Shkenca shpjegon pse grindemi në rrjetet sociale
Problemi, me sa duket, është vetëm në formë.
Nëse e pyesni veten se pse familja dhe miqtë tuaj thjesht nuk i kuptojnë argumentet tuaja të zgjuara politike në Facebook – sigurisht do të ishte mirë nëse u kërkoni atyre që t’ju dëgjojnë – tekstualisht. Një studim i ri ka treguar se çelësi për t’i bërë njerëzit të jenë në anën tuaj mund të qëndrojë në formën verbale dhe jo në formën e shkruar.
Në një punim të publikuar në revistën Psychological Science, hulumtuesit nga universiteti në California, Berkeley dhe nga universiteti në Chicago kanë konstatuar se njerëzit të cilët futen në debate verbale për çështje të ndryshme politike sigurisht do të jenë të bindur nga argumentet e kundërshtarëve të tyre, nëse i dëgjojnë ata, në krahasim me ato argumente që vetëm i lexojnë.
Gjatë anketimit për këtë studim, nga gjithsej 300 persona u kërkua të shikojnë, dëgjojnë apo lexojnë argumentet e ndryshme për luftën, abortin dhe zhanret e ndryshme të muzikës dhe pastaj të vlerësojnë se me sa shkathtësi personi e përcolli argumentin.
Shkencëtarët pohojnë se ata të cilët nuk ishin dakord me argumentin u përpoqën ta “depersonalizojnë” komunikuesin dhe konsideruan “se ai/ajo e ka të zvogëluar kapacitetin për të menduarit apo ndjenjën”, por kjo ndodhi shumë më rrallë kur e dëgjuan zërin e tyre ose e shikuan atë tek fliste.
Juliana Schroeder nga Berkeley tha se kjo është për shkak se komunikimi me zë e bën personin që flet më të arsyeshëm dhe më njerëzor. “Një nga ne e ka lexuar një fragment nga fjalimi i shtypur në gazetë nga politikani me qëndrimet e të cilit nuk pajtohej”, tha ajo. “Javën vijuese ai e dëgjoi të njëjtin klip të fjalimit në radiostacion. Ai ishte shokuar se sa i ndryshëm ishte reagimi i tij ndaj politikanit kur po e lexonte fragmentin krahasuar me atë që dëgjoi. Kur e lexoi deklaratën, politikani i dukej si një idiot, por kur e dëgjoi atë, politikani papritmas i tingëlloi më i ndjeshëm”.
“Kur dy njerëz kanë besime të ndryshme, ekziston një tendencë jo vetëm për t’i njohur dallimet e të menduarit, por edhe për ta nënçmuar mendjen e anës së kundërt. Meqenëse mendja e personit tjetër nuk mund të përjetohet drejtpërdrejt, cilësia e tij duhet të konkludohet nga shenjat indirekte”.
Dr. Schroeder tha gjithashtu se ajo shpreson që ky studim do të ndihmojë në shpjegimin e asaj se pse rrjetet sociale e kanë një ndikim kaq polarizues në debatet politike gjatë disa vjetëve të fundit.
“Shumë njerëz i marrin shumicën e lajmeve të tyre përmes rrjeteve sociale. Kjo mund të jetë dehumanizuese dhe mund ta rrisë polarizimin. Është e lehtë të imagjinohet se si kjo mund të bëhet ciklike, dehumanizimi çon në më shumë polarizim i cili çon në më shumë dehumanizim”, konkludoi dr. Schroeder./e.e