Gojëdhënat e malësive shqiptare për Lekën e Madh
Malësitë shqiptare, jeta që gjëllinte mes shkrepave e lugjeve, traditat e një populli të fismë ishin frymëzimi që ngrinte peshë njerëzit e letrave nga mbarë bota.
Rrëfimi i shkrimtares amerikane Rose Wilder Lane (1886-1968) shembullon më së miri tërheqjen pas Shqipërisë, shkruan Konica.al.
Në vitin 1921, shkrimtarja nga Dakota e Shteteve të Bashkuara do të udhëtonte drejt malësive të veriut shqiptar.
E argasur me përvojën e Kryqit të Kuq, ajo ndërmori një udhëtim interesant në Shqipëri pa pyetur aspak për ndeshtrashat e mundshme.
Udhëtimi i saj në Tiranën që gëlonte nga konfliktet politike dhe shquarja e Ahmet Zogut në këtë rrëmet, do të brumosnin tek shkrimtarja amerikane pasionin zhbirues për një popull që e mbresonte me gjithçka kishte.
Më vonë do të pëshpëritej se Zogu i kishte bërë edhe një propozim për martesë…
Lane gjeti tek shqiptarët një sens të fortë të krenarisë kombëtare tek secili që takoi udhës.
“Njerëzit që u bënë sundimtarë të Egjiptit, pashallarë të Turqisë, udhëheqës politikë të Italisë, mjekë të mëdhenj në Francë. Nga të gjitha vendet po kthehen prapë njerëz për të bërë qeverinë e lirë të Shqipërisë”, shkruan ajo.
Libri i saj ‘Majat e Shalës’ (Londër 1922/Njo Jork 1923) është një përmbledhje marrafrymëse e turli rrëfimi që hasi nga mikëpritësit e saj në Theth, Shalë e krahina të tjera të veriut.
Rrëfimet që i kanë bërë më tepër përshtypje Lein i ka futur të plota në vepër, kështu shpjegimin që i bën një malësor plak origjinës së fiseve në Evropë e jep të plotë “se si para se të bëheshin detërat fiset ishin vetëm në Ballkan dhe në Veri të vendit dhe pastaj u bënë detërat e njerëzit u shpërndanë’; origjinës së Lekës së Madh Madh, i cili “ishte nga Emadhia e Matit dhe pasi u rrit shkoi në Maqedoni, e cila ishte shqiptare po ashtu”.
Malësori plak i rendit edhe breznitë e Lekës me një saktësi të habitshme gjeneaologjike:
“Karana, Cenua, Trimi, Perdika, Argua, Filipi, Ajeropi, i cili u bë edhe mbreti i parë i Maqedonisë dhe kishte pastaj këta pinjollë: Alqeti, Leka, Arminti, Perdika i Dytë, Arqelloja, Oresti, Arqelloja i Dytë, Arminti i Dytë, Leka i Dytë, Perdika i Tretë, Arminti i Katërt, Filipi i Dytë dhe Leka i madh, i biri i Filipit, i cili është, si e njohin ndryshe bota si Leka i Madh”.