Lajme

Kurz: Austria mbështet çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, edhe shkëmbimin e territoreve

Kancelari austriak, Sebastian Kurz pas takimit me presidentin Hashim Thaçi në një konferencë për media, ka thënë se pa një marrëveshje të përgjithshme në mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë stabilitet në rajon.

“Si kryesues i Presidencës së BE-së, ju them se e kemi marrë në qendër të punës tonë vendet e Ballkanit Perëndimor. Për të arritur paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor, duhet të ketë një dialog të suksesshëm në mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe një përmbyllje e suksesshme e këtij dialog me një marrëveshje të përgjithshme. Pa një marrëveshje të përgjithshme nuk do të jetë e mundshme që të ketë bashkëjetesë paqësore, si dhe nuk do të ketë stabilitet në rajon “, ka deklaruar Kurz.

Ai ka folur edhe për çështjen e shkëmbimit të territoreve, ku ka thënë se Austria do ta mbështesë cilëndo marrëveshje që arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Austria do të pajtohet me cilëndo marrëveshje që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Nga ana jonë do ta ketë mbështetjen e plotë, edhe nëse është korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve, pra këtë marrëveshje do ta mbështesë BE-ja”, u shpreh Kurz.

Kancelari austriak më tej theksoi se gëzohet që Austria vazhdon të jetë një prej investitorët më të mëdhenj dhe partner i rëndësishëm politik në Kosovë.

Related Articles

Back to top button