Lajme

Shqiprim Arifi: Të themelohet “Fondi Kombëtar i Solidaritetit” për Luginën e Preshevës

Të themelohet “Fondi Kombëtar i Solidaritetit” për Luginën e Preshevës

Debatet e javëve të kaluara duhen të rezultojn në projekte preventive dhe strategjike kombëtare për ti plotësuar aspiratat, nevojat si dhe interesat e ndërsjella të shqiptarëve (të shpërndarë) në trevat e Ballkanit.

Pra, harmonizimet e brendshme politike shqiptare si dhe pozicionimet e qarta të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë me politikat zhvillimore që kanë për qëllim integrimin e mirëfilltë të jashtëm është rruga e artë dhe hapi i parë drejt anëtarsimit të plotë të shqiptarëve në Bashkimin Europian.

Si një faktor kohezioni në rrethana të tilla historikisht kanë shërbyer edhe fondet investive, që kanë për qëllim menaxhimin dhe menjanimin e problemeve të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare. Një mekanizëm i përbashkët i cili do të siguronte zbatimin e të drejtës kolektive shqiptare si dhe zhvillimin e sferave vitale në Luginës së Preshevës do të ishte edhe iniciativa për themelimin e një “Fondi Kombëtar të Solidaritetit”,ku Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë bashkarisht do të përkujdesen për ndarjen e një përqindje të vogël nga buxheti i konsoliduar vjetor i këtyre dy shteteve. Modalitetet dhe përshtatja e tyre do të ishte e diskutueshme, ndërkaq fondi do të shërbente ekskluzivisht për zhvillimin e projekteve të rëndësishme në sferat e arsimit, shkencës, artit, kulturës, revitalizimit infrastrukturor, mbrotjes së ambientit, zhvillimit ekonomik, konkurrencës dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

Si model funksionimi mundet të merret Gjermania me të ashtuquajturën “Solidaritätszuschlag” e cila është themeluar në vitin 1991 si tatim shtesë mbi të ardhurat personale dhe ka shërbyer sëpari për mbulimin e shpenzimeve gjatë luftës së dytë në gjirin persik dhe që nga viti 1995 ishte mekanizëm për financimin e kostove të ri-bashkimit të Gjermanisë perëndimore dhe asaj lindore.

Po ashtu si shembull mund të shërbej edhe Konfederata Zvicerane me “Nationale Finanzausgleich” me të cilën arrihet një solidarizim financiar i kantonave me një ekonomi të zhvilluar me kantonat tjera simotra të cilat përshkaqe objektive nuk arrijn të sigurojn të ardhura vjetore të mjaftueshme. Gjithashtu në këto suaza kemi edhe shtete tjera që kanë themeluar fonde të tilla me rastin e ballafaqimit të tyre me krizën bankare, apo në forma të agjensioneve zhvillimore ndërkombëtare siç është USAID-i amerikan e të tjerë.

Duhet me çdo kusht të hartojm një strategji të re me një mekanizëm të përbashkët si “Fondi Kombëtar i Solidaritetit” në kërkimin e zgjidhjeve të zbatueshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës e cila do të reflektohet në progresin politik, ekonomik, social dhe do të ishte pjesë e paqës dhe stabilitetit demokratik në rajon.

“Fondi Kombëtar i Solidaritetit” do të ishte një garancë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për menjanimin e shkeljeve sistematike të drejtave shqiptare dhe represionit të përhershëm. Është koha kur Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë të përkujdeset me projekte konkrete për vëllezërit dhe motrat në Luginën e Preshevës, meqë Lugina po sfidohet me mbijetesë!

Shqiprim Arifi,

Kryetar i Komunës së Preshevës

Related Articles

Back to top button