Magazina

“A qesh shpesh? Po, unë qesh shpesh!” Mesazhe frymëzuese, se pse bota ka nevojë për fytyra të qeshura

Unë preferoj të qesh, në vend që të mbyllem në dhomën time e të qaj. Mendoj se ndoshta, nëpërmjet buzëqeshjes sime mund të përmirësohet dita e dikujt afër meje. Unë e di se trishtimi është shumë më “ngjitës”, se lumturia, por nëse unë, ti dhe dikush tjetër jemi të lumtur e të qeshur, ne mund ta bëjmë dikë pranë nesh t’i largohet trishtimit e të përpiqet të qeshë përsëri.

Unë preferoj të qesh, sepse edhe kur gjithçka shkon keq, unë përpiqem të shoh anën pozitive të gjërave. Nuk ka gjë të keqe që të mos sjellë diçka të mirë me vete. Edhe zhgënjimet më të mëdha, e kanë një të mirë : Na mësojnë të jemi më të fortë. Pra, është e gjitha çështje këndvështrimi.

Unë qesh sepse kam dëgjuar që e qeshura të zgjat jetën. Ndoshta kjo është një gojëdhënë e transmetuar në vite, por unë e di se një jetë e jetuar me buzëqeshje, është gjithmonë më e bukur se një jetë e jetuar me një fytyrë të trishtuar.

Unë qesh sepse ende besoj në mirësinë e atyre që më rrethojnë dhe jo vetëm. Unë besoj se gjithë njerëzit janë të bukur dhe të mrekullueshëm. Secili nga ne përbën një univers më vete dhe nëse arrijmë ta njohim çdo univers deri në thellësi, me siguri do të gjejmë në të një pafundësi ndjenjash pozitive që e bëjnë çdo person të bukur dhe të mrekullueshëm.

Unë qesh sepse e qeshura më shton mendimet pozitive. E keni vënë re veten kur mërziteni për diçka? Nisni dhe mendoni për çdo gjë që ju ka shkuar keq dhe që sa ndryshe do të ishte gjithçka, sikur ju të kishit vepruar në një mënyrë tjetër. Trishtimi ju thellohet. Kësaj unë i shmangem, sepse e di që buzëqeshja mund të fshijë çdo mendim negativ nga mendja ime.

Unë qesh jo sepse nuk i mendoj që gjërat mund të kenë marrë të tatëpjetën në jetën time. E di këtë gjë, por qesh sepse, edhe nëse mërzitem, problemet do të vazhdojnë të jenë po aty. Me mërzitjen time unë nuk mundem t’i zgjidh dot ato, por me buzëqeshje unë mund ta marr me optimizëm çdo sfidë. Optimizmi sjell dëshirë dhe vullnet, pra unë mund t’i zgjidh problemet më me lehtësi, se sa dikush që burgoset në vetminë dhe mërzinë e tij dhe nuk ka se si ta ushqejë veten me optimizëm dhe dëshirë për të ecur përpara.

Unë qesh sepse e di që për aq kohë sa unë do të jetoj, kjo botë më përket mua dhe unë dua të fal më të mirën nga vetja për të lënë gjurmë në këtë botë. Unë nuk dua të mbahem mend për ligësinë që mund t’ju fal të tjerëve. Unë dua që kur të vdes, të tjerët të më kujtojnë për çdo moment që i kam bërë të qeshin me lotë në sy.

Related Articles

Back to top button