Gjenden të ngrirë trupat e çiftit që u zhduk para 75 viteve

Trupat e ngrirë të një çifti zviceran, i cili u zhduk para 75 viteve në Alpe, janë gjetur në një akullnajë të tkurrur, raportojnë mediat zvicerane.
Marcelin dhe Francine Dumoulin, prindër të shtatë fëmijëve, kishin shkuar për t’i mjelë lopët në një livadh mbi Chandolinen në kantonin Valais, më 15 gusht 1942, transmeton Express.
“E kemi kaluar gjithë jetën duke i kërkuar ata, pa u ndalur. Mendonim që një ditë t’iu bënim funeral që e meritonin,” ka thënë bija e tyre më e vogël Marceline Udry-Dumoulin, 75-vjeçare, shkruan Lausanne Le Matin.
“Mund të them se pas 75 viteve pritje, ky lajm më qetëson shumë,” ka thënë ajo.
Policia në Valais ka thënë se dy trupa me dokumente identifikuese janë gjetur javën e kaluar nga një punëtor në akullnajën Tsanfleuron në një lartësi prej 2.615 metrave.
Tani trupave do t’iu bëhen testet e ADN-së për ta konfirmuar identitetin e tyre.