Çfarë i shtynë njerëzit të besojnë në besëtytni?
Tashmë dihet edhe historikisht se shoqëritë njerëzore kanë qenë të prira drejtë besëtytnive, ose thënë ndryshe drejt besimeve dhe paragjykimeve të kota. Për këtë, njohësit e riteve fetare kanë shprehur mendimin e tyre sa i përket të thënave se pas varrimit ose të pamës nuk bënë të shkohet diku tjetër, por drejt e në shtëpi. Ata kanë vlerësuar se mungesa e dijes së mirëfilltë i ka shtyrë popujt të besojnë verbërisht në besëtytni të ndryshme.
Xheladin Fazliu, imam i xhamisë së Hajvalisë, ka deklaruar për Kosova Info se jo në pak raste, një shoqëri e tërë, shpjegimet kryesore i ka bazuar në besëtytnitë që janë bërë pjesë e kulturës dhe shpirtit të saj.
Ai ka thënë se kureshtja e njeriut për të njohur të ardhmen (fatin dhe fatkeqësitë e tij) edhe sot e kësaj dite, krahas zhvillimeve të shumta, mbetet diçka e synuar por e panjohur, ashtu siç ishte edhe në kohët e qytetërimeve të lashta, e siç do të mbetet edhe në të ardhmen.
“I ndodhur përballë të papriturave që kanosin edhe vetë ekzistencën e familjeve, fiseve apo popujve të caktuar, ishte njeriu ai që me dëshirën dhe kujdesin e tij, mundohej që të evitonte fatkeqësitë dhe të ndiqte rrugën për të arritur deri tek njohja e fatit.
Por synimi për të realizuar këtë qëllim bëri që njeriu gjatë shekujve të ruaj në traditën e vet edhe besëtytnitë e trashëguara nga paraardhësit si dhe të krijojë pa reshtur besime e bindje të pa baza”, ka thënë imami Xheladin Fazliu, duke shtuar se misteret që shoqërojnë besëtytnitë vazhdojnë të ndikojnë përgjatë shekujve në zhvillimin shpirtëror e kulturor të popujve të ndryshëm anë e mban botës.
Ai ka theksuar se një rol të madh kanë luajtur edhe zhvillimet e vrullshme shkencore, të cilat i bindën njerëzit se shumë prej gjërave që i mendonin si të pashpjegueshme apo misterioze, kishin shpjegime të natyrshme dhe racionale, ku nëpërmjet tyre u pa se shumë prej fenomeneve që ndodhin në natyrë, nuk përcaktonin ndonjë gjë në të ardhmen e njerëzve.
“Tradita të besëtytnive ruhen akoma në popullin tonë. Kuptohet që çdo besëtytni në besimet e popullit tone rrënjët i ka në traditat e trashëguara për shekuj me radhë. Ana më e errët e këtij fenomeni është krijimi i bazave për idhujtarinë në objekte, vende apo fenomene, për të cilat besohet se kanë fuqi të sjellin mirë apo keq, atribute që në realitet nuk i kanë”.
Ka vlerësuar ai duke shtuar se duhet llogaritur edhe kostoja morale, shpirtërore e materiale që njerëz hallexhinj paguajnë anembanë vendit duke kërkuar ndihmë apo shpëtim personave apo tempujve, te cilëve u përshkruhen cilësi hyjnore.
Megjithatë, sa i përket besëtytnive ai ka dhënë edhe shpjegimin sipas besimit mysliman ku sipas tij, “edhe jeta edhe vdekja është veç në dorë, dëshirë, vullnet dhe përcaktim të Zotit. Ky është besimi i myslimanit”.
Ndërkaq, Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë, ka vlerësuar se varrimi apo varrimet në Kishën Katolike bëjnë pjesë në sakramentorë, apo ndryshe do të quhen bekime.
Ai ka thënë se sipas riteve të bekimit të të vdekurve, përveç lutjeve, s‘ka asnjë përcaktim tjetër për sa i përket kohës pas varrimit, pra, asnjëherë Kisha Katolike nuk ka paraparë gjëra të këtilla.
“Pse kjo traditë, zakon që pas varrimit të mos shkohet tjetërkund por në shtëpi, duhet të kuptohet si traditë popullore për të respektuar të vdekurin, përkatësisht për t’ia kushtuar atë ditë lutjes për te e për shpirtin e tij, pra si një gjest apo akt nderi ndaj të ndjerit. Kjo traditë mund të ketë pasur mandej edhe konotacione tjera që populli t’ia ketë veshur. Pos, në shumë vende kjo traditë nuk mbahet, madje madje tendenca është që të zhduket fare”, ka shpjeguar ai për Kosova Info.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk do ta quaja besëtytni këtë traditë, por një akt nderi popullor ndaj një të ndjeri.
“Nëse kjo traditë do të merret në aspektin negativ si një ndjellje vdekjeje nëse kthehesh te një familje apo shtëpi tjetër, atëherë mund të thuhet se ka konotacione besëtytnie”, ka thënë Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë.