Religjioni

Sot ka qenë dita e fitores në Bedër

Kjo qe e para luftë që e bëri qartë dallimin midis kurejshëve idhujtarë dhe myslimanëve. Shkaku i luftës është sa vijon:

Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) po vigjëlonte për varganin që kaloi për në Sham, kur ai pati dalë në Dhul Ashira. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dërgoi dy burra deri në Haura, që ishte në Sham, për t’i sjellë ndonjë lajm për varganin. Dy burrat vrojtuan të fshehur. Sapo panë varganin e kurejshëve të kalonte, u kthyen në Medine dhe lajmëruan të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) organizoi 313 myslimanë (thuhet edhe 314 ose 317). Nga ata, 82 (thuhet edhe 83 ose 86) veta ishin muhaxhirë, 61 veta ishin prej fisit Eus dhe 170 veta prej fisit Hazrexh. Mirëpo ata nuk ishin pajisur plotësisht me mjetet e nevojshme për luftë. Kishin me vete vetëm dy kalorës dhe 70 deve. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri gati një flamur të bardhë dhe ia dha Mus’ab ibn Umejrit. Për muhaxhirët flamurin e mbante Ali ibn Ebu Talibi, kurse për ensarët e mbante Sa’ad ibn Muadhi. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) la zëvendës në Medine ibn Umu Mektumin. Më pas, në vend të tij dërgoi në Medine Ebu Luhabe ibn Abdul Mundhirin, nga Reuhaja. Doli i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Medinia bashkë me myslimanët për të shkuar në Bedër, që ndodhej 155 kilometra në juglindje të Medines. Bedëri rrethohet nga male të larta në çdo anë. Kishte vetëm tri rrugë kalimi: njëra në jug, Uduetul Kusra, tjetra në veri, Uduetud Dunja; një rrugë tjetër kalimi në verilindje, nga ku vinin njerëzit e Medines. Rruga kryesore e varganeve nga Meka në Sham kalonte brenda këtij vendi të rrethuar me male, të quajtur Bedër. Aty kishte banesa, puse dhe hurma, ku pushonin udhëtarët dhe qëndronin për disa orë ose për disa ditë. Myslimanët e kishin shumë të lehtë që t’i zinin ato rrugëkalime, pasi të kishte hyrë vargani në atë vend të rrethuar me male; kështu armiku do të detyrohej të dorëzohej. Por, ishte e domosdoshme që armiku të mos e merrte vesh aspak që myslimanët kishin dalë për t’i bllokuar atje, pra, vargani i udhëtarëve kurejshë të shkonte në Bedër pa ditur gjë. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk mori menjëherë rrugën e Bedërit. Rruga, që ndoqi ai të nxirrte më pas në drejtim të Bedërit. Vargani i kurejshëve kishte 1000 deve të ngarkuara me mall, që kushtonte jo më pak se 50000 dinarë35. Kryetari i tij ishte Ebu Sufjani; me vete kishte 40 burra. Ebu Sufjani ishte shumë i zgjuar dhe ruhej. Ai pyeste çdo njeri, që vinte ose që shkonte rrugës për lëvizjet e myslimanëve. Kur ishte jo shumë larg Bedërit, Ebu Sufjani mori vesh se myslimanët kishin dalë nga Medinia. Prandaj e ndryshoi drejtimin e varganit për nga perëndimi, që të marshonte anës së bregdetit dhe ta linte krejtësisht rrugën e Bedërit. Ndërkohë, Ebu Sufjani pagoi një burrë që të shkonte sa më parë në Mekë dhe t’i lajmëronte idhujtarët që myslimanët kishin dalë nga Medinia e nuk dihej se çfarë do të bënin. Lajmëtari shkoi në Mekë dhe njoftoi ç’i tha Ebu Sufjani. Idhujtarët u përgatitën me të shpejtë dhe u nisën. Nga paria e tyre mbeti në Mekë vetëm Ebu Lehebi. Idhujtarët kurejshë morën me vete edhe njerëz nga fiset e tjera të Mekës. Mbetën pa ardhur vetëm Benu Adjët. Ushtria idhujtare mbërriti në vendin e quajtur Xhahfe. Ndërkohë, mbërriti edhe letra e Ebu Sufjanit, i cili lajmëronte se kishte shpëtuar me gjithë varganin dhe u kërkonte që të ktheheshin përsëri në Mekë. Por Ebu Xhehli nuk e pranoi një gjë të tillë, nga mburrja dhe mendjemadhësia që kishte. Kështu, nga ajo ushtri u kthye e u nis për në Mekë vetëm fisi Benu Zahra, 300 veta. Ata i urdhëroi për t’u kthyer miku dhe kryetari i tyre, Ahnes ibn Sherik Thekafiu. Të tjerët, 1000 veta vazhduan marshimin e tyre, derisa qëndruan afër Uduetu Kasuasë, jashtë Bedrit, në një fushë të gjerë, prapa maleve që rrethojnë Bedrin. Në rrugë e sipër, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e mori vesh që idhujtarët e Mekës kishin dalë për të luftuar, prandaj u këshillua me myslimanët. U çua Ebu Bekri dhe foli shumë bukur. Pastaj u çua Mikdadi:

