Ndalimi i mjekimit me gjëra haram!
Ndalimi i Profetit alejhi selam nga mjekimi me gjëra që Allahu i ka bërë haram. Ebu Daudi sjell në Sunen-in e tij rrëfimin e Ebu Derdasë se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka zbritur sëmundjen dhe ilaçin; për çdo sëmundje ka krijuar ilaçin e saj. Pra, mjekohuni, por mos përdorni gjëra që janë haram!”
Ndërsa Buhariu shënon rrëfimin e Ibn Mesudit, se: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar nuk e ka bërë ilaçin te diçka që jua ka bërë haram.”
Në Sunen është hadithi i Ebu Hurejrës, që ka thënë se: “Pejgamberi alejhi selam e ka ndaluar përdorimin e gjërave të pista (haram) për t’u kuruar.”
Në Sahih-un e Muslimit shënohet se Tarik ibn Suejd El Xhufi e pyeti Profetin alejhi selam për pijet dehëse, dhe ai e ndaloi nga ato dhe nga prodhimi i tyre. Pastaj ai i tha Profetit alejhi selam: – Por unë e prodhoj thjesht për mjekim. – Atëherë, Pejgamberi alejhi selam iu përgjigj: “Ai kurrsesi nuk është ilaç, por është vetëm sëmundje.”
Në Sunen shënohet se Pejgamberi alejhi selam është pyetur rreth alkoolit që përdoret për kurim, dhe ka thënë: “Ai është sëmundje dhe jo ilaç.” Hadithin e sjellin Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.
Në Sahih-un e Muslimit është ky rrëfim i Tarik ibn Suejd El Hadramit: – Unë i thashë: O Pejgamber! Në tokat tona ne kultivojmë rrush, të cilin e shtrydhim dhe e pimë (verën)… Ai tha: “Jo, mos e bëni këtë!” – Pastaj i thashë: Me këtë pije ne kurojmë të sëmurët tanë… – Ai më tha: “Në të vërtetë, ajo nuk është ilaç, por sëmundje.”
Në Sunen-in e Nesaiut tregohet se “në prani të Profetit alejhi selam, një mjek përmendi përdorimin e bretkosës për të bërë ilaçe, por Pejgamberi alejhi selam e ndaloi atë nga vrasja e bretkosave për atë qëllim.”
Është përmendur se Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Mos e shëroftë Allahu atë që kërkon shërim nëpërmjet pijeve dehëse!”
Mjekimi nëpërmjet harameve është diçka e shëmtuar, qoftë në këndvështrimin logjik, qoftë në atë fetar. Për sa i përket anës fetare, shërbejnë si argumente të gjitha hadithet që përmendëm më lart, por edhe të tjerë.
Në aspektin logjik, themi se Allahu i Lartësuar e ka bërë të ndaluar çdo gjë që është e dëmshme dhe e keqe. Po ashtu, Allahu nuk i ka ndaluar këtij umeti asgjë që është e mirë dhe e dobishme, sikurse veproi me Benu Israilët, të cilëve ua bëri të ndaluara edhe disa gjëra të mira, si ndëshkim për padrejtësitë e tyre. I Lartësuari thotë:
“Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat ishin të lejuara për ta, për shkak të gjynaheve që bënë, për shkak se ata pengonin shumë njerëz nga udha e Allahut, për shkak se merrnin kamatë, megjithëse kjo ishte e ndaluar për ta, dhe për shkak se përvetësonin padrejtësisht pasurinë e njerëzve. Jobesimtarëve midis tyre, Ne u kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.” [Nisa, 160-161]
Ndërsa këtij umeti Allahu i ndaloi veçse gjërat e këqija, të dëmshme dhe të pista. Ai ua ndaloi për t’i ruajtur dhe për t’i mbrojtur nga përdorimi i tyre. Kësisoj, nuk është logjike që ne t’i përdorim këto substanca për qëllime kurimi.
Edhe nëse mund të duken se kanë ndonjë efekt te sëmundja, ato shkaktojnë sëmundje edhe më të rënda në zemër, sepse ato janë të papastra. Me fjalë të tjera, kush përdor haramet për kurim, mund ta shërojë sëmundjen e trupit, por do ta sëmurë më keq zemrën.
Nga ana tjetër, muslimanit i kërkohet që të heqë dorë nga gjërat që Allahu i Lartësuar i ka bërë haram, kështu që kur ai i përdor ato për mjekim, do të thotë që nuk ka hequr dorë prej tyre, siç ia kërkon feja. Kjo bie në kundërshtim me vetë qëllimin e ndalesës.
Po ashtu, ajo çfarë Allahu e ka ndaluar konsiderohet si një sëmundje, siç e ka pohuar Sheriati nëpërmjet gjuhës së Profetit alejhi selam,, prandaj muslimanët nuk mund ta përdorin atë si ilaç.
Jo vetëm kaq, por substancat e ndaluara ndikojnë te zemra dhe shpirti, duke i bërë ato të papastra, përderisa substancat e ndryshme që njeriu konsumon ndikojnë në trupin e tij.
Kur një substancë lë pasoja negative në trup, edhe natyra e trupit e përcjell këtë të keqe. Thënë ndryshe, nëse ilaçi ka një natyrë të keqe, edhe natyra e njeriut ndikohet për keq. I Lartësuari i ka ndaluar adhuruesit e Tij nga përdorimi i ushqimeve, pijeve dhe rrobave të ndyra, sepse ato japin efekte të këqija në trup dhe shpirt.
Nëse lejohet mjekimi me harame, atëherë kjo do të bëhet shtysë për më vonë që njeriu t’i marrë ato për të kënaqur nefsin dhe dëshirat e veta, sidomos kur zemra i pëlqen të tilla substanca. Pikërisht kështu ndodh kur zemra pandeh se këto substanca e shërojnë sëmundjen e trupit, prandaj ato bëhen më të dëshirueshme e të pëlqyeshme.
Feja i ka mbyllur rrugët e përdorimit të harameve, duke na urdhëruar të largohemi prej tyre. Kësisoj, është absurde që, nga njëra anë, ajo të mbyllë shtigjet e harameve dhe, nga ana tjetër, të hapë portën e tyre në disa përdorime të tjera.
Substancat e ndaluara që njerëzit i përdorin në mjekësi shkaktojnë më tepër dëm sesa mund të shërojnë. Për shembull, nëna e të gjitha substancave të këqija, alkooli, të cilin Allahu nuk e ka bërë kurë apo ilaç, është tepër i dëmshëm për trurin, – i cili është kontrolluesi i trupit ¬- sipas doktorëve dhe shumë dijetarëve të fikh-ut. Kështu, Hipokrati, duke folur për sëmundjet e rënda, thotë:
“Alkooli ka efekt tejet negativ për trurin, sepse ai shkon menjëherë në tru bashkë me disa substanca të tjera të dëmshme që përmban trupi, duke e dëmtuar keq trurin.” Ndërsa autori i librit El Kamil shkruan: “E veçanta e pijeve dehëse është se ato dëmtojnë trurin dhe sistemin nervor.”