Ia zbulon martesën e rrejshme, Zvicra e kthen kosovarin pas 13-vjetësh në vendlindje
Në momentin kur kosovari deshi që në kuadër të bashkimit familjar t`i sillte në Zvicër gruan me 4 fëmijët, u zbulua ekzistimi i martesës së tij fiktive me një zvicerane. Kështu, me gjykimin e shqiptuar nga Gjykata Federale, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në vend, ai duhet të lëshojë Zvicrën, shkruan azonline.ch.
Duhet theksuar se këtë e bën të mundur ashpërsimi i ligjit që ka hyrë në fuqi nga fillimi i vitit 2019. Para kësaj date, atij nuk do të mund t`i tërhiqej leja e qëndrimit të përhershëm (Viza C).
Në muajin maj të vitit 2017 shqiptari me shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë, i lindur në vitin 1972 kishte kërkuar bashkim familjar me gruan dhe me katër fëmijët e përbashkët që jetonin në Kosovë.
Me gjithë faktin se ai po jetonte prej më shumë se 13 vitesh në Zvicër dhe nuk kishte bërë ndonjë delikt, autoriteteve u ra në sy fakti se tre nga 4 fëmijët ishin të lindur gjatë kohës kur ai ishte i martuar me zviceranen, përkatësisht në vitet 2000, 2003, 2005 dhe 2014.
Ai ishte kurorëzuar me të në tetor të vitit 2003. Përmes këtij kurorëzimi, kosovari kishte marrë një leje të kufizuar qëndrimi në Zvicër, (Vizën B). Gjysmë viti para kësaj, ai ishte duke kërkuar azil në Zvicër por pa sukses.
Pas pesë vitesh martese me një partner/e zviceran/e, i huaji ka të drejtë ta fitojë një leje të përhershme qëndrimi (vizë C). Kosovari e bëri këtë me sukses. Ndërkaq, martesa pa fëmijë me zviceranen, u prish në shtator të vitit 2014, pas pothuaj 11 vitesh.
Zbulimi se martesa e tij kishte qenë fiktive, ka pasur pasoja të rënda për kosovarin. Së pari, Zyra Kantonale për Migracion e Cyrihut ia mori Vizën C. Ndërsa në dhjetor të vitit 2017 edhe i shqiptoi vendimin për të lëshuar Zvicrën, pasi që i ishte refuzuar bashkimi familjar, transmeton albinfo.ch. Ai dhe familja kanë bërë ankesa deri në instancën më të lartë, në Gjykatën Federale, por më kot. Gjyqtarët në Lozanë po ashtu ia kanë hedhur poshtë ankesën.
Ata e mbështesin vendimin e Gjykatës Administrative të Cyrihut si instancë paraprake dhe udhëzojnë se leja e përhershme e qëndrimit (Viza C), sipas Ligjit për të Huajt mund të anulohet në rastin kur zbulohet se i huaji gjatë procedurës së marrjes së lejes së qëndrimit ka ofruar dëshmi të rrejshme ose ka heshtur fakte me rëndësi thelbësore.
Se në këtë pikë nuk ka vend për asnjë dyshim, e ka vërtetuar vetë bashkëshortja e tij kosovare. Ajo u ka deklaruar autoriteteve të Cyrihut se ishte e martuar prej 18 vitesh, në “mënyrë tradicionale” me personin në fjalë dhe se ai me gruan zvicerane ishte bashkë vetëm për shkak të letrave, transmeton albinfo.ch. Në këtë ndërlidhje, Gjykata Administrative në vendimin e saj ka konstatuar se kosovari ka heshtur para autoriteteve ekzistimin e marrëdhënieve të tij paralele me fëmijët jashtëmartesorë dhe e ka fituar lejen e përhershme të qëndrimit në Zvicër përmes lidhjes së një martese fiktive.
Babanë e katër fëmijëve duket se nuk e ka ndjekur fati. Përkundrazi. Sikur të vepronte ende ligji i vjetër për të huajt, shteti nuk do të kishte të drejtë t`ia anulonte atij lejen e përhershme të qëndrimit (C), në rast se ai, pas marrjes së lejes së përkohshme të qëndrimit (B) do të kishte qëndruar për 15 vite në mënyrë të rregullt dhe të pandërprerë në Zvicër.
Në rastin konkret, Zyra për Migracion, pas 10 muajsh nuk do të mund t`ia tërhiqte kosovarit lejen e përhershme të qëndrimit. Kjo për faktin se me ligjin që ka vlejtur deri në fund të vitit 2018 nuk kishte të drejtë ta bënte këtë kur një i huaj kishte 15 vite që po qëndronte në Zvicër në mënyrë të rregullt.
Hyrja në fuqi e ligjit të ashpërsuar për të huajt, më 1 janar 2019 e bën rastin e tij të pashpresë. Sipas ligjit të rishikuar: nëse një i huaj kur e ka siguruar qëndrimin në Zvicër ka ofruar të dhëna të rrejshme ose ka heshtur fakte thelbësore siç është një marrëdhënie paralele martesore, anulimi i lejes së qëndrimit është i mundur edhe pasi të kenë kaluar 15 vite të qëndrimit të tij në Zvicër.