Gjiri i Gramës në Vlorë, një mrekulli natyrore që pret pushuesit verorë
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, arkeologjike, kulturore e turistike. Por, sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet edhe si një plazh i vogël e intim.
Jemi në pragfillimin e sezonit turistik verorë dhe deti bëhet prioriteti kryesor i turizmit të kësaj stine. Një nga destinacionet për pushime detare është dhe Gjiri i Gramës në Orikum. Saktësisht gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.
Gjiri detar futet deri disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me faleza. Duhet të ketë edhe shpella nënujore. Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det. Gjithashtu ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.
Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë kanë gdhendur aty emrat e shumë të dhëna të tjera. Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si shpella e shkrimeve. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb, shkruan atsh.
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, arkeologjike, kulturore e turistike. Por, sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet edhe si një plazh i vogël e intim.
Drejt tij shkohet me rrugë tokësore por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave.