Kur belbëzimi tek fëmijët duhet të kthehet në shqetësim
Një ndër gjërat që i shqetëson së tepërmi nënat është belbëzimi tek fëmijët, që shfaqet përmes shqiptimit të ndrërprerë e të cunguar të fjalëve, përsëritjes së panevojshme të tingujve etj. “Shumë fëmijë të vegjël kalojnë një fazë ndërmjet moshës 2 dhe 5 vjeçare , në të cilën belbëzojnë, duke përsëritur rrokje të caktuara, fjalë apo fjali, duke zgjatur rrokjet apo duke ndaluar së thëni ato. Në pjesën më të madhe të rasteve, belbëzimi largohet vetvetiu rreth moshës 5 vjeç, në një pjesë tjetër të fëmijëve, zgjat më shumë,” shprehet për Anabel.al një logopede.
Lidhur me shkaqet e belbëzimit, ajo thotë se “mund të vijë nga shkaqe të ndryshme: gjenetike, problematika të tjera në gjuhë apo të folur apo vonesa në zhvillim, i folur i shpejtë etj. Një fëmijë mund të belbëzojë për disa javë apo disa muaj dhe belbëzimi mund të jetë edhe i rastësishëm dhe aspak shqetësues.” Deri në këtë pikë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, por siç thekson edhe logopedja për Anabel.al, “në rast se belbëzimi i fëmijës tuaj është i shpeshtë, vazhdon të përkeqësohet dhe shoqërohet nga lëvizje të trupit apo fytyrës, duhet të shqetësoheni dhe të kërkoni vizitën e një eksperti.”