Magazina

A është rrezik nëse rrëzoheni tash kur jeni shtatzënë?

Janë disa arsye se përse mund të rrëzoheni më lehtë tash kur jeni shtatzënë (sidomos nëse jeni në tremujorin e tretë të shtatzënisë).

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Jeni shtatzënë dhe keni shtuar disa kilogramë peshë. Shumicën e kohës jeni e lumtur dhe mezi e pritni momentin kur do ta keni beben tuaj në përqafim, por ka edhe momente kur ndjeheni e lodhur, nuk flini mirë, jeni e shqetësuar dhe kur mendja ju fluturon gjithandej.

Mund të ndodhë që nëse nuk jeni e vëmendshme, ta “harroni” një shkallë ose të keni marramendje dhe të rrëzoheni kur rrëshqitni.

Ju keni shtuar peshë dhe atë kryesisht në pjesën e përparme të trupit. Rrjedhimisht e keni më të vështirë që ta mbani drejtpeshimin. Për më tepër, gjatë shtatzënisë prodhohet hormoni që quhet relaksinë i cili bën që nyjet të jenë mē të relaksuara (prandaj, ndonjëherë gjatë shtatzënisë ju “lëshojnë këmbët” ose ju bie filxhani nga dora).

Relaksina prodhohet gjithnjë e më tepër sa më shumë që i afroheni terminit të lindjes. Relaksina ka për qëllim që t’i bëjë më të relaksuara nyjet dhe indet në pelvik, në mënyrë që lindja të jetë më e lehtë.

Përveç problemit me baraspeshën dhe relaksinës së rritur, gjasat janë më të rritura që të rrëzoheni, sepse shpeshherë ndjeheni e lodhur dhe e preokupuar me shtatzëninë.

Por, a rrezikohet bebja nëse rrëzoheni? Lajmi i mirë është që ka shumë pak mundësi që të rrezikohet bebja. Pse? Bebja brenda në mitër mbrohet nga lëngu amnial (i cili i amortizon goditjet), nga muri i mitrës (që është i trashë) si dhe nga muskujt e barkut dhe nga indi yndyror.

Megjithatë, nuk do të thotë se nëse rrëzoheni kjo është krejtësisht pa asnjë rrezik!

Patjetër kontaktoni mjekun tuaj e sidomos nëse keni gjakrrjedhje ose dhimbje, rrjedhje të lëngut amnial dhe nëse ju duket se i ndieni më pak lëvizjet e bebes.

Për fat të keq aksidentet nuk mund të parashikohen, prandaj keni kujdes të shtuar sidomos gjatë muajve të dimrit.

Vishni këpucë të rrafshëta dhe të rehatshme (takat e larta ju bëjnë që shumë lehtë ta humbni drejtpeshimin!) dhe kërkoni ndihmë nëse rruga është e rrëshqitshme.

Kur ecni shkallëve mbahuni për trapazona. Nëse shkoni në fitnes, shmangni ushtrimet gjatë të cilave mund të rrëzoheni.

Related Articles

Back to top button