A e di shpërblimin e dhënies hua (pa kamatë) ndaj një vëllait tënd?
P.sh. nëse ti i jep dikujt një shumë prej 100,000 Lekësh të vjetra si hua dhe keni rënë dakord të t’i kthejë pas 3 muajsh, kjo për ty është sikur për 3 muajsh rresht ke dhënë sadaka 100,000 Lekë të vjetra çdo ditë.
E nëse mbaron afati e ai të thotë që tja shtysh afatin edhe për një muaj, atëherë kjo për ty është sikur për një muaj ke dhënë sadaka çdo ditë 200,000 lekë të vejtra, në periudhën e shtyrjes.
Nga Ebi Burejde transmetohet se ai ka thënë, e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë: “Kush e ndihmon dikë në vështirësi, ka shpërblim sikur ka dhënë çdo ditë sadaka sa vlera e ndihmës”, pastaj përsëri e kam dëgjuar duke thënë: “Kush e ndihmon dikë në vështirësi, ka shpërblim sikur ka dhënë çdo ditë sadaka sa dyfishi i vlerës së ndihmës”. E pyeta të dërguarin e Zotit duke i thënë: “O Profet i Zotit, njëherë të kam dëgjuar të thuash “Ka shpërblim sikur ka dhënë çdo ditë sadaka sa vlera e ndihmës”, ndërsa njëherë të kam dëgjuar “ka shpërblim sikur ka dhënë çdo ditë sadaka sa dyfishi i vlerës së ndihmës” !? Mu përgjigj i dërguari i Zotit: “Ka çdo ditë shpërblimin e një sadakaje para se të mbarojë afati, e kur mbaron afati dhe ai ia shtyn atë, atëherë ka si shpërblim çdo ditë sa dyfishin e saj”. (Transmeton Ahmedi)
Ja dhe një hadith për ty:
Nga Ebi Jeserin transmetohet se Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Kush e ndihmon dikë në vështirësi apo garanton atë, Allahu do ta fusë këtë njeri nën hijen e Tij në Ditën e Gjykimit”. (Transmeton Muslimi)
Zoti (Xh.Sh) e zmadhon shpërblimin ndaj nesh që ne ta ndihmojmë njëri-tjetrin, e tja kursejmë veteve tona të keqen e huazimit me kamatë apo interes.
Dyert e mirësisë janë të shumta, prandaj nëse je i pasur bëj tregti me Allahun, sepse nuk ke për të gjetur projekt më të mirë dhe fitimprurës sesa tregtia me Allahun Fuqiplotë (fitim 100% ditor).