Magazina

Fillojnë të tërhiqen nga tregu i Kosovës lodrat e rrezikshme për fëmijë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka urdhëruar tërheqjen e të gjitha lodrave të cilat kanë rezultuar me përmbajtje të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, e të cilat shiten në tregun e Kosovës.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për televizionin publik vetë ministri Bajram Hasani, mirëpo ai nuk ka premtuar se kur do të tërhiqen të gjitha lodrat e këtij lloji nga tregu, për shkak të numrit të vogël të inspektorëve në terren.

“Disa lodra që kemi lëshuar, janë informuar të gjitha ndërmarrjet, kur i kemi marrë këto mostra, që të tërhiqen nga tregu. Mirëpo është shumë vështirë në tregun e brendshëm që të kontrollohen, sepse numri i inspektorëve është shumë i vogël për të kontrolluar gjithë tregun, por ne do të ndërmarrim masa. Pas ndalesës që e kemi bërë në doganë, do të fillojmë edhe në tregun e brendshëm që t’i tërheqim të gjitha lodrat që janë të këtij lloji”, tha ai.

Hasani tha se fillimisht do të kërkohet nga Ministria e Arsimit që të tërheqë nga kopshtet dhe institucionet e tjera publike të gjitha këto lloje të lodrave për të vazhduar edhe me tregjet në vend.

Mirëpo, ministri Hasani nuk ka deklaruar as nëse kompanitë importuese do të ndëshkohen për importim të lodrave që nuk i përmbahen ligjeve në fuqi, duke thënë se paraprakisht nuk ka ekzistuar një vendim i tillë.
“Nuk di, është edhe kompetencë e inspektoratit se si do të vlerësohet, mirëpo për shkak se deri tash nuk ka qenë një vendim i tillë, nuk ka qenë një urdhëresë e tillë për t’i ndaluar, ndoshta më tepër mund t’i fajësojmë institucionet tona pse nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar se sa vetë importuesit”, tha Hasani.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë para një javë i ka pranuar rezultatet e analizave për 15 lloje të lodrave të importuara nga vende aziatike, prej të cilave vetëm një ka rezultuar se i përmban kriteret e kërkuara ligjore, ndërsa të gjitha të tjerat kanë rezultuar me përmbajtje të ndryshme kimie, fizike e të tjera, të rrezikshme për shëndetin.

MTI menjëherë pas këtyre analizave ka nxjerrë vendim që asnjë lodër e këtyre llojeve të mos futet brenda Kosovës, kurse vlera e lodrave të tilla që kanë hyrë në vendin tonë deri më tani ka qenë rreth 20 milionë euro në vit.

Related Articles

Back to top button