Vepra enigmatike: Magritte dhe fuqia subversive e një llulle
Disa thonë se piktura misterioze e punuar nga Rene Magritte, është fillimi i artit modern. Kjo vepër e punuar në vitet ’20 të shekullit të kaluar, shtron ende dilema të mëdha.
“Tradhtia e imazheve” (Kjo nuk është llullë) e punuar nga Magritte, është një nga veprat më të njohura e më enigmatike në historinë e artit. Me këtë pikturë artisti belg synoi të sfidonte konventat gjuhësore dhe vizuale – në kuadër të përpjekjes së gjatë për të treguar se imazhet mund të ishin të barabarta me fjalët.
Stili i piktorit Giorgio de Chirico kishte ndikim të madh te Rene Magritte.
Piktura ikonike po kthehet në vendin të origjinës, për herë të parë pas 45 vitesh, si pjesë e një ekspozite të madhe në Muzeun Mbretëror të Arteve të Bukura të Belgjikës. Kjo ekspozitë trajton ndikimin që kishte Magritte te artistët bashkëkohorë, që nga Jasper Johns e deri te Gavin Turk.
“Kjo fjalë që ne e shqiptojmë ‘llullë’ është ky objekt në realitet, jo në letër. Ideja e shtruar nga Magritte është të tregojë se nuk ka të bëjë me realitetin, se është thjesht një konventë”, thotë Michel Draguet, kurator i ekspozitës.
Ose teksti “kjo nuk është një llullë” është qëllimisht mashtrues ose na bën të vetëdijshëm për dallimin midis përfaqësimit dhe aktualitetit
Teksa më lehtë është të kuptosh një imazh llulle që nuk është llullë, Draguet shpjegon se “problemi i vërtetë me punimin është se duhet të jepni një përkufizim të ri për llullën, një përkufizim tuajin”.
Shtrimi i pyetjeve filozofike në vend të ofrimit të përgjigjeve të historisë së artit, ka qenë prej kohësh qëllimi që kishte Magritte. Ndonëse kishte filluar të pikturonte në moshën 12-vjeçare dhe eksperimentoi me kubizmin e futurizmin, ai shpejt u lodh nga piktura dhe nuk donte të quhej artist, pasi e konsideronte veten mendimtar që komunikon me ngjyrë. I njohur me historinë e filozofisë, ai ishte i vetëdijshëm se që nga Platoni e deri te Hegeli paraqitja figurative ishte hedhur poshtë si konfuzion i shqisave, ndërsa poezia konsiderohej forma si më e lartë e shprehjes njerëzore.
Vepra “Të mos riprodhohet” nga Magritte sugjeron iluzionin
Surealizmi, lëvizja me të cilën do të rreshtohej, nisi si lëvizje kryesisht letrare. Themeluesit e tij ishin po ashtu skeptikë për vlerën e pikturës. Vetëm me zbulimin e veprave metafizike të Giorgio De Chiricos, përmes të cilëve Magritte pohoi se kishte zbuluar “epërsinë e poezisë në pikturë”, ata e ndryshuan mendjen.
Në esenë e tij të famshme për “Tradhtinë e imazheve”, filozofi Michel Foucault i referohet veprës artistike si një “kaligram i zbërthyer”, një kaligram që është imazh i formuar nga fjalët që e përshkruajnë, të cilin Magritte e kishte “zbuluar” duke e ndarë imazhin nga teksti. Edhe pse Magritte nuk u pajtua me këtë përkufizim, ai besonte se imazhi ishte i aftë të shprehte mendim – njëjtë si poezia. Siç thotë Draguet, për të poezia ishte “përtej fjalës; diçka më e thellë se fjala”.
Broodthaers çon lojën konceptua të Magrittet një hap para, ndonëse përfshinte imazhin e llullës
Vendimi i tij për të pikturuar një llullë për ta theksuar këtë pikëpamje mund të ketë ndodhur pak pasi, Andre Breton dhe Paul Eluard, dy nga figurat udhëheqëse të surrealizmit, botuan punimin “Shënime mbi poezinë në revolucionin surrealist”, ku deklaruan se “poezia është një llullë”. Deklarata se “kjo nuk është një llullë” mund të shihet si pretendim se është diçka ndryshe, por po aq valide. Titulli origjinal i pikturës ishte “Përdorimi i fjalës”, e kjo po ashtu nënkupton se duhet të trajtojmë vërtetësinë e fjalëve, jo imazhin. Siç vlerësoi kolegu i tij Paul Nougé, titujt që vinte Magritte kanë qenë gjithmonë një “mall për diskutim” dhe “jo për shpjegime”. Sepse, e dinte se reagimi i një individi ndaj një imazhi do të varet gjithmonë nga përvojat e personale e jo nga kuptimi i objektit.
Natyra e papërcaktuar e pikturave të punuara nga Magritte do të bëhen burim frymëzimi – provokues dhe nxitës – për artistët e rinj. Ndonëse Magritte kishte pikturuar “Tradhtinë e imazheve” për një ekspozitë në Paris në vitin 1929, rënia e tregut të aksioneve mbylli shumë galeri. Tek në një ekspozitë të vitit 1954, në Galerinë Sidney Janis në Nju Jork, puna tërheq vëmendjen e një brezi të ri artistësh, përfshirë Andy Warholin, Paul Rauschenbergun dhe Jasper Johnsin.
Vepra “Djali i burrit” nga Magritte, e vitit 1964, ndoshta është vepra më e njohur e tij
“Konceptualisht, ideja që thotë ‘kjo nuk është llullë, është imazh’ është thelbësor për të kuptuar flamurin e Johnsit”, shton historiania e artit, Roberta Bernstein, megjithëse Johns e kthen pyetjen në këtë mënyrë: “A është ky një flamur apo është një imazh?” Ajo beson se Magritte kishte ndikim edhe te Rauschenbergu dhe “fakti se të këta dy nisën të mbledhin punimet e tij kur mundeshin”.
Edhe Claes Oldenburg ishte ndikuar nga puna e Rene Magritte. Origjina e objekteve të tij zmadhuara në mënyrë abnormale mund të shihet te “Vlera personale”, ku Magritte vendos objekte të jashtme në një dhomë gjumi, muri i të cilit është një qiell i pikturuar. Megjithatë, Magritte thuhet se nuk donte ta shihte veten si një pararendës të Pop Artit, një lëvizje që e ndjente të sakrifikuar nga teket e modës. Sipas Draguetit, Magritte ishte ambivalent ndaj zhvillimeve bashkëkohore në art. Përjashtim ishte shoku i tij belg, Marcel Broodthaers – “djali i tij shpirtëror”, me të cilin kishte lidhje të afërt.
“Flamuri” i Jasper Johnsit shtron pyetjet të njëjta si Magritte: A është flamur kjo gjë që është bërë nga copat e ngjyrosura të gazetave e jo nga coha?
Magritte dhe Broodthaers u takuan pas Luftës së Dytë Botërore. Ata u lidhën nga vlerësimi i ndërsjellët që kishin për poetin Mallarmé, teoritë e të cilit ishin të afërta me të tyret. Edhe pse Broodthaers kishte filluar të merrej me art si poet, u bë artist vizual në vitin 1964, duke krijuar punimin e tij të parë me futjen në llaç të kopjeve të pashitura të përmbledhjes së tij të parë të poezisë, “Pense-Bete”.
Marcel Broodthaers (majtas), një nga artistët e frymëzuar nga Magritte
Ai e çoi lojën e fjalëve të Magrittet në një nivel tjetër duke e vënë në pikëpyetje artin dhe tregun e artit. Ndërsa, gjente frymëzimi te “Tradhtia…” të cilën e konsideroi si pikënisje për artin modern, për çka llullat shpesh shfaqeshin në punën e tij. Ndoshta ishte interesi i Broodthaersit që bëri që Magritte të ri-imagjinojë pikturën në disa raste, duke krijuar llulla që lëshojnë tym e duke deklaruar prapë me këmbëngulje se “kjo vazhdon të mos jetë një llullë”. Por, nëse shpresojmë të gjejmë sqarime nga këto versione të mëvonshme, ne edhe mund të përpiqemi të marrim llullën nga kanavaca dhe ta tymosim! Megjithatë, ajo prapë do të vazhdojë të jetë një enigmë.