Magazina

Hajduti i makinës

Një natë, atij i vodhën makinën e tij të vetme, gjë e cila e pikëlloi jashtë mase. Por, të nesërmen ndodhi diçka e paparashikuar. Në vendin ku i ishte vjedhur makina një natë më parë, ai pa të parkuar makinën e tij, të larë e të pastruar për bukuri.
I çuditur hyri brenda ku mbi timon gjeti një letër në të cilën shkruhej:”Zotëri! Na vjen shumë keq që një natë më parë të vodhëm makinën. Ime shoqe ishte në gjendje shumë të rëndë, e kishin kapur dhimbjet e lindjes dhe nuk kisha me çfarë ta transportoj. “Vjedhja” e makinës tuaj ishte rruga më e shpejtë për të shpëtuar jetën e time shoqe dhe të foshnjes që erdhi në jetë. Falë Zotit të dy janë shumë mirë. Në çantën në sediljet e pasme keni një dhuratë simbolike për ju dhe bashkëshorten tuaj. Janë dy bileta kinemaje dhe ca ëmbëlsira për familjen tuaj. Ju kërkojmë falje për shqetësimin e krijuar.”
Dy pika loti i rrodhën zotërisë tonë dhe duke psherëtirë thellë tha:”Shyqyr o Zot që ka akoma njerëz kaq të mirë. Ja ku paskemi bërë një punë të mirë pa e ditur.”
Doli nga makina i mrekulluar, vajti në shtëpi dhe i tregoi familjes së tij çfarë kishte ngjarë.
Mandej të gjithë dolën dhe vajtën në kinema për të parë filmin.
Kur u kthyen ….
E gjitha shtëpia ishte vjedhur.
Një letër e varur në mur u drejtohej atyre me fjalët:”Pa hë, u pëlqeu filmi?”

Related Articles

Back to top button