“Për Zotin, o i Dërguari i Allahut,- tha ai, ne nuk themi ashtu siç i thanë Benu Israilët Musait (paqja qoftë mbi të!): “… Shko pra ti e Zoti yt dhe luftoni, sepse ne po rrimë këtu.” (5:24) “Ne do të luftojmë djathtas teje dhe majtas teje, para teje dhe prapa teje.” I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u gëzua dhe i ndriçoi fytyra nga këto fjalë.

“Më tregoni o myslimanë, ç’mendim keni?”,- iu drejtua i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). U çua Sa’ad ibn Muadhi, kryetari i ensarëve dhe tha: “Më duket se po na drejtohesh neve o i Dërguari i Allahut. Unë betohem për Zotin që të ka dërguar ty me të drejtë Profet se, sikur të na urdhërosh të hyjmë në det, ne futemi menjëherë të gjithë. Nesër, ne jemi gati t’i bëjmë ballë armikut bashkë. Ne jemi durimtarë në luftë dhe të vendosur e të patundur kundër armikut. Ndoshta, Allahu do të ta tregojë ty trimërinë tonë, që ti të gëzohesh.Prandaj, marsho o i Dërguari i bashkë me ne, drejt të mirave të Allahut! Për Zotin, që të ka dërguar ty Profet, sikur t’i lodhim devetë tona edhe deri në Berkul Gimad36, ne do të vijmë pas teje.” I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u gëzua dhe tha: “Marshoni dhe gëzohuni se Allahu i Madhëruar më ka premtuar fitoren mbi njërin prej dy grupeve37. Për Zotin, më duket sikur po e shikoj që tani vendin, ku do të vriten ata.” Pastaj, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me myslimanët u nisën për në Bedër dhe arritën natën, përnjëherë me idhujtarët. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me forcat myslimane qëndroi brenda Bedërit, afër Uduetud Dunjasë, por Habab ibn Mundhiri i propozoi që të qëndronin tek uji, që ishte më afër armikut. Kështu, myslimanët do të merrnin ujë për vete dhe njëheraz, do të shteronin puset ekzistuese dhe armiku do të ngelte pa ujë. Këtë mendim e pëlqeu i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ashtu u veprua. Myslimanët ndërtuan një tendë, e cila do të ishte selia e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i caktuan roje disa djem nga Ensarët, nën udhëheqjen e Sa’ad ibn Muadhit. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mobilizoi ushtrinë dhe përcaktoi fushën e betejës. Herë-herë bënte shenjë me dorë dhe thoshte:

“Këtu do të vritet aksh armik dhe atje do të vritet filani nesër, në dashtë Allahu.” Si u bë natë, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkoi dhe fali namaz gjatë te trungu i prerë i një peme. Edhe myslimanët pushuan atë natë, duke pasur besim në fitoren. Allahu i Madhëruar zbriti shiun, siç thuhet në Kuran:

“Dhe kur Ai (Allahu) ju kaploi me një kotje (gjumë), që ishte siguri nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar, largoi prej jush ndyrësirën e Shejtanit, që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe që t’ju forcojë këmbët tuaja.”(8:11)

Në mëngjesin e ditës së Xhuma, më 17 të muajit të Ramazanit, në vitin e dytë të Hixhretit, të dyja ushtritë ishin përballë njëra-tjetrës. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri këtë lutje:

“O Allah! Ata janë Kurejshët idhujtarë që kanë ardhur këtu me kuajt e tyre dhe me mburrjen e tyre, për të të sfiduar Ty dhe për të përgënjeshtruar të Dërguarin Tënd. O Allah! Më jep ndihmën, që më ke premtuar! O Allah! Thyeji e mposhti idhujtarët sa më shpejt!”

Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtoi rreshtat e ushtrisë myslimane dhe i urdhëroi që të mos e fillonin luftën, derisa t’u vinte urdheri prej tij.

“Kur t’u afrohen juve,- tha, i godisni me shigjeta, por mbani rezervë ca nga shigjetat tuaja dhe mos i kapni shpatat, derisa ata t’ju vërsulen ju.”

Pastaj, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye tek tenda e tij bashkë me Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe iu lut Allahut shumë për fitoren me këto fjalë:

“O Allahu im! Nëse sot Ti do t’i zhdukësh myslimanët, nuk do të adhurohesh kurrë më. O Allahu im! Në qoftë se Ti do, nuk adhurohesh pas kësaj dite kurrë më.”

Aq gjatë e vazhdoi lutjen, sa i ra mëngorja nga supet. Ebu Bekri ia vuri atë përsëri dhe i tha:

“Të mjafton kjo lutje ty, o i Dërguari i Allahut, sepse me të vërtetë, i je lutur dhe i ke kërkuar shumë.”

Idhujtarët komandoheshin nga Ebu Xhehli. Ai e filloi lutjen e vet kështu:

“O Allahu im! Ata na kanë ndarë nga farefisi, na kanë sjellë një fe, që ne nuk e njohim. Prandaj mposhti sa më parë, o Allahu im! Cili nga ne të jetë më i dashur tek Ti dhe më i pëlqyer pranë Teje, ndihmoje sot!”

Dueli dhe beteja Në fushën e betejës dolën tre veta nga kalorësit më të mirë të idhujtarëve: Utbeu, Shejbeu (dy djemtë e Rabias) dhe Uelid ibn Utbe. Dolën për të bërë duel me myslimanët. Nga myslimanët dolën tre djem nga ensarët. Mirëpo idhujtarët thanë:

“Ne duam të bëjmë duel me bijtë e xhaxhait tonë.”

Atëherë dolën: Ubejde ibn Harithi, Hamzai dhe Aliu. Filloi dueli. Hamzai vrau Shejbenë; Aliu vrau Uelidin. U këmbyen goditjet midis Ubejdes dhe ibn Utbes. Të dy ranë në tokë. Aliu dhe Hamzai iu vërsulën përsëri ibn Utbes dhe e vranë. Ubejden e morën, ashtu me këmbë të këputur. Pas katër a pesë orësh ai vdiq në Safra dhe e kthyen për në Medine. Idhujtarët u hidhëruan shumë nga përfundimi i duelit dhe të tërbuar sulmuan rreshtat e myslimanëve si një trup i vetëm. Myslimanët qëndronin në pozicionet e tyre, duke mbrojtur veten dhe duke thënë “Ehad, Ehad.” (Një, Një). Për një çast i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kot pak, pastaj ngriti kokën dhe tha:

“Gëzohu o Ebu Bekër, se të erdhi ndihma e Allahut. Këtu është meleku Xhebrail, i cili ka marrë kalin e vet për freri dhe po e tërheq, duke ngritur pluhur.”

Pastaj, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli i veshur me një këmishë hekuri dhe këndoi ajetin:

“(Kurejshët idhujtarë) do të pësojnë disfatë dhe do të kthehen mbrapsht.” (54:45)

Mori një dorë guriçka dhe ua hodhi idhujtarëve drejt e në fytyrë nga larg, duke thënë:

“U nxifshin fytyrat e idhujtarëve!”

Dhe, për çudi secilit prej tyre i ra diçka nga ato guriçka në sy dhe në hundë. Për këtë Allahu ka thënë:

“…(Në të vërtetë) ti nuk i gjuajte, por Allahu i gjuajti…” (8:17)

I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi myslimanët të hidheshin në sulm kundër idhujtarëve. Atëherë, myslimanët sulmuan me tërë vrullin, sepse e kishin të Dërguarin e Allahut ( paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në rresht të parë përballë armikut. I çanë rreshtat e armikut dhe ua prenë kokat shumë idhujtarëve. Ata kishin edhe ndihmën e melekëve, të cilët i godisnin idhujtarët në çdo anë. I këputej koka ose këmba njeriut dhe nuk dihej se kush e godiste. Kështu vazhdoi beteja, derisa idhujtarët u thyen. Disa idhujtarë u vranë, të tjerët morën arratinë; të tjerë u zunë rob. Në atë betejë kishte vajtur edhe djalli, në pamjen e Suraka ibn Malik ibn Xhu’shumit, për të fuqizuar idhujtarët dhe për t’i nxitur ata në luftë kundër myslimanëve. Por, sa shikoi melekët, djalli u kthye mbrapsht, iku në drejtim të Detit të Kuq dhe hyri në det. Vrasja e Ebu Xhehlit Ebu Xhehli ishte midis një grupi idhujtarësh, që e mbronin me shpatat e tyre si gardh. Ndërsa në rreshtat e myslimanëve, pranë Abdurr Rrahman ibn Aufit, ishin dy djem nga ensarët, që kërkonin diçka. Njëri prej tyre i tha Abdu Rrahmanit fshehurazi nga shoku i tij:

“O Xhaxha! Ma trego Ebu Xhehlin!” Abdu Rrahmani e pyeti: “Pse? Cfarë do të bësh me të?” “Kam marrë vesh,- iu përgjigj ai, se ai ka sharë të Dërguarin e Allahut. Për Zotin, që ka shpirtin tim në dorë, po ta shikoj, nuk do ta lë pa e vrarë.”

Edhe djali tjetër i tha Abdu Rrahmanit të njëjtën gjë. Kur u ballafaquan të dy palët, Abdu Rrahmani e pa Ebu Xhehlin duke shëtitur midis rreshtave të idhujtarëve dhe ua tregoi dy djemve. Atëherë, që të dy iu vërsulën Ebu Xhehlit me shpatë dhe e goditën. Njëri e goditi në kërci të këmbës dhe atij i fluturoi këmba, ashtu siç fluturon bërthama e ullirit, kur shtypet. Tjetri e shtriu përtokë dhe e la në frymën e fundit. Pastaj të dy djemtë shkuan tek i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thanë:

“Shikoji shpata tona.” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u tha: “Ju, të dy e keni vrarë atë.”

Ishin Muadhi dhe Meudhi, bijtë e Afrait. Meudhi ra dëshmor në të njëjtën luftë, kurse Muadhi jetoi deri në kohën e Khalifit Othman (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha Muadhit pasurinë e Ebu Xhehlit. Pasi mbaroi beteja, njerëzit dolën për të kërkuar Ebu Xhehlin. Abdullah ibn Mes’udi e gjeti atë me shpirt ndër dhëmbë. I vuri këmbën në qafë dhe e kapi për mjekre, që t’ia priste kokën.

– A të poshtëroi Allahu ty, o armiku i Allahut?,- i tha. Ebu Xhehli: – Me çfarë më poshtëroi Allahu mua? A keni vrarë njeri më të madh se unë? Sikur të mos më kishte vrarë një bari delesh! Kush po e fiton luftën sot? Abdullah ibn Mes’udi: – Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ebu Xhehli: – I je ngjitur një të përpjete të vështirë, o bari i vogël delesh. –

Atëherë, Abdullahu ia preu kokën dhe vajti tek i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha:

“Allahu Ekber. (Allahu është më i Madhi). Falenderimi i takon Allahut që e vërtetësoi premtimin e Vet, e ndihmoi robin e Vet dhe i theu armiqtë.”

Pastaj shtoi: “Ky (Ebu Xhehli) ishte faraoni i kësaj bashkësie.

” Dita e Dallimit të së mirës nga e keqja (Furkanit) Eshtë dita, kur u zhvillua lufta e Bedërit, më 17 të muajit të Ramazanit. Beteja bëhej midis femohuesve dhe besimtarëve. Aty, njeriu luftonte kundër xhaxhait të vet, dajës së vet, djalit të vet, vëllait të vet. Në atë betejë Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vrau dajën e vet, As ibn Hashimin dhe Ebu Bekri u ndesh me djalin e vet, Abdurr Rrahmanin. Myslimanët zunë rob Abasin, xhaxhanë e të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kështu, u ndërpre lidhja farefisnore midis njerëzve dhe Allahu e lartësoi fjalën e besimit mbi fjalën e mohimit dhe e dalloi të vërtetën nga e shtrembra. Prandaj, ajo ditë u quajt “Dita e Dallimit”.

