Misada nga Kavaja dhe jeta e saj në islam
Unë quhem Misada dhe vij nga Kavaja. Jam rritur në një familje muslimane, por jo praktikante të Islamit. Prindërit e mi u rritën larg frymës fetare për shkak të regjimit komunist. Gjyshërit e kishin ruajtur disi besimin, por edhe tek ata koha kishte lënë gjurmët dhe pasojat e veta. Njohjet dhe kontaktet e para me Islamin i pata që në shkollën 9-vjeçare, rreth të 12-ave. Kishim një mësues, që përveç lëndës mësimore na tregonte edhe rreth fesë tonë të bukur, madje here pas here na sillte libra. Kështu vazhdoi deri kur fillova Medresenë. Mezi prisja të shkoja atje, të njihja njerëz që besonin e faleshin, sepse qëllimi im kryesor ishte të mësoja namazin edhe pse asokohe nuk dija as edhe një sure të vetme. Studiova 3 vite në Medrese. Isha shumë e lumtur, sepse zgjerova njohuritë e mia fetare dhe fillova rregullisht namazin. Sa herë kthehesha në shtëpi në fundjavë, mundohesha t’ua shpjegoja edhe familjarevë të mi çdo gjë të re që mësoja në shkollë. Isha maturante, viti i fundit në Medrese. Dukej sikur çdo gjë ishte në rregull, por diçka më mungonte. Shamia. Këtë mendim e bluaja përbrenda pa guxuar t’ia shprehja dikujt, sepse e dija që familjarët e mi do të më viheshin kundër. Babi, edhe pa ia shprehur fare si dëshirë bënte kërcenime nga më të ndryshmet. Erdhi koha, kur fillova universitetin. Turpërohesha të dilja para profesorëve pa shami dhe me rroba te ngushta. Kështu veshja ime ndryshoi. Fillova të vishem me funde të gjata. Sa herë falja namazin dhe vija shaminë me dukej vetja si njeri me dy fytyra, më vinte turp nga vetja. Si po dilja përpara Zotit me shami dhe pastaj e hiqja sërish? Mendoja: “A mos jam vallë një hipokrite?”. Kisha frikë nga njerëzit, e nuk kisha frikë nga Zoti? Në dorën e kujt janë zemrat? A nuk janë në dorë të Allahut? Kë rob e deshi Allahu dhe nuk e bëri të dashur tek njerëzit? Këto pyetje ia drejtoja shpesh vetes. E kisha vendosur, në muajin e Ramazanit do të vija shaminë. Po e prisja me padurim e me emocion këtë çast dhe pas çdo namazi bëja lutje që zemra e prindërve të mi të zbutej.Ja, më në fund erdhi Ramazani. Çështjen e shamisë e hapa fillimisht me mamanë. Por ajo, edhe pse nuk kishte dëshirë nuk deshi të më bëhej pengesë, problem kisha tim atë. Ai ishte krejtësisht kundër. E në këtë mënyrë iku Ramazani, e unë mbeta e pikëlluar që nuk arrita të mbulohesha në muajin e bekuar.Pas pak kohësh erdhën dhjetë ditët e shenjta të Dhulhixhes. Ato ditë i agjëroja dhe lutja ime kryesore ishte që Allahu të ma mundësonte mbulesën, e kështu vendosa që në ditën e Arafatit ta vija më në fund shaminë, duke marrë parasysh çdo reagim apo betejë të mundshme, qoftë edhe përzënien nga shtëpia. Por, një natë përpara se të mbulohesha u tregova prindërve për vendimin tim dhe nuk debatova aspak, si për çudi as babai nuk hapi gojë. Të nesërmen u ngrita, u rregullova dhe vura shaminë. Zemra sa s’po më dilte kraharorit si nga gëzimi ashtu edhe nga reagimet e njerëzve. Kur im atë u kthye në shtëpi për drekë, zemra filloi të më rrihte fort. Kur më pa nuk tha asgjë, vetëm më përqafoi dhe tha: “Më fal, por nuk di si urohet në këto raste.” Atë grimë çasti mbaj mend vetëm lotët që më rrodhën syve. Tani që kisha mbështetjen e tij mund të përballesha me këdo. Aty kam ndjere fuqinë e lutjes, ku Allahu i thotë robit të tij: “Lutmuni Mua se Unë jam afër e i përgjigjem lutësit”.Të dashura motra në çdo punë të hajrit, shejtani do mundohet t’ju nxjerrë pengesa. Mbështetjuni Zotit të gjithësisë se Ai nuk e në baltë e robin e Tij.Misada, Kavajë