Fukarenjtë që mbledhin kanaçe rrëfejnë me lot në sy tragjedinë: E gjetëm 2-ditësh në kazan të plehrave
Në Shqipëri…ka edhe një Shqipëri ku fëmijët rriten para kohe dhe lodra kanë plehrat.
Mes këtyre njerëzve shpesh të harruar në skajet më të shëmtuara e të largëta të qyteteve, ka jetë dhe humanizëm.
“Unë jam 7 vjeç, jam i vogël, por nesër do rritem. Shkolla më duket një çikë më e mirë. Atje mëson, edukohesh, bën gjithçka që të duhet.
Në këtë shtëpi nuk jemi aspak të kënaqur…Nuk di çfarë të të them…Dua të na japin ndihmë ekonomike, shtëpi, e të tjera…por asgjë nuk realizohet!
Për historinë time nuk kam veçse dy fjalë…Të hedhësh fëmijën tënd në kazan…si të duket ty, pa më thuaj ti njëherë? Është kaq e tmerrshme! Nuk të vjen gjynah ty për fëmijën tënd?”
Është ky rrëfimi i vogëlushit, 7 vite pasi e hodhën në koshin e plehrave, atëherë kur ishte vetëm 2-3 ditësh.
Atë e gjeti një burrë që po mblidhte kanaçe e shishe.
Ai nis rrëfimin: “I pasur nuk bëhem kurrë, por kam kaq vjet me këtë punë. Nxjerr bukën e kalamajve. Me këtë punë s’më del të blej ilaçet, vetëm unë e mbaj shtëpinë.
Vijon nëna e tij: “Në mëngjes merrem me punët e shtëpisë, pastaj vjen dreka. Kur kemi hamë, kur s’kemi, s’kemi ç’bëjmë, parmbrëmë fjetëm pa ngrënë sepse nuk kishin, ku do vente djali i shkretë. Fukareshë në kulm jam…
…Ishte 21 gusht.. ishte 2 e mëngjesit. Djali duke punuar gjeti një fëmijë të vogël që qante.
Vazhdon djali: “Më iku truri i kokës, pashë fëmijën që e kishin hedhur. U detyrova e mora…gjithë mallin e hodha poshtë, në karrocë futa fëmijën. Më erdhi keq…vura dorën në zemër. Nuk e lë deri sa të vdes!”
Nëna tregon tregon më tej: “Ngrihu i them nuses, vër pak ujë të ngrohtë ta lajmë se mos i kanë hyrë pisllëqe në sy, a në vesh, a në gojë, se është gjë e vogël. Kërthiza e pa rënë, i vogël i shkreti. E lamë, e ndërruam, i dhamë ujë me sheqer dhe fjeti i shkreti. Ky erdhi natën, çfarë duhet t’i jepja, ushqim nuk hante.
Me merak e mora, deri më sot s’e ka kërkuar njeri. E morën e regjistruam dhe e mbajtën. E kam rritur me shumë mundime. Nuk e veçojmë kurrë nga fëmijët. E kam rritur në divanin tim…atje ku flija unë.”
Kjo histori është në qendër të një prej dokumentarëve të ciklit “Rrathë”.