Të vrarët Në atë Betejë u vranë 14 burra nga myslimanët: gjashtë nga muhaxhirët dhe tetë nga ensarët. Ata u varrosën në fushën e Bedërit dhe varret e tyre njihen edhe sot. Nga idhujtarët u vranë 70 veta dhe 70 të tjerë u zunë rob. Shumica e tyre ishin nga paria e kurejshëve. Nga ata, 24 kufoma u tërhoqën dhe u hodhën në një pus të pistë në Bedër. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në Bedër tri ditë dhe kur u përgatit që të kthehej që andej, vajti te pusi, qëndroi në cep të tij dhe i thirri të vrarët idhujtarë me emrat e tyre dhe të baballarëve të tyre:

“O filan, bir i filanit! O filan, bir i filanit! A do t’ju pëlqente (tani) që t’i ishit bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Ne vërtet, e gjetëm ndihmën që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët ndihmën, që ju kishte premtuar zoti juaj?” Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha: “O i Dërguari i Allahut! A po u flet trupave pa shpirt?” “Ju nuk dëgjoni më mirë se ata,- iu përgjigj Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por vetëm se ata nuk përgjigjen.”

Lajmi i Betejës në Mekë dhe në Medine Lajmi i thyerjes së idhujtarëve arriti në Mekë. Ata i theu dhe i poshtëroi Allahu. Me qëllim që të mos u bëhej qejfi mylimanëve, idhujtarët e ndaluan vajtimin për të vrarët e tyre. Esued ibn Mutalibit i ishin vrarë tre djem në Bedër, prandaj ai donte të vajtonte me zë për ta. Natën dëgjoi zërin e një gruaje që po vajtonte dhe mendoi se ishte dhënë leja për të vajtuar të vrarët. Prandaj, dërgoi djalin e vet për të hetuar. I biri shkoi atje dhe mori vesh që gruaja po vajtonte për devenë e vet, që i kishte humbur. Atëherë ai nuk e përmbajti veten dhe thuri…: Po qan për një deve të humbur?! Gjumin pagjumësia ka mundur. Jo, ajo nuk po qan për devenë, Qan për Bedërin; të pafat qemë. Në Medine, njerëzit morën vesh për betejën nga dy lajmëtarë të dërguar nga Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Abdullah ibn Reuahai dhe Zejd ibn Harithe. I pari njoftoi pjesën e sipërme të Medines, i dyti pjesën e poshtme të saj. Jehudinjtë kishin përhapur fjalë të gënjeshtërta në Medine. Por, kur shkoi atje lajmi i fitores, u gëzuan tërë myslimanët dhe u tund Medinia nga brohoria e njerëzve: La i lahe il-lallah (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi). Krerët e myslimanëve, dolën përpara në rrugët e Bedërit dhe uruan të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për fitoren. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Medine I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye në Medine me ndihmën e Allahut, me plaçkë lufte dhe robër. Kur arriti afër Safrasë, Allahu i zbriti ajetin, që tregon urdhrin e ndarjes së plaçkës së luftës. Prandaj, ai mori një të pestën e plaçkës së luftës. Pjesën tjetër e ndau në mënyrë të barabërtë midis luftëtarëve. Më pas urdhëroi që të vritej Nadir ibn Harithi. Ali ibn Ebu Talibi ia preu kokën. Kur Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) arriti në Araki Dhubaja, urdhëroi që të vritej Ukbe ibn Ebu Muiti, të cilin e vrau Asim ibn Thabit el Ensariu (thuhet edhe se e ka vrarë Ali ibn Ebu Talibi). Krerët e myslimanëve që kishin dalë për të uruar, e takuan të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Rauhar. Pastaj e shoqëruan atë deri në Medine. Shumë njerëz u bënë myslimanë. Madje edhe Abdullah ibn Ubeji (kryetari i dyfytyrakëve) dhe shokët e tij u shfaqën sikur u bënë myslimanë.

Related Articles

Back to top button