Dërguari a.s. e ngriti shikimin kah ai dhe i tha: “A e mbarove, o Ebu Velid?” Utbe nuk ishte i befasuar me sjelljen e të Dërguarit a.s. dhe thjesht u përgjigj: “Po.” I Dërguari a.s. i tha: “Tani më dëgjo mua.” “Në rregull,” tha – Utbe. I Dërguari a.s. atëherë i lexoi ajetet: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! “Ha, Mim. Zbritje prej Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kur’ani arabisht për një popull që di ta kuptojë. Është përgëzues dhe qortues, por shumica e tyre ia kthyen shpinën, andaj ata nuk e dëgjojnë.” (Fussilet, 1-4) I Dërguari a.s. vazhdoi t’ia lexonte ajetet derisa Utbeja dëgjonte. Papritmas, Utbeja u ul në tokë dhe trupi i dridhej. Ai i vendosi duart prapa tij dhe pushonte në to derisa i dëgjonte ajetet. I Dërguari a.s. vazhdoi të lexonte derisa arriti te ajeti: “Në qoftë se ata nuk përgjigjen, ti thuaj: “Unë tërhoqa vërejtjen e një rrufeje (dënimi), si rrufeja e Adit dhe Themudit!” Utbe u tmerrua kur e dëgjoi këtë paralajmërim dhe kërcënimin për ndëshkim. Ai u hodh në këmbë dhe e vendosi dorën e tij në gojën e të Dërguarit a.s. për të mos e lënë të vazhdonte. Mirëpo, i Dërguari a.s. vazhdoi të lexonte derisa arriti te ajeti për sexhde, pas të cilit ai bëri sexhde. Kur ai e ngriti kokën nga sexhdja, ai e shikoi Utben dhe i tha: “A e dëgjove këtë, o Utbe?” “Po,” – u përgjigj Utbeja. I Dërguari a.s. i tha: “Tani, të takon ty të vendosësh.” Në një rast tjetër, kurejshit vendosën ta dërgonin Husejn bin Mundhir el-Huza’in, babai i shokut të të Dërguarit, Imran ibn Husejnit, për të diskutuar me të Dërguarin a.s. dhe për ta bindur që të ndalej nga misioni i tij. Babai i Imranit e vizitoi të Dërguarin a.s. kur ai ishte i ulur me shokët e tij. Ai i tha fjalët e zakonshme të ankesave që kurejshit i bënin: “Ti na ke përçarë, na i ke ndarë radhët,” – kurse i Dërguari a.s. e dëgjonte me qetësi derisa e mbaroi. I Dërguari a.s. pastaj i tha me mirësjellje: “A e mbarove, o Ebu Imran?” “Po,” – u përgjigj ai. I Dërguari a.s. i tha: “Atëherë përgjigju në pyetjet e mia.” “Në rregull, po dëgjoj” – tha ai. I Dërguari a.s. i tha: “O Ebu Imran, sa zota i adhuron?” Ai u përgjigj: “Shtatë. Gjashtë në tokë dhe një në qiell!” I Dërguari a.s. i tha: “Cilin prej tyre e do dhe i frikësohesh?” Ai tha: “Atë që është në qiell.” I Dërguari a.s. i tha me plotë mirësjellje: “O Husejn, sikur ta pranoje Islamin unë do t’i mësoja dy fjalë prej të cilave do të përfitoje shumë.” Husejni e pranoi Islamin aty dhe tha: “O I Dërguar i Allahut, m’i mëso dy fjalët që më premtove.” I Dërguari a.s. i tha: “O Allah më inspiro me udhëzim dhe më ruaj nga e keqja ime.” Sa e mrekullueshme ishte mënyra e veprimit të të Dërguarit a.s. me njerëzit! Sa ndikim pozitiv kishte karakteri i tij në ta! Ky lloj i sjelljes bën çmos për t’i afruar jomuslimanët te feja islame. Një djalosh njëherë udhëtoi për Gjermani për studime dhe mori me qira një banesë. Një djalosh gjerman jetonte në banesën përballë. Ata nuk kishin ndonjë lidhje mes veti përveç se ishin fqinjë. Njëherë, fqinji gjerman udhëtoi papritmas. Derisa nuk ishte në shtëpi fqinji i tij, gazetat i vinin çdo ditë dhe e liheshin te pragu i derës. Djaloshi e pa se po shtohej numri i gazetave para derës, dhe i pyeti fqinjët tjerë nëse fqinji i tyre kishte udhëtuar. Ai çdo ditë i merrte gazetat dhe i vendoste në një vend të sigurt. Kur fqinji i tij u kthye pas disa muajve, ai e përshëndeti dhe ia dha të gjitha gazetat. Ai tha: “Mendova se ndoshta po e përcillni ndonjë tregim të lajmeve ose po merrje pjesë në ndonjë garë, kështu nuk desha që t’ju ikë ky rast.” Fqinji u befasua me këtë dhe tha: “A dëshiron t’ju paguaj për shërbimin?” Ai tha: “Jo, feja ime na urdhëron të jemi të mirë me fqinjët dhe meqë ju jeni fqinji im, unë duhet të jem i mirë ndaj teje.” Personi e vazhdoi mirësinë e tij ndaj këtij fqinji derisa ai e pranoi Islamin. Kjo, pasha Allahun është gëzimi i vërtetë i jetës, të ndihesh se po e adhuron Allahun me çdo gjë të vogël që e bën, edhe me mirësjelljen tënde ndaj të tjerëve. Sa shpesh ndodh që njerëzit të largohen prej Islamit për shkak të sjelljes së vrazhdë të disa muslimanëve; dikush i bën padrejtësi punëtorit të tij, tjetri e mashtron klientin dhe një tjetër e bezdisë fqinjin? Ta bëjmë një fillim të ri me ta. Një sqarim… Predikuesi më i mirë është ai që së pari predikon me vepra, pastaj me fjalë.