Religjioni

Tregoju atyre se ua do më të mirën në jetë

Sa herë që zemra jote mbushet me dashuri dhe sinqeritet ndaj të tjerëve, ti në mënyrë të natyrshme bëhesh serioz në shkathtësitë tua gjatë ndërveprimeve me ta; njerëzit fillojnë ta ndiejnë këtë dashuri për ta dhe si rezultat ata gjithashtu fillojnë ta shtojnë dashurinë e tyre dhe pranimin tënd.
Klinika private e një doktoreshe gjithnjë ishte plot pacientë. Pacientët gjithmonë dëshironin ta vizitonin atë, dhe secili prej tyre mendonte se ajo ishte mikesha e tyre personale. Kjo doktoreshë përdorte shkathtësi të llojllojshme që i magjepsnin zemrat e njerëzve.
Prej këtyre shkathtësive ishte se ajo u pajtua me sekretaren e saj se nëse ndonjë pacientë i telefononte për ta pyetur lidhur me ndonjë sëmundje, sekretarja e mirëpriste, e pyeste për emrin, pastaj me mirësjellje i kërkonte që ta telefononte pas pesë minutave.
Sekretarja pastaj e hapte librin e regjistrit dhe ia dorëzonte doktoreshës. Doktoresha i lexonte të gjitha informatat për pacienten, i shikonte shënimet lidhur me të, njihej me këto informata, me profesionin, bile edhe me emrat e fëmijëve të saj. Pastaj, kur pacientja thërriste prapë, ajo i mirëpriste dhe e pyeste për sëmundjen, për fëmijët dhe për punën, etj. Pacientja ndihej se kjo doktoreshë e pëlqente aq shumë sa që i mbante në mend edhe emrat e fëmijëve si dhe sëmundjen prej të cilës po vuante. Doktoresha nuk harronte as për vendin ku pacientja punonte! S’është çudi që kjo paciente e vizitonte këtë doktoreshë sa herë që kishte nevojë për këshillë mjekësore. Shikoje se sa lehtë është t’i përfitosh zemrat.
S’ka asgjë të keqe nëse e shpreh dashurinë për të tjerët haptas, qoftë ndaj babait, nënës, bashkëshortes, fëmijës, kolegut ose fqinjit. Mos i fsheh ndjenjat ndaj të tjerëve. Shpalle dashurinë tënde ndaj tyre duke u thënë: “Të dua, ti je i çmuar për mua,” etj. Edhe nëse ky person është gjynahqar, ti mund t’i thuash: “Ti je më i dashur për mua sesa shumë të tjerë!” Me këtë ti nuk ke gënjyer sepse ai është më i dashur te ti sesa miliona jomuslimanë, a nuk është ashtu? Bëhu i gjindshëm!
Më kujtohet njëherë kur shkova për ta kryer Umren. Isha në mes të kryerjes së tavafit dhe saj’it, lutesha për muslimanët në përgjithësi, që ata të mbroheshin dhe t’u jepej fitore dhe pushtet. Gjithashtu e bëra edhe një lutje si kjo: “O Allah më fal mua, të dashurit dhe shokët e mi.” Pasi e kreva Umren, e falënderova Allahun për lehtësimin e saj për mua.
Pastaj e mora një dhomë me qira në një hotel për ta kaluar natën aty. Posa e vendosa kokën në jastëk fillova ta shkruaja një mesazh në telefon: “Vetëm sa e mbarova Umren ku i kujtova të dashurit e mi. Meqë ti je njëri prej tyre, nuk të harrova në du’atë e mia. Allahu të ruajt dhe t’i dhashtë të gjitha të mirat.” Fundi i mesazhit.
Ua dërgova këtë të gjithë personave që i kisha të regjistruar në telefon. S’mund ta imagjinoja efektin mahnitës që kjo e kishte në ta. Dikush u përgjigj duke thënë: “Pasha Allahun, qava kur e lexova mesazhin tënd. Faleminderit që më kujtove në lutjet tuaja.” Tjetri shkroi: “Për Allahun, i dashur Ebu Abdurrahman nuk po di se me çka të përgjigjem. Allahu ju shpërbleftë me të mira.” Një tjetër u përgjigj: “E lus Allahun t’i pranojë du’atë tua. Pasha Allahun, kurrë nuk do t’ju harroj.”
Në realitet ne kemi nevojë nganjëherë t’ua kujtojmë njerëzve se i duam, dhe problemet e panumërta në botë nuk na kanë bërë t’i harrojmë. Kjo mund të bëhet me diçka të thjeshtë si dërgimi i mesazheve. Ti mund t’ia dërgosh një mesazh të dashurve tu ku u shkruan: “Jam lutur për ju në mes të ezanit dhe ikametit.” Ose “jam lutur për ju në orën e fundit të ditës së premte.” Nëse qëllimi juaj është i pastër, atëherë kjo nuk nënkupton se ti po bën dyfaqësi. Kjo vetëm do të rezultojë në dashuri dhe respekt më të madh në mes të muslimanëve.
Më kujtohet njëherë kur po e mbaja një ligjëratë në një kamp veror në Ta’if, në malin Shafa, i cili është vend pikniku për shumë të rinj. Shumica e pjesëmarrësve në kamp ishin të rinj, të cilët dukeshin shumë të devotshëm. Disa të rinj të tjerë po ashtu kishin ardhur në vendin e piknikut dhe kishin filluar të argëtoheshin me ilahi. Kur ligjërata mbaroi një grup i të rinjve erdhën për të më përshëndetur. Në mesin e tyre ishte një i ri me frizurë të çuditshme dhe kishte veshur xhinse të ngushta. Ai erdhi tek unë, i tundëm duart dhe më dha selam. Unë ia ktheva përshëndetjen ngrohtësisht dhe e falënderova për pjesëmarrjen. E tunda dorën me të dhe i thash: “Ti e ke fytyrën e thirrësit.” Ai buzëqeshi dhe u largua. Pas dy jave, u befasova nga një thirrje telefonike. Folësi tha: “A nuk më njeh? Unë jam ai që më ke thënë se e kam fytyrën e thirrësit. Pasha Allahun, do të bëhem thirrës nëse dëshiron Allahu.” Ai pastaj u bë i lirë me mua dhe foli për ndjenjat e tij të brendshme.
A e sheh se si njerëzit ndikohen nga fjalët e mira dhe dashuria e sinqertë?
Sa i përket të Dërguarit a.s., ai ua magjepste zemrat e njerëzve thjesht me hijeshinë e sjelljes së tij dhe me aftësinë e tij për t’ua demonstruar dashurinë e vërtetë të tij për ta. Ebu Bekri dhe Omeri ishin sahabët më të mirë. Ata shumicën e rasteve bënin gara me njëri-tjetrin në veprat të mira. Ebu Bekri gjithherë ia kalonte Omerit. Nëse Omeri vinte herët në namaz, ai e gjente Ebu Bekrin në xhami. Nëse Omeri e ushqente një të varfër ai e zbulonte se Ebu Bekri e kishte bërë këtë para tij. Nëse ai falte namaz të natës, ai e shihte se Ebu Bekri kishte bërë më shumë namaz të natës sesa ai.
Njëherë i Dërguari a.s. i urdhëroi njerëzit të japin sadaka, me qëllim që t’i lehtësojnë vështirësitë e muslimanëve. Omeri ishte shumë i pasur dhe vendosi që sot t’ia kalonte Ebu Bekrit duke e dhënë gjysmën e pasurisë. Omeri shkoi tek i Dërguari a.s. me gjysmën e pasurisë së tij. Çfarë e pyeti i Dërguari a.s. Omerin kur e pa me pasurinë e tij? A e pyeti sa kushtonte? A e pyeti për llojin e arit dhe argjendit?
Jo. Kur ai e pa pasurinë që e kishte sjellë Omeri, ai tha fjalë që jepnin të kuptohej se i Dërguari i Allahut e donte Omerin. Ai i tha Omerit: “Çka i ke lënë familjes tënde, o Omer?”
Omeri tha: “O i Dërguar i Allahut, ua kam lënë gjysmën tjetër të pasurisë.” Omeri pastaj u ul pranë të Dërguarit a.s. duke pritur me entuziazëm Ebu Bekrin. Pastaj erdhi Ebu Bekri me plot pasuri, dhe ia dha të Dërguarit a.s. derisa Omeri po e përcillte atë që po ndodhte dhe bisedën që po zhvillohej. I Dërguari a.s. para se ta shikonte këtë pasuri e pyeti Ebu Bekrin: “Çka i ke lënë familjes tënde, o Ebu Bekr?”
Ai e donte Ebu Bekrin dhe familjen e tij dhe nuk dëshironte që ata të vuanin nga ndonjë vështirësi. Ebu Bekri u përgjigj: “O i Dërguar i Allahut, atyre ua kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”
Ai kishte ardhur me tërë pasurinë e tij. Jo gjysmën, ose një çerek, por me tërë pasurinë! Omeri nuk kishte zgjedhje pos të thoshte: “Kjo nuk është çudi. Kurrë nuk do të mund t’ia kaloj Ebu Bekrit!”
Njerëzit e donin të Dërguarin a.s. shumë, pasi ata e ndienin dashurinë e tij për ta. I Dërguari a.s. njëherë u fal me ta dhe e fali namazin me sure të shkurta. Pas namazit i Dërguari a.s. e vërejti se shokët e tij ishin befasuar. Prandaj ai tha: “Ndoshta jeni befasuar sa shkurt e kam falur namazin?
Ata u përgjigjen: “Po.”
Ai sqaroi: “E dëgjova të qarit e një fëmije dhe ndjeva mëshirë për nënën e tij.”
A e vërejte se si i donte të tjerët? Dashuria e tij për njerëzit paraqitej në trajtimin e tij ndaj tyre.

Ti nuk je vetëm
Shfaqi emocionet tua. Bëhu i çiltër: “Të dua. Pata kënaqësinë që ju takova. Ti je i çmueshëm për mua.”

Related Articles

Back to top button