Religjioni

Mëso të sillesh si njeri me të gjithë!Mëso të jesh humanist

Në historinë që do të rrëfejmë më poshtë, të gjithë personazhet e saj, me gjithë dallimet, shquhen për humanizëm të madh. Unë e kam zgjedhur këtë histori, pasi personazhet e saj, edhe pse janë në konflikt me njëri-tjetrin, demonstrojnë humanizëm dhe njerëzillëk.

Ebul As ibnu Rebia është burri i vajzës së profetit Muhamed (a.s.). Hadixheja ishte tezja e tij dhe ishte ajo që i propozoi për t’u martuar me Zejneben. Kjo martesë u realizua para se Profetit (a.s.) t’i besohej misioni i profetit (a.s.). Me t’u bërë profet, vajza e tij Zejnebeja besoi në fenë islame, ndërkohë që i shoqi refuzoi. Megjithatë, ata jetonin bashkë dhe duheshin shumë.

Ajo e duroi të shoqin për njëzet vite me radhë, ngaqë martesa e një myslimaneje me një jomysliman akoma nuk ishte ndaluar. Ajo vazhdoi si myslimane dhe i shoqi vazhdoi jetën e tij si jomysliman.

Dy djemtë e Ebu Lehebit, ishin fejuar me dy vajza të Profetit (a.s.). Duke qenë se Ebu Lehebi i kishte shpallur armiqësi Profetit (a.s.), u kërkoi djemve t’i divorconin dy vajzat e Profetit (a.s.), si formë presioni dhe lëndimi dhe ashtu ndodhi. Ebu Lehebi nuk u mjaftua me kaq, por vajti dhe tek Ebul As ibnu Rebia dhe i kërkoi edhe atij ta divorconte Zejneben, meqë ishte vajza e Profetit (a.s.), duke i premtuar një grua tjetër më të mirë. Por ai ia ktheu: “Jo. Unë dhe ajo duhemi shumë dhe shkojmë mirë. Ajo është vajza e tezes time dhe Muhamedi nuk është sjellë keq me mua, edhe pse nuk jam në fenë e tij.”

Profeti (a.s.) dhe myslimanët migruan për në Medinë, ndërkohë që Zejnebeja qëndroi në Mekë me bashkëshortin e saj dhe fëmijët, deri kur ndodhi beteja e Bedrit.

Ebul As ibnu Rebia morri pjesë në betejën e Bedrit, luftoi kundër myslimanëve dhe vetë vjehrrit të tij. Në fund, beteja fitohet nga myslimanët dhe Ebul As ibnu Rebia u kap rob prej tyre.

Të gjitha familjet e robërve të tjerë, dërguan të hollat e mjaftueshme për të liruar të afërmit e tyre. Zejnebeja, duke qenë se nuk i posedonte të hollat e mjaftueshme, hoqi varësen e qafës, të cilën ia kishte dhuruar nëna, Hadixheja dhe e dërgoi me kunatin e saj Amr ibnu Rebia.

Kur i erdhi varësja e mbështjellë me një pëlhurë, ai pyeti: “Për cilin rob është kjo?”

Të pranishmit i thanë: “Është për Ebul As ibnu Rebia.”

Me ta hapur, Profetit (a.s.) filluan t’i rridhnin lot. Me lot në sy ai tha: “Kjo është varësja e Hadixhes!” Më pas, Profeti (a.s.) qëndroi në mes të myslimanëve dhe u tha: “Kush e ka zënë rob Ebul As ibnu Rebian?” Një nga banorët e Medinës u ngrit dhe tha: “Unë, o i dërguari i Allahut” Profeti (a.s.) i tha: “A pranon që t’ia falësh lirinë dhe njëkohësisht, t’ia kthejmë varësen e të kthehet në Mekë? Kjo, pasi Hadixheja gëzon një status të veçantë tek unë.” Humanizmi fillon me familjen tënde.

Banori i Medinës u përgjigj:’Po, o i dërguari i Allahut.”

Profeti (a.s.) ia zgjati Ebul Asit varësen dhe i tha: “O biri i vëllait tim! Merre varësen, kthehu dhe i thuaj Zejnebes ta respektojë më shumë varësen e Hadixhes.”

Më pas, i tha: “O Ebul As! A mundem të të them diçka mënjanë?” Pasi ai pranoi, Profeti (a.s.) i tha: “O Ebul As! Zoti më ka urdhëruar që çdo myslimane e martuar me një jomysliman duhet të divorcohet. Prandaj a pranon të ma kthesh vajzën time?”

Ebul As ibnu Rebia i tha: “Po.”

Edhe pse e kishte të mundur, Profeti (a.s.) nuk ia kushtëzoi faljen e lirisë me divorcin me Zejneben. Vallë ku jemi ne myslimanët në krahasim me humanizmin e Profetit tonë?

Kur Zejnebeja dëgjoi se i shoqi po kthehej nga Medina, doli dhe e priti jashtë Mekës. Me t’u takuar me të, Ebul Asi i tha: “Përgatitu se duhet të nisesh për rrugë! Unë i kam premtuar Muhamedit se do të të kthej tek ai.”

Lajmi se Ebul As e ka lejuar Zejneben të shkojë te Muhamedi (a.s.), filloi të përhapej në Mekë. Këtu, do të shohim një qëndrim tjetër humanist, i cili mua personalisht më ka lënë pa fjalë. Këtë hadith e tregon vetë Zejnebeja dhe ai transmetohet nga imam Ahmedi dhe gjendet në koleksionin e imam Muslimit. Tregon Zejnebja: “Tek unë erdhi Hind bintu Utbe – gruaja e cila paguan Vahshin për të vrarë Hamzanë – dhe më tha: “O Zejnebe! Unë e di që do të kthehesh tek babai yt! Bota emocionale e grave nuk është si ajo e burrave, prandaj nëse ke nevojë për para ose diçka tjetër, më thuaj të të jap.”

Tregon Zejnebja: “Në sytë e saj dallova sinqeritet, megjithatë u frikësova t’i them se dua të largohem për në Medinë.”

Zejneben e shoqëroi për në Medinë, vëllai i burrit të saj, Kinane ibnu Rebia. Kurejshët i zunë rrugën dhe refuzuan t’i lejonin të niseshin për në Medinë. Kinane ibnu Rebia bëri gati harkun dhe u kërkoi të mos afroheshin, përndryshe do t’i qëllonte. Ebu Sufjani, e tërhoqi mënjanë dhe i tha: “Këta njerëz janë të nevrikosur dhe gjaknxehtë pas asaj që u ndodhi në Bedr. Nëse ajo largohet kështu haptazi, ata do të ndihen të fyer. Prit pak sa të ulen gjakrat. Me t’i zënë gjumi njerëzit, merre dhe dërgoje te babai i saj në Medinë. Për Zotin nuk dua ta privoj asnjë fëmijë nga prindi.”

Sjelljet humane dhe pro-sociale ta zbusin zemrën. Më vonë, Ebu Sufjani pranon Islamin.

Kështu, Zejnebeja morri dy fëmijët e saj dhe u nis për në Medinë. Kur mbërritën në Medinë, Profeti (a.s.) u gëzua shumë dhe tha: “Ebul As ibnu Rebia e mbajti fjalën me ne.”

Pas gjashtë vitesh ndarjeje, Ebul Asi niset me një karvan nga Meka për në Sham. Gjatë rrugës, karvani i tij sulmohet nga një grup të rinjsh myslimanë, të cilët kërkonin të merrnin pasuritë që kurejshët u kishin rrëmbyer dhe plaçkitur myslimanëve në Mekë. Ebul Asi arriti t’u shpëtonte këtyre të rinjve dhe u arratis. Myslimanët iu vunë pas, por nuk e arritën dot pasi ai u fsheh në Medinë. Fjalët që Ebul As ishte fshehur në Medinë filluan të përhapeshin dhe të gjithë u vunë në kërkim të tij. Ku mund të fshihej në Medinë Ebul As ibnu Rebia? E ku tjetër përveçse në shtëpinë e ish-gruas së tij të dashur?

Ebul As ibnu Rebia vajti te shtëpia e ish-gruas së tij dhe trokiti në derë. Kjo ndodhte pak para ezanit të sabahut. Kur Zejnebeja hapi derën, mbeti e shtangur kur pa të shoqin e saj në këmbë. Ebul Asi i tha: “Më merr në mbrojtje dhe me fshih diku. Myslimanët kanë marrë karvanin e kurejshëve dhe nuk di çfarë t’ju them.”

Edhe pse besonte në një fe tjetër, ishte armik i Profetit (a.s.) dhe ishte i përndjekur, humanizmi i Zejnebes nuk e tradhtoi, por i tha: “Hyr brenda o Ebul As, ti do jesh në mbrojtjen time.”

Ajo e la në gjumë, kurse vetë doli jashtë duke pritur të thirrej ezani i mëngjesit. Pasi u thirr ezani, ajo vajti në xhami të falej bashkë me gratë tjera. Kur Profeti (a.s.) u ngrit dhe thirri Allahu Ekber, për të falur farzin, ndërkohë që ai lutej, Zejnebeja thërret me zë të lartë nga faltorja e grave: “O njerëz! Ebul As ibnu Rebia është në mbrojtjen dhe besën time!”

Ajo zgjodhi këtë kohë, me qëllim që njerëzit të mos e kundërshtonin, pasi ishin në namaz. Derisa të përfundonin faljen, do të ishin qetësuar dhe do të logjikonin më drejt.

Pasi përfundoi namazin, Profeti (a.s.) u kthye nga myslimanët dhe u tha: “A e dëgjuat atë që dëgjova unë?”

Njerëzit u përgjigjën: “Po, o i dërguari i Zotit.”

Profeti (a.s.) u tha: “Për Zotin unë nuk di se ç’po ndodh. Por myslimanët kanë të drejtë ta marrin në mbrojtje një njeri në hall.”

Më pas, Profeti (a.s.) u takua me Zejneben dhe i tha: “O Zejnebe! Nderoje, pasi është  babai i fëmijëve të tu! Por mos prano të të prekë, pasi nuk të lejohet!”

Mandej, Profeti (a.s.) iu drejtua myslimanëve që i kishin marrë peng karvanin dhe u tha: “Unë u kërkoj që brenda mundësive, t’i kthehet pasuria dhe të lejohet të kthehet në shtëpinë e tij. Por nëse refuzoni, kjo është e drejta juaj, për të cilën nuk ju fajësoj.”

Myslimanët iu përgjigjën: “Ashtu do të veprojmë, o i dërguari i Allahut.”

Menjëherë filluan të mblidhen të gjithë mallrat e karvanit një e nga një, derisa i sollën edhe gjërat më të vogla.

Ebul Asi e mori të gjithë pasurinë që myslimanët ia kishin marrë gjatë sulmit të karvanit dhe u kthye në Mekë. Me të arritur atje, mblodhi të gjithë ata që i kishin dhënë pasuri për të bërë tregti dhe u tha: “O njerëz! Këto janë pasuritë tuaja! A doni gjë tjetër?”

Ata iu përgjigjën: “Jo. Ti e ke mbajtur fjalën e dhënë.”

Atëherë Ebul Asi u tha: “Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut fuqiplotë dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Tashmë vendi im nuk është këtu, por është në Medinë.”

Pas kësaj ndodhie ai u nis menjëherë për në Medinë, ku arriti në mëngjes herët. Pas namazit të sabahut, xhamia pushtohej nga një heshtje pasi të gjithë myslimanët përmendnin Zotin. Në çastin që Profeti (a.s.) dha selam dhe të gjithë filluan të përkujtonin Zotin në heshtje, u dëgjua një zë nga fundi i xhamisë që thoshte: “O i dërguari i Zotit! Dje më more në mbrojtje, kurse sot kam ardhur të të them që nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je i dërguari i Tij.”

E gjithë xhamia oshtiu nga thirrjet: “Allahu Ekber (Zoti është më i madhi)!”

Më pas, Ebul As ibnu Rebia i tha Profetit (a.s.): “O i dërguari i Zotit! A më lejon të kthehem tek Zejnebeja?!”

Profeti (a.s.) e kapi për supi dhe i tha: “Eja me mua!”

Të dy vajtën tek shtëpia ku banonte Zejnebeja dhe Profeti (a.s.) i bashkoi sërish nën një strehë.

A ka humanizëm më të madh se kaq? Mëso të sillesh si njeri me të gjithë! Mëso të jesh humanist! Sa më shumë ta hapësh zemrën me njerëzit e tjerë, aq më shumë të zvogëlohen hallet dhe problemet e tua.

Related Articles

Back to top button