Si duhet t’i agjërojmë gjashtë ditët e muajit Sheval?
Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. Si duhet ti agjerojme 6 ditet e Shevalit? A konsiderohet edhe shlyerja e borxhit, apo ato vec si sunet? A duhet ti agjerojme 6 dite pastaj borxhin apo si? Allahu ju shperblefte me Xhenetin Firdeus.
Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Është e pëlqyer që njeriu pas Ramazanit, të agjërojë edhe gjashtë ditë të muajit Sheval, për të cilat Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Kush e agjëron Ramazanin, e pastaj e pason atë me gjashtë ditë të Shevalit, është sikur të ketë agjëruar tërë kohën”. (Transmeton Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh)
Agjërimi i këtyre ditëve mund të fillojë menjëherë pas Bajramit. Këto ditë mund të agjërohen pandërprerë dhe mund të agjërohen me ndërprerje ndërmjet tyre.
Thotë Shejh Ibn Bazi: Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është sunet i vërtetuar prej Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) dhe lejohet agjërimi i tyre pa ndërprerje fare (gjashtë ditë pa ndërpre), apo me ndërprerje (duke i ndarë ato). Ngase Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) e ka përmendur agjërimin e tyre dhe nuk ka përmendur bashkimin apo ndarjen e tyre.
E nëse njeriu ka borxh që duhet ta kompenzojë atë, atëherë së pari duhet ta kompenzojë borxhin e tij, e pastaj t’i agjërojë këto gjashtë ditë. Dhe nuk lejohet me një nijet të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit dhe gjashtë ditët e mbetura borxh prej Ramazanit. Ngase hadithi thotë: “Kush e agjëron Ramazanin, e pastaj e pason atë me gjashtë ditë të Shevalit..”, që nënkupton se ai që nuk e ka agjëruar Ramazanin, nuk mund të arrijë në shpërblimin e lartpërmendur edhe nëse i agjëron gjashtë ditë të Shevalit.
Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, është i ndërlidhur me agjërimin e Ramazanit dhe nuk mund të jetë përveçse pas kompenzimit të tij. E nëse i agjëron ato (gjashtë ditë të Shevalit), para kompenzimit (të ditëve të mbetura borxh prej Ramazanit), nuk arrin në shpërblimin e tij.. (Fetava Sijam 438)
Kështuqë së pari duhet të agjerohen ditët e mbetura borxh të Ramazanit, e pastaj të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit. E nëse me ndonjë arsye nuk mund të kompenzohen të gjitha, atëherë ka mundësi të agjërohen disa prej tyre dhe gjashtë ditët e muajit Sheval, e pastaj të bëhet kompenzimi i ditëve të mbetura borxh qoftë edhe pas Shevalit.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami