Si të gatuani bagetë, receta tradicionale franceze
Baguette, ose siç e njohim në shqip bageta është një bukë tradicionale që daton nga koha e Revolucionit Francez.
Një prej kërkesave të kësaj lëvizjeje historike ishte që të gjithëve duhej t’u sigurohej buka e përditshme, dhe që të mos kishte më bukë të bardhë gruri për të pasurit dhe bukë thekre për të varfrit.
Që prej asaj kohe, bageta ka qenë buka e barazisë. Në qoftë se nuk e keni provuar akoma, Linda Fishta ka recetën e duhur për bagetën ideale.
Përbërësit:
450 g miell tip “0” ose miell për bukë dhe pizza, 1 bustinë me maja birre të thatë (kokrriza), 250 ml ujë + 3 lugë ujë të vakët, 1 lugë e vogël me kripë të imët, 1 lugë e vogël kripë kokërrmadhe, piper i zi dhe vaj ulliri.
Përgatitja:
Në një tas të madh ose në makinën e bukës, hedhim majanë dhe 3 lugë ujë të vakët dhe e përziejmë me lugë derisa të tretet. Shtojmë më pas miellin, ujin dhe në fund kripën e imët. I përziejmë fillimisht në tas dhe më pas e punojmë brumin me dorë në tavolinë për rreth 10 minuta (memakinën e bukës mjaftojnë 4 minuta).
E ndajmë brumin në 12 topa dhe u japim formë të zgjatur bagetave, i vendosim në tavën ku kemi shtruar letër pjekjeje, duke lënë 4 cm distancë midis tyre. I mbulojmë me plastmasë kuzhine të lyer me pak vaj ulliri dhe i lëmë të pushojnë për 30 minuta. Pas kësaj kohe, heqim plastmasën, i lyejmë me vaj ulliri, i spërkatim sipër me kripë kokërrmadhe dhe piper, dhe i vëmë të piqen për 15 minuta në furrë në temperaturën 200°C (e ndezim furrën 15 minuta më parë) ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë.