Ariu mbyt 70 dele në Lipjan të Kosovës
Ferma e deleve “Kenny’s Goat Ranch” që gjendet në kodër ndërmjet fshatrave Babush-Cërrnillë dhe Gadime të komunës së Lipjanit, gjatë së dielës ka pësuar dëme mjaft të mëdha derisa një ari ia ka mbytur gjithsejtë 70 dele dhe qengja.
Pronari i kësaj ferme është nga Struga, ndërkohë ai jeton në Amerikë. Ndërkaq, mbikëqyrësi i kësaj ferme Arsim Gabrica ka thënë për “Koha Ditore” se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 të së dielës derisa ariu e ka sulmuar tufën me dele në pjesën e epërme derisa po kullosnin.
“E kam dëgjuar zërin e ariut dhe jam larguar pak, ndërkohë është futur në mes të tufës së deleve dhe qengjave. Me këtë rast kanë ngordhur 70 prej 300 sa kemi gjithsejtë në fermë. Një pjesë e madhe kanë ngordhur derisa delet kanë rënë nga pjesa e kodrës nëpër gurë në drejtim të tokës”, ka thënë Gabrica.
Ai sqaron se menjëherë kanë njoftuar Policinë e Kosovës dhe Komunën. “Po besojmë se organet duhet ta ndihmojnë fermën derisa kemi pësuar dëme shumë të mëdha”, ka thënë ai.
Gabrica ka thënë se ishte detyruar të largohej qindra metra nga vendi i ngjarjes derisa ka pushuar zhurma.
“Pas pak është ndalur zhurma, por kur jam kthyer në vendin e ngjarjes kam parë se disa deleve i është këputur edhe një pjesë e kokës, kurse shumë të tjera kishin rënë nga një lartësi e madhe e kodrës duke ikur”, ka thënë Gabrica.