Në syfyr me Pejgamberin alejhi selam
Në syfyr me Pejgamberin alejhi selam
Pejgamberi a.s. gjithmonë ngrihej në syfyr dhe e quante atë ” drekë e bekuar”
Kështu, në një hadith që transmeton hazreti Aisheja r.a., thuhet që Pejgamberi a.s. të ketë thënë:
“Na e ofro neve drekën e bekuar (ka për qëllim syfyrin)”. Dhe ka ndodhur që Aisheja r.a. të mos ketë çfarë t’i vejë përpara veç dy kokrra hurma.
Pejgamberi a.s. i porosiste gjithnjë sahabët që të ngrihen në syfyr duke u thënë:
“Hani syfyr sepse në të ka bereqet”[45]
Nesaiu transmeton se Resulull-llahi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Mos e leni ngrënien e syfyrit ngaqë është drekë e bekuar”.
Dhe nga Ebi Seidi transmetohet që Pejgmberi a.s. të ketë thënë:
“Syfyri i tërë është bereqet, prandaj mos e leni atë, qoftë edhe sikur ndonjëri prej jush të pijë edhe një pikë ujë, ngaqë Allahu xh.sh. dhe meleqtë bëjnë salavat, luten dhe dëshirojnë çdo të mirë për ata që ngrihen dhe hanë syfyrin”. (E transmeton Ahmedi) Dhe ka thënë: “Allahu bën rahmet mbi ata që hanë syfyr”.
Ndersa nga Sahihu i Muslimit kemi:
“Hazreti Aisheja r.a. u pyet për dy persona: njëri prej tyre shpejtonte iftarin dhe vononte syfyrin; kurse tjetri bënte të kundërtën, vononte iftarin dhe shpejtonte syfyrin. Përgjigjja e saj qe: “Cili prej tyre shpejton iftarin dhe vonon syfyrin?” iu tha: “Ai është Abdullah Bin Mesudi.” Tha ajo: “Kështu vepronte edhe Pejgamberi a.s.”. Pra, ka qenë traditë e Resulullahut që të vononte syfyrin.
Kjo transmetohet edhe në hadithin e Ebi Derdas r.a. ku urdhërohet e thuhet:
“Bëni syfyr në fund të natës”. Pra, është mirë të vonohet syfyri.
Pejgamberi a.s. bënte syfyr e pastaj dilte për të falur namazin e sabahut.
Kështu, në Sunenin e Ahmedit transmetohet nga Bilali që të ketë thënë:
“Shkova te Pejgamberi a.s. që të thërras ezanin për namaz (të sabahut). Ai dëshironte të agjëronte prandaj piu (ujë). Pastaj më dha edhe mua dhe doli që të falej. Dhe kjo ndodhi para sabahut (agimit).”
Kjo mbështetet edhe me hadithin e Enesit r.a. në Sahihajn ku thuhet:
“Vërtetë Bilali po e thërret ezanin natën (pa u gdhirë); prandaj hani e pini derisa të thërrasë ezanin Ibnu Ummi Mektumi”. Dhe Ibn Ummi Mektumi i verbër nuk e thërriste ezanin derisa nuk i thoshin: “Gdhiu (zbardhi dita), gdhiu”.
Koha mes syfyrit dhe namazit është përcaktur në një hadith, që transmetohet nga Zejd Ibën Thabiti r.a., i cili ka thënë:
“Hëngrëm syfyr me Pejgamberin a.s. pastaj u ngritëm për t’u falur”. Tha Enesi: “Sa kohë kishte kaluar mes dy vakteve (të ngrënit dhe faljes)? Iu tha: “Aq sa të këndohen 50 ajete (të Kur’anit-koha që duhet për të lexuar 50 ajete)”[46].
Me këtë është përcaktuar edhe koha nga çasti i mbarimit të të ngrënit dhe faljes së sabahut (namazit të agimit), e cila, sipas mendimit të dijetarëve duhet të jetë rreth 18 minuta. Se sa e lëvdueshme është të respektohet kjo kohë, e mësojmë më së miri nga hadithi që vijon, ku citohen fjalët e Profetit a.s. që ai ka thënë:
“Do të vazhdojë të jetë në hajër (rrugë e mbarë) umeti im përderisa të shpejtojë iftarin dhe vonojë syfyrin”[47].
Pejgamberi a.s., gjithashtu, ka tërhequr vëmendjen për sekretet dhe të mirat e syfyrit:
1. Në të ka bereqet, siç thamë më parë.
2. Syfyri është ai që e dallon agjërimin tonë nga të Ehli Kitabëve (para periudhës së Muhamedit a.s.). Transmetohet në Sahihajn nga Amr Ibnu-l-Asi që Pejgamberi a.s. të ketë thënë:
“Ajo që e dallon agjërimin tonë nga ai i Ehli Kitabëve (pasuesve të librave të shpallur) është të ngrënit e syfyrit”.
3. Syfyri ndihmon që të agjërohet më lehtë. Kjo argumentohet me thënien e Ibni Abasit tek Ibni Maxheja, ku përmendet porosia e Pejgamberit a.s.:
“Ndihmohuni me ngrënien e syfyrit për agjërimin e ditës dhe me gjumin e mesditës për namazin (lutjet) e natës”
Në syfyr nuk duhet ngrënë shumë, por të fitohet fadileti dhe bereqeti i syfyrit, qoftë edhe me pak ushqim ose ujë.
Për këtë kemi fjalët e Pejgamberit a.s. në një hadith që transmetohet nga Xhabiri r.a., në të cilin thuhet:
“Ai që dëshiron të agjërojë le të bëjë syfyr me diçka”[48] Ose hadithi tjetër:
“Sa i lëvduar është ai syfyr që e bën besimtari me hurma”. Ndërsa në një hadith që transmeton Enesi thuhet:
“Bëni syfyr, qoftë edhe me pak ujë